Hidrocentralet janë një prej burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe që mund të jenë të përdorshme në prodhimin e energjisë së pastër elektrike. Por, ato duhet të plotësojnë standardet dhe kriteret mjedisore të ndërtimit dhe funksionimit. Në rastin e Kosovës, siç duket dëmet mjedisore dhe jo vetëm, janë më të mëdha sesa përfitimet.
Sipas raportit “Western Balkans Competitiveness Outlook 2024: Kosovo” të OECD-së, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Botërore për burimet ujore, Kosova ka burime të pakta të ujit të rinovueshëm, rreth 1 600 m³ për person në vit, shumë më pak se mesatarja e rajonit. Ndërkaq, ka ende fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm.
Duke marrë parasysh këto fakte, lumenjtë e Kosovës nuk janë të përshtatshëm për ndërtimin e hidrocentraleve krahasuar me dëmet shumëdimensionale dhe me potencialin prodhues.
Sipas raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kapaciteti i instaluar i hidrocentraleve në Kosovë është 65.28 megavat, ndërsa prodhimi i tyre gjatë vitit 2024 ka arritur në 123,184 megavat-orë (MWh).
Pas shumë reagimeve e protestave, por edhe dëshmive të dëmeve të shumta, hidrocentralet janë hequr nga Strategjia e Energjisë së Kosovës 2022-2031.
Historia e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë filloi në vitin 2006 kur ishte bërë një studim i parafizibilitetit i realizuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, e ku ishte paraparë të ndërtoheshin dy hidrocentrale në lumin Lepenc, “Brezovica” me kapacitet të instaluar prej 2.1 MW dhe “Lepenci” me kapacitet prej 3.5 MW. Në vitin 2012 veçse filluan veprimet.
Aktualisht 13 hidrocentrale kanë leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit, ndërkaq kanë aplikuar katër të tjera për të marrë këtë leje.
E gjitha nisi me mashtrim dhe pa transparencë
Vendosja e lumit Lepenc në gypa ka shkaktuar reagim dhe rezistencë të madhe të qytetarëve të asaj ane. Agron Rushiti është ndër personat që ka qenë shumë aktiv për këtë çështje. Ai thotë se kur në vitin 2012 në fshatin Biti e Shtërpcës kanë shkuar tetë punëtorë të punojnë në shtratin e lumit, banorët janë gëzuar shumë dhe i kanë mirëpritur për faktin se ata kanë thënë se po e pastrojnë shtratin e lumit. Rushiti thotë se banorët janë ndjerë mirë sepse dikujt po i binte ndërmend për ta dhe po kujdesej për shtratin e lumit në fshatin e tyre.
“Ne u organizuam mblodhëm para dhe ua dërguam një qengj të pjekur, u blemë edhe shumë pije punëtorëve për t’i respektuar dhe falënderuar për punën që po e bënin”, tregon Rushiti.
Siç tregon ai, gjatë “festës” njëri prej punëtorëve u ndje keq, me gjasë se po i shihte shumë të gëzueshëm që po pastrohej lumi.
“Ai na tha ju po festoni, por kurrë më këtë ujë nuk do ta shiheni sepse ka me hy në gypa. Ne nuk e besuam na dukej i dehur”, thotë Rushiti.
Por kjo bisedë bëri që ata të interesohen më shumë rreth “pastrimit” të shtratit të lumit në fshatin e tyre dhe pas një viti e kuptuan përfundimisht se po përgatitet që uji do të futet në gypa të hidrocentralit. Rushiti thotë se menjëherë kanë filluar protestat dhe kanë penguar punën në terren.
Ai thotë se nuk është mbajtur asnjë dëgjim publik me ata si banorë, por sipas tij dy dëgjime janë mbajtur për ta, por pa ta. Njëri në Kaçanik, tjetri në Brezovicë - rreth 20 kilometra larg fshatit të tyre.
Ai na tha ju po festoni, por kurrë më këtë ujë nuk do ta shiheni sepse ka me hy në gypa. Ne nuk e besuam na dukej i dehur
“Prej vitit 2015 kemi protestuar vazhdimisht. Nuk kemi lënë derë pa trokitur, qeveri, komunë, ambasada OJQ, ose këdo që ka folur për këtë temë”, thotë Rushiti, duke shtuar se kanë pasur kontakte me përfaqësuesit e kompanisë dhe se ata u kanë thënë se nuk do të bëhen dëme dhe se një përqindje e ujit hyn në gypa ndërsa tjetra jo, dhe se do të ketë investime në fshatin e tyre.
Për më tepër Rushiti thotë se atij i janë ofruar mbi 100 mijë euro vetëm për ta ndalur kundërshtimin.
“Kjo ka ndodhur përmes mënyrave të ndryshme dhe njerëzve që më njohin. Unë i kam paraqitur në prokurori dhe në polici këto raste”, u shpreh ai.
Kauza e mbrojtjes së lumit Lepenc si rrallë herë, mbase për herë të parë në Kosovë, ka bërë bashkë shqiptarët dhe serbët e këtij fshati që në atë kohë numëronte rreth 150 shqiptarë dhe po aq serbë. Agron Rushiti na tregon se nuk ka pasur ndonjë planifikim apo koordinim paraprak, por gjithçka ka rrjedhur natyrshëm.
“Ka ardh dikush në shitore kemi bisedu që po ndodh kjo gjë. Kemi dalë në protestë i kemi parë disa serbë me ne, pastaj kanë ardhur edhe më shumë. Secili duke dalë te ara e vet e ka parë se po bëhen shkatërrime. Kjo na ka bërë bashkë. Çdo ushtimë e bagerit na ka gjetur bashkë në protesta”, thotë ai.
Ndërkohë që po pengohej puna nga protestuesit, aty ka ndërhyrë Policia e Kosovës dhe i ka shpërndarë dhunshëm protestuesit.
“Në vitin 2019 na kanë rrahur njësia speciale e policisë na kanë bërë për spital të gjithëve”, thotë Rushiti.
Në këtë vit veçse ishte vendosur uji në gypa. Rushiti thotë se nuk patën fuqi ta ndalin.
Sipas tij, për gjithë këtë çka ka ndodhur, apo siç e quan ai ‘tradhtinë’ që u është bërë banorëve të Bitisë, përgjegjës janë Komuna e Shtërpcës dhe Ministria e Mjedisit.
Pasojat e menjëhershme
Agron Rushiti thotë se pas hapjes së gropave për vendosjen e gypave, pasojat për ta kanë qenë të menjëhershme, për shkak se niveli i bunarëve ka shteruar menjëherë, sepse janë në nivel të lumit.
Ai thotë se gypat që i kanë vendosur janë mbi dy metra të gjerë dhe për ta futur në tokë duhet gropuar edhe katër metra. Ai na tregon se kjo ua ka prishur edhe ujësjellësin me rënie të lirë dhe kurrë më nuk ua kanë ndrequr.
Për pasojë ai shkon e marrë ujë nëpër pika të karburanteve ose në Prevallë, sepse në shtëpi thotë se nuk ka më ujë.

Rushiti thotë se futja e Lepencit në gypa u ka shkaktuar pasoja të tjera të shumta. Një pjesë e madhe e banorëve thotë se e kanë siguruar jetesën nga mjedrat, të cilat sipas tij kanë pasur rendimente të jashtëzakonshme për shkak të klimës dhe ujit.
“Kur kanë filluar të gropojnë na i kanë prishur vijat e vaditjes dhe kjo ka ndikuar direkt. Lumi verës lëshon pak ujë dhe kjo e ka prekur direkt rendimentin”, thotë Rushiti.
Ai nuk është optimist se puna e hidrocentraleve do të ndalet.
“Më nuk kam shpresë. Ata që tani janë në pushtet na kanë përkrahur vazhdimisht, dhe kemi pasur shpresën se do të bëjnë diçka. Në çdo shtëpi na kanë ardhur dhe kanë premtuar që kjo është e kundërligjshme dhe me ardhjen në pushtet kjo do të zhbëhet dhe do të gjykohen ata që e kanë bërë këtë gjë”, u shpreh Rushiti.
Studimi: Të revokohen lejet për hidrocentralet brenda Parkut Kombëtar të Sharrit
Një raporti studimor i realizuar në vitin 2024 nga katër profesorë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” mbi ndikimin e hidrocentraleve në biodiversitetin e ujërave të ëmbla në parkun kombëtar të maleve të Sharrit, thekson se duhet që menjëherë të ndalen të gjitha aktiviteteve të hidrocentraleve në zonën e Parkut Kombëtar dhe të merren masa për të parandaluar shkatërrimin e natyrës.
Studimi thekson se aktivitetet e hidrocentraleve kanë rrezikuar popullatat e peshqve dhe makroinvertebrorëve të llojeve të mbrojtura me ligj.
“Një rënie e konsiderueshme e popullatës ose një zhdukje totale në segmentet e përrenjve nën zonat e hidrocentraleve është vërejtur për lloje të rëndësishme si peshqit Salmo farioides dhe insektet ujore si Drusus sharrensis dhe Potamophylax humoinsapeins”, thuhet ndër të tjera në këtë studim.
Studimi tregon se të gjitha zonat akumuluese dhe digat përkatëse ndodhen brenda Parkut Kombëtar dhe ndikimi i tyre aktual në mjedis është në kundërshtim me qëllimet për zonat e mbrojtura.
Profesorët që kanë realizuar studimin kanë dhënë disa rekomandime, ndër të cilat më kryesorja është se, meqë vlerësimet aktuale të ndikimit në mjedis nuk i përmbushin kriteret ligjore dhe shkencore, “është e nevojshme të revokohen të gjitha lejet për hidrocentralet brenda Parkut Kombëtar të Sharrit në Komunën e Shtërpcës dhe të ndërpriten menjëherë të gjitha aktivitetet e hidrocentraleve në këtë zonë”.
Mbrojtja e lumit nga banorët e Soponicës së Kaçanikut
Futja e Lepencit në gypa kishte filluar edhe në fshatin Soponicë të Kaçanikut në vitin 2023, gjë që kishte shkaktuar një reagim të fortë të banorëve, duke e ndalur këtë proces deri më tani.
Ibrahim Dalloshi, administrator i këtij fshati na tregon se nuk ka pasur një debat publik të mirëfilltë me qytetarë siç përcaktohet me ligj, por thotë se kompania “2 Korriku”, e ka mbajtur një kinse debat publik me disa bashkëpunëtorë dhe bashkëfshatarë të pronarit të kompanisë, ndërkaq thekson se shpallja do të duhej të dilte në komunë dhe në fshat.
Dalloshi thotë se kompania kishte marrë një leje nga Komuna e Kaçanikut dhe kishte nisur punën për ndërtimin e hidrocentralit dhe vendosjen e gypave.
“Rastësisht i kemi parë bashkë me një bashkëfshatar dhe kemi shkuar për t’ia ndalur punën. Aty kemi pasur mosmarrëveshje dhe kanë ardhur edhe policia”, thotë Ibrahim Dalloshi.
Nisja ndërtimit të hidrocentralit në fshatin Soponicë të Kaçanikut. | Foto: Besnik Boletini
Ai thotë se pas pak ditësh kanë organizuar një protestë dhe atë ditë kompania nuk ka punuar. Por të nesërmen qysh herët në mëngjes ka filluar punën. Dalloshi thotë se bashkë me disa bashkëfshatarë kanë dalë menjëherë dhe i kanë kërkuar që mos të vazhdojë punimet.
“Më vonë ka ardhur edhe kryetari i Komunës dhe zyrtarë nga Ministria e Mjedisit që e kanë sjellë një vendim për ndaljen e punimeve. Prej atij momenti nuk ka punuar askush”, thotë Dalloshi.
Ai thotë se aktualisht janë në procese gjyqësore me këtë kompani.
“Ne ja kemi bërë disa padi, edhe ai ka bërë ndaj nesh. Më ka paditur edhe mua për pengim të punës”, na tregon ai.
Dalloshi thotë se kompania disa gypa i ka vendosur, por pjesën tjetër jo, për shkak të protestave të banorëve. E gypat që planifikoheshin të vendoseshin te lumi, tani qëndrojnë aty afër, duke pritur epilogun në gjykata.
Hasan Dalloshi, banor i fshatit Soponicë, ani pse rreth të 70’tave, kishte marrë pjesë në protestat për të kundërshtuar ndërtimin e këtij hidrocentrali për të cilin thotë se do të shkaktonte dëme të shumta në biodiversitet.
“Jeta në ujë nuk mund të zhvillohet më, do të mbesin tokat bujqësore pa ujitur, puset që janë në afërsi të këtij lumi do të shterojnë”, u shpreh ai.
Ai thotë se nëse futet uji në gypa të hidrocentralit, lumi do të shndërrohet në një përroskë dhe do të ketë një kundërmim të rëndë për shkak të kanalizimeve që kyçën pak më tutje dhe banorët do të detyrohen që t’i lënë shtëpitë zbrazëta.
“Do ta mbrojmë me çdo kusht këtë lumë, ndoshta edhe me jetë”, thotë Hasan Dalloshi.
Të dy këta banorë të Soponicës na tregojnë për pasojat e shterjes së lumit që po shkakton hidrocentrali Lepenci 3, i cili është në fshatin Sllatinë ngjitur me Soponicën.
“Gjatë verës ne shohim një përrua me mbeturina”
Valon Raka, drejtor i Organizatës për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”, thotë se ndërtimet e hidrocentraleve në lumin Lepenc kanë shkaktuar dëme të shumta mjedisore. Ai thekson se një nga dëmet ka të bëjë edhe me memorien kolektive të banorëve të asaj zone. Kjo për faktin se ata para disa viteve kanë pasur një vend të bukur për rekreacione dhe aktivitete të ndryshme, ndërsa tani lumi dhe brigjet e tij nuk mund të shfrytëzohen për këtë qëllim.
“Gjatë verës ne shohim më shumë një përrua me mbeturina, më shumë gurë e më e keqja pa ujë, e jo siç ishte dikur”, thotë Raka.
Ai na tregon për shumë organizime që kanë bërë për të kundërshtuar hidrocentralet në Lepenc, duke filluar me informimin e qytetarëve të Kaçanikut dhe Shtërpcës, e deri te protestat dhe paditë në gjykata ndaj pronarëve të hidrocentraleve.
Raka vlerëson se ndalja e plotë e hidrocentraleve do të ishte zgjidhja ideale, por thekson se edhe pa këtë mund të ndërmerren masa për të zbutur dëmet mjedisore. Ai propozon zbatimin e rrjedhës minimale ekologjike, ndalimin e operimit për hidrocentralet që nuk respektojnë rregullat dhe kryerjen e vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis para çdo ndërtimi apo zgjerimi.
Sipas tij, janë të domosdoshme inspektimet e rregullta dhe raportimi nga komuniteti për të parandaluar shkeljet. Raka kërkon që prioritet t’i jepet ujit të pijshëm dhe bujqësisë, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe rekomandon masa shtesë si krijimi i kalimeve për peshq dhe rivendosja e habitateve për të reduktuar ndikimin negativ në mjedis.
Lidhur me akuzat e banorëve dhe aktivistëve mjedisor, Preportr ka dërguar pyetje të kompanitë Matkos, 2 korriku dhe Hidrolepenci, por edhe pas pritjes për disa javë nuk ka marrë përgjigje.
Pasojat shumëdimensionale në Grykën e Deçanit
Ndërtimi i Hidrocentraleve në Grykën e Deçanit pati shkaktuar po ashtu reagime të shumta, veçanërisht për dëmet mjedisore që ka shkaktuar.
Shpresa Loshaj është ndër aktivistët më të zëshme kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Lumëbardhin e Deçanit. Ajo thotë se dëmet mjedisore në Grykën e Deçanit janë jashtëzakonisht të mëdha dhe në shumë raste as nuk mund të maten plotësisht, sepse një dëm ka sjell pasoja të tjera zinxhirore dhe se vetëm dëmet që shihen me sy janë shumë serioze.
“Në lëndinën e quajtur Zalli i Rupes është bërë praktikisht ekocid”, thotë ajo.

Sipas Loshajt, aty ka qenë një lum i egër që kalonte përgjatë Zallit të Rupes, një nga pamjet më të veçanta natyrore në Kosovë, por sot ai nuk ekziston më. I gjithë zalli sipas saj është marrë ilegalisht për ndërtimin e hidrocentraleve dhe si pasojë është tharë e gjithë lëndina. Ajo theksoi se nga aty ka filluar degradimi që ndërkohë është shtrirë për rreth 20 kilometra përgjatë lumit, ku janë ndërtuar tri hidrocentrale.
“Shtrati i lumit është ndryshuar disa herë, brigjet janë betonuar dhe shpesh lumi mbetet pothuajse pa ujë, sepse mënyra e operimit lihet në vullnetin e operatorit dhe nuk ka monitorim fare”, thotë Loshaj.
Ajo thotë se pasojat janë shumëdimensionale pasi që për shkak të degradimeve mjedisore po ndodh edhe një shkëputje shpirtërore mes lumit dhe komunitetit.
Shtrati i lumit është ndryshuar disa herë, brigjet janë betonuar dhe shpesh lumi mbetet pothuajse pa ujë, sepse mënyra e operimit lihet në vullnetin e operatorit dhe nuk ka monitorim fare.
Adem Lushaj aktivist i shoqërisë civile dhe njohës i fushës së mjedisit na shoqëroi në terren për të parë nga afër gjendjen aktuale në vendet ku janë duke operuar hidrocentralet në Grykën e Deçanit.
Ai thotë se janë disa kilometra që tubat me një diametër rreth dy metra janë futur nëpër Grykën e Deçanit dhe për skaj shtratit të lumit.
“Faktikisht ai është hidrocentrali i manastirit edhe pse është ndërtuar brenda zonës së veçantë në afërsi të manastirit. Pra, aty kemi shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta. Si pasojë, erdhi deri te degradimi shumë i madh, jo vetëm i shtratit të lumit, por edhe i pjesës së epërme të rrugës dhe të shtratit, ku vetëm gurët dhe shkëmbinjtë janë duke rënë poshtë në rrugë”, thotë Lushaj.
Ai thotë se shtrati i lumit shpesh ka ndodhur të jetë pa ujë fare derisa është rrezikuar minimumi ekologjik dhe mbijetesa e peshqve dhe gjallesave tjera.
Lushaj na shpjegon se një nga dëmet që janë shkaktuar nga hidrocentralet ka të bëjë me degradimin e shtratit të lumit, prandaj niveli i shtratit, në nivelin ku është rruga tani është në një nivel shumë të lartë dhe i paqasshëm për qytetarët, që në vitet paraprake bënin piknik në ato vende buzë lumit.
Një ndër dëmet e tjera që janë bërë sipas Lushajt është humbja e burimeve të vogla. Sipas tij, kjo ka ndodhur pas vendosjes së ujit në gypa dhe rrjedhimisht disa burime të vogla janë penguar nga gypat që të depërtojnë në lumë dhe se kjo ka ndikuar në pakësimin ujit.
“Shembulli më i keq është Deçani se si është investuar në ndërtimin e hidrocentraleve. Ne vetëm humbje kemi, degradim të natyrës, humbje të resurseve ujore, mosshfrytëzim të resurseve ujore dhe asnjë përfitim nuk e kanë qytetarët e Deçanit”, thotë Lushaj.
Ai na tregon një rast ku konsideron se me sukses kanë arritur ta ndalin ndërtimin edhe të dy hidrocentraleve. Lushaj thotë se për shkaqe të formaliteteve, ishte tentuar që në mënyrë të fshehtë të mbahet një debat publik me qytetarët.
Shembulli më i keq është Deçani se si është investuar në ndërtimin e hidrocentraleve. Ne vetëm humbje kemi, degradim të natyrës, humbje të resurseve ujore, mosshfrytëzim të resurseve ujore dhe asnjë përfitim nuk e kanë qytetarët e Deçanit.
“Ne kemi njoftuar mediat dhe kemi shkuar aty dhe pas kësaj e kanë anuluar debatin. Pra, edhe në grykë të Hulajve dhe të Jasiqit kanë dashur të ndërtojnë, por reagimet tona kanë bërë që të anulohen”, thotë ai.
Mon Selmanaj, qytetar nga Deçani thotë se në kohën kur janë bërë tubime publike ku është folur se cilat do të jenë interesat e Komunës së Deçanit nga ndërtimi i hidrocentraleve përmes ''Kelkos Energy'', qytetarëve u është thënë krejt diçka tjetër, e në realitet doli krejt diçka tjetër.
“Na kanë thënë që në aspektin mjedisor nuk do të ketë telashe. Por, rrjedha e lumit sidomos gjatë verës në shumicën e trasesë së lumit nuk ka ujë”, thotë Selmanaj.
Ai thekson se kthimi në gjendjen e mëparshme të mjedisit, pothuajse nuk ekziston fare, rruga nuk është asfaltuar edhe pse ishte premtuar, përfitimi i qytetarëve në aspektin e punësimit siç është premtuar, nuk ka ndodhur, kështu që interesi Komunës për një Zhvillim ekonomik përmes turizmit, është bërë fare i vogël.
Aktivistët mjedisor thonë se vendosja e Lumëbardhit të Deçanit në gypa ka shkaktuar pasoja të shumta mjedisore. | Foto: Besnik Boletini
Ai thotë se shumica e tubave është vendosur në Zonën e Veçantë të Manastirit dhe ku është ndërtuar hidrocentrali i fundit atje rreth 200 metra afër Manastirit, e në anën tjetër Manastiri në një aspekt e ka pamundësuar asfaltimin e kësaj rruge e cila do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve, që shkojnë për turizëm drejt bjeshkëve.
Selmanaj për këtë situatë fajëson Komunën e Deçanit dhe Ministrinë e Mjedisit, sepse sipas tij, kanë qenë në një mënyrë garantuese e implementimit siç duhet të këtij projekti.
Kelkos e ka dërguar Kosovën në arbitrazh
Nico Kollmann, udhëheqës i grupit në kompaninë ''Kelkos Energy'' Sh.p.k thotë se projektet e tyre janë zbatuar në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe legjislacionin në fuqi dhe se e respektojnë rolin e shoqërisë civile dhe i marrin seriozisht shqetësimet e tyre, por sipas tij, në një pjesë të debatit publik nganjëherë janë formësuar nga interpretime selektive ose të njëanshme.
“Ne besojmë se shumë nga kundërshtimet e ngritura nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren. Gjatë më shumë se një dekade veprimtarie, nuk ka pasur kundërshtime të bazuara nga komuniteti lokal në Deçan”, thotë ai.
Ai pretendon se nuk kanë shkaktuar asnjë dëm mjedisor dhe se punimet dhe operimin e kanë bërë në përputhje të plotë me kornizën ligjore të Kosovës.
Kollmann konfirmon se kanë iniciuar arbitrazh ndërkombëtar kundër Qeverisë së Kosovës, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë për Preportr se kërkesa për arbitrazh është dorëzuar në ICC (International Chamber of Commerce) më 12 shtator të vitit 2023 dhe seanca dëgjimore është mbajtur në periudhën 20-24 tetor 2025.
Të pyetur se cilat janë pretendimet nga ana e kompanisë Kelkos dhe sa është shuma financiare që ata e pretendojnë, nga kjo ministria kanë thënë se nuk mund të deklarohen për shkak të detyrimeve të konfidencialitetit.
Avokati i popullit: U veprua në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi
Avokati i Popullit në vitin 2021 publikoi raportin ex-officio kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit ku thekson se procedurat për ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve në Kosovë kanë pasur mangësi serioze në transparencë, në pjesëmarrje publike dhe qasje në drejtësi.
Sipas këtij raporti, ndërtimi i hidrocentraleve ka sjellë pasoja për mjedisin, përfshirë tharjen e lumenjve dhe dëmtime të pariparueshme ekologjike, ndërkohë që sistemi gjyqësor nuk ka ofruar zgjidhje të shpejta dhe efektive.
“Më 5 nëntor 2019, pas daljes në terren, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit ka vërejtur që shtrati i lumit përgjatë rrugës për Shtërpcë ishte i zbrazur, pa asnjë pikë uji”, thuhet ndër të tjera në raport.
Avokati i Popullit, duke vërejtur mangësi lidhur me procesin e operimit të hidrocentraleve, pakënaqësitë e qytetarëve dhe mbi të gjitha ndikimin e hidrocentraleve në mjedis, nëpërmjet raportit kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes interesin mes rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend në raport me ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm.
Më 5 nëntor 2019, pas daljes në terren, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit ka vërejtur që shtrati i lumit përgjatë rrugës për Shtërpcë ishte i zbrazur, pa asnjë pikë uji.
“Në veçanti, duke pasur parasysh sasinë e pamjaftueshme të ujërave në vend, qeveria duhet të ketë qasje parandaluese, në mënyrë që t’i shmangë dëmet e pariparueshme”, thuhet në raport.
Pikat marrëse të ujit në Hidrocentralin Sharri në Brezovicë. | Foto: ©Bruno D'Amici
Avokati i Popullit konstaton se Ministria e Mjedisit, Komuna e Deçanit dhe ajo e Shtërpcës, me rastin e kufizimit të së drejtës së për të ofruar qasje në informata lidhur me ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve, kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi, të cilat qytetarëve ua kanë garantuar të drejtën për t’u informuar lidhur me mjedisin.
“Avokati i Popullit duke konsideruar se situata mund të ketë pasoja të pariparueshme në mjedis, i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor t’i pezullojë aktivitetet e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë, deri në dhënien e sqarimit për ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse”, thuhet në raport.
Rastet aktuale në gjykata
Përveç akivizmit, hulumtimeve, por edhe protestave “fronti” i organizatave të shoqërisë civile u fokusua edhe në fushën e drejtësisë, pasi që ngritën disa padi në gjykata.
Sipas Rinon Arifit, Jurist dhe ekspert i fushës, aktualisht janë disa raste të hidrocentraleve në gjykatat e Kosovës.
Rasti Kelkos që ka të bëjë me aktet administrative të nxjerra për katër hidrocentrale. Për hidrocentralet Belaja, Lumbardhi II dhe Deçani janë kontestuar lejet ujore, lejet mjedisore dhe licencat e ZRrE-së për prodhim të energjisë elektrike. Kjo procedurë gjyqësore aktualisht ndodhet në shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Procedura është iniciuar nga OJQ-të, pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e kishte refuzuar padinë si të pabazuar.
Ndërsa, te hidrocentrali Lumbardhi I, procedurat janë te ndara nga rastet e tjera dhe aktualisht janë në zhvillim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ. Aktet e kontestuara (raste të veçanta gjyqësore) janë leja mjedisore dhe leja ujore.
Te hidrocentrali Soponica është kontestuar pëlqimi mjedisor. Procedura aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ e ka refuzuar padinë e paditësve (OJQ-ve dhe banorëve të zonës) si të pabazuar.
Për hidrocentralin Brezovica akti administrativ i kontestuar është leja ujore. Procedura aktualisht është në shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ e ka hedhur poshtë padinë e paditësve (disa OJQ) si të pasafatshme.
Te hidrocentrali Lepenci 3 akti administrativ i kontestuar është leja ujore dhe leja mjedisore. Lidhur me këtë rast procedura aktualisht është në shqyrtim pranë Gjykatës së Apelit, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ e ka refuzuar padinë e paditësve (disa OJQ) si të pabazuar.
Ndërtimi i hidrocentraleve në lumenj është i gabuar
Egzona Shala-Kadiu ekologe dhe drejtuese e organizatës mjedisore EcoZ thotë se mënyra se si janë ndërtuar hidrocentralet nëpër lumenj ka qenë tërësisht e gabuar, sepse po e ndërprejnë rrjedhën e lumit dhe ndikon në ekosistemin ujor. Ajo mendon se kjo është njëra ndër mënyrat më të këqija të ekzistimit të një hidrocentrali, e sidomos në Kosovë sepse shumica prej tyre nuk e kanë as basenin që mblidhet uji dhe përdorët për prodhim, por po e vendosin gypin direkt në lumë.
Ajo thotë se hidrocentralet janë ndërtuar joligjërisht në parqet kombëtare dhe se nuk janë respektuar ligjet e parqeve as nga Ministria e Mjedisit e as nga investitorët, ndërkaq që debatet publike që janë obligim ligjor të mbahen me banorët lokalë, thotë se janë mbajtur me persona fiktivë.
“Për t’u ndërtuar një hidrocentral, fillimisht duhet pasur një leje ndërtuese. Te rasti i Matkosit në malet e Sharrit dhe të rasti i Kelkosit në Grykën e Deçanit i është dhënë leja ndërtimore nga Komuna e Shtërpcës përkatësisht e Deçanit për të ndërtuar në Park Kombëtar”, thotë Shala-Kadiu.
Ajo thotë se kanë prova mjedisore që mbi 95% e peshqve kanë ngordhur në rrjedhën e Lepencit. Sipas saj, janë edhe disa lloje të pazbuluara.
“Një është zbuluar rishtas, por është i rrezikuar prej hidrocentraleve, sepse nuk ka ujë”, u shpreh ajo.
Pikat marrëse të ujit në Parkun Kombëtar të Sharrit. |Foto Besnik Boletini
Shala-Kadiu thotë ndërtimi i hidrocentraleve ka shkaktuar dëme shumëdimensionale, por ndër më kryesorët kanë të bëjnë me dëmin në sasinë e ujit, kjo për faktin se një rrjedh e ujit është për gjithë zonën e parkut, për gjithë florën, faunën dhe gjithçka është e ndërtuar në atë rrjedhë të lumit.
“Drunjtë e Bjeshkëve të Nëmura që janë të vjetër mbi katër mijë vjet e që ju duhet jo vetëm uji drejtpërdrejtë, por edhe precipitimi, sepse edhe gjatë avullimit ata e mbajnë vetën tamam”, thotë Shaka-Kadiu.
Shala-Kadiu thotë se aktualisht ideja është që të ndërtohen shtatë diga të cilat mund të shfrytëzohen edhe si hidrocentrale nëse ka studim fizibiliteti për atë potencial. Por, sipas saj, kjo duhet të bëhet duke e pasur shteti pronësinë, jo investitorët e jashtëm.
Ajo mendon se hidrocentralet do të duhej të largoheshin për faktin se janë ndërtuar ilegalisht, nuk janë duke i respektuar prurjet ujore, nuk janë duke raportuar, përkatësisht nuk i kanë vendosur matësit e ujit që me qenë online që ta shohim edhe ne.
“Prandaj ka bazë të mjaftueshme që të iniciohet largimi i tyre. Mjafton një vendim ministres së mjedisit që këto hidrocentrale janë dëmtuese të mjedisit dhe duhet që të evakuohen”, thotë Shala-Kadiu.
Maqedonia e Veriut largoi hidrocentralet
Në Maqedoninë e Veriut janë 90 deri në 120 hidrocentrale të vogla aktive. Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator për Energji (KRE), 93 janë tashmë në funksion, ndërsa 27 kanë marrë vendime të përkohshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Gazetari hulumtues nga IRL, Ivan Blazhevski thotë se në vitin 2005 Maqedonia e Veriut ndryshoi kuadrin ligjor në sektorin e energjisë dhe filluan procedurat për dhënien e koncesioneve për hidrocentrale të vogla për investitorë privatë. Ndërkaq, në vitin 2006 hidrocentralet e para private të vogla hynë në funksion, kryesisht në lumenj dhe degëzime më të vogla ujore.
Sipas tij, në periudhën 2007–2015 shënohet faza e zgjerimit më të madh të këtij sektori, e nxitur nga skemat e tarifave nxitëse (feed-in tariffs) dhe mbështetja financiare shtetërore.
“Pas periudhës 2018–2020, ritmi i zhvillimit ngadalësohet ndjeshëm për shkak të kundërshtimeve publike, vlerësimeve kritike mjedisore dhe ndryshimeve në politikat energjetike dhe mjedisore”, thotë Blazhevski.
Me shpalljen e Malit Sharr si park kombëtar në vitin 2021 është ndërprerë realizimi i projekteve të hidrocentraleve në atë zonë.
Sipas një përgjigjeje nga Ministria e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, është ndërprerë puna e tetë hidrocentraleve të vogla që po ndërtoheshin në këtë zonë, si MHE Leshoçka 100; MHE Leshoçka 101; MHE Belovishka 107; MHE Vratniçka 66; MHE Ljubotenska 67; MHE Pena 82, MHE Mazdraça dhe MHEC Sheliçe 9.
Shteti i Maqedonisë së Veriut ka dëmshpërblyer kompanitë që kishin në pronësi hidrocentralet.
Sipas përgjigjeve të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi fqinjë, dëmshpërblimet kanë variuar nga 64 mijë euro më së paku deri te 597 mijë euro më së shumti.
Egzona Shala-Kadiu nga EcoZ thotë se hidrocentralet në Maqedoninë e Veriut kanë qenë përmes koncesionit, prandaj e kanë pasur më të lehtë t’i largojnë, sepse shteti e ka mbajtur pronësinë, ndërsa operatorët ekonomikë kanë qenë vetëm shfrytëzues.
“Në Kosovë janë dhënë me leje ujore dhe procedura e largimit proceduralisht duhet të merret nga ministri dhe nëse ka një nevojë shtetërore për sasinë e ujit”, thotë Shala-Kadiu.
Paditë e dështuara SLAPP
Më 1 qershor të vitit 2020 kompania Kelkos e kishte paditur aktivisten Shpresa Loshaj duke i kërkuar 100 mijë euro. Kjo kompani kishte ngritur disa pretendime për shpifje dhe dëmtim të reputacionit nga deklaratat e Loshajt e cila i kishte bërë publikisht, por edhe përmes disa letrave që ua kishte dërguar institucioneve relevante.
“Për më tepër, më datë 13 maj 2020, në profilin e saj në Facebook, e paditura ka shpërndarë një video, duke kontestuar ligjshmërinë e hidrocentraleve të paditësit, dhe duke deklaruar se paditësi është duke kontribuuar në shkatërrimin e mjedisit dhe natyrës, të gjitha këto në mungesë të Lejes Mjedisore”, thuhet ndër të tjera në padinë e Kelkosit.
Përgjigjja në padi ishte e menjëhershme nga avokatja Rina Kika. Ajo radhiti një sërë faktesh dhe argumentesh se pretendimet e paditësit nuk qëndrojnë, si dhe paraqiti komunikime zyrtare të institucioneve të Kosovës për dëmet që janë bërë gjatë ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve.
Në përgjigje në padi theksohet se në rastin konkret, deklarimet e Loshajt lidhur me operimin e hidrocentraleve të Kelkosit pa licencë dhe pa leje mjedisore mbështeten në informata publike zyrtare të publikuara nga ZRrE që janë përpiluar posaçërisht për hidrocentralet me të cilat operon Kelkos në Grykën e Deçanit.
“Sa i përket pretendimit se e paditura ka shpifur kur ka deklaruar se paditësi nuk ka pasur leje mjedisore, në njërën anë paditësi e cilëson si shpifje deklaratën e të paditurës se paditësi nuk posedon Leje Mjedisore (shih Padinë për shpifje, paragrafi 1.5.), ndërsa në anën tjetër bie në kundërshtim me veten duke e pranuar se nuk posedon Leje Mjedisore (shih Padinë për shpifje, paragrafi 1.15.)”, thuhet ndër ë tjera në përgjigje në padi.
Në përgjigje në padi theksohet se deklaratat e të Loshajt, si deklarime faktike gëzojnë mbrojtje edhe sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), praktika e së cilës mbizotëron në të drejtën tonë vendore sipas nenit 53 të Kushtetutës.
Aty theksohet se këtë padi e cilësojnë SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation) – Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike dhe thuhet se dëmet ndaj mjedisit dhe llogaridhënia e kompanive për shkaktimin e tyre janë çështje me interes publik, prandaj debati publik lidhur me këtë çështje nuk bën të frenohet e dekurajohet me miratimin e padive SLAPP.
Padisë së Kelkosit nuk i shpëtoi as Adriatik Gacaferri, i cili kishte fotografuar hidrocentralin Lumbardhi II dhe lumin pa ujë, duke e postuar në rrjetin social Facebook dhe duke shprehur pakënaqësi dhe shqetësimin e tij për këtë situatë. Për dallim nga Loshaj, që ia kërkonin 100 mijë euro, Gacaferrit që i kishte shkuar padia me 9 korrik 2020, ia kërkuan 10 mijë euro si dëmshpërblim.

Në padinë e Kelkosit theksohet se deklarata Gacaferrit ka kulmuar me dëmtimin e reputacionit të tyre si një ndërmarrje e respektuar në shoqërinë kosovare dhe një investitor i madh në energjinë e gjelbër në Kosovë.
Në padi theksohet se Kelkosi mund ta dëshmojë se në ditën kur i padituri postoi fotografinë dhe përditësoi statusin në Facebook, hidrocentrali Lumbardhi II ka qenë jashtë funksionit. Sipas tyre, ky fakt e bënë të pamundur që ndonjë sasi e ujit të jetë futur në gypa.
“Përkundrazi, rubinat e HEC Lumbari II e kanë lënë 100% të ujit në lumin Lumbardhë të paprekur”, thuhet ndër të tjera në padi.
Ndërkaq në përgjigjen në padi që e ka bërë avokatja Rina Kika theksohet se deklarata e Gacaferrit gëzon mbrojtje brenda të drejtës së lirisë së shprehjes si e drejtë fondamentale njerëzore e garantuar me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës.
Në përgjigje në padi thuhet se deklarata e Gacaferrit mbrohet ligjërisht, pasi pjesa e parë përbën deklaratë me interes publik, ndërsa pjesa e dytë është shprehje opinioni, ndaj të dyja shqyrtohen veçmas.
Aty theksohet se deklarata e të Gacaferrit gëzon mbrojtje si deklaratë e shprehur për një çështje me interes publik për të cilën ai nuk mund të mbahet përgjegjës për shpifje për shkak se e ka mbështetur deklaratën e tij për kalimin e 100% të ujit në gypa me vëzhgimin e vendit ku e ka bërë fotografinë.
Lidhur me këtë çështje, Preportr ka kontaktuar me Adriatik Gacaferrin, por ai nuk ka dashur të flasë dhe theksoi se ka disa vite që nuk po merret me çështjen e hidrocentraleve.
Kelkos: Paditë i tërhoqëm vullnetarisht
Më 20 tetor të vitit 2021 Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve kanë njoftuar se Kelkos ka hequr dorë nga paditë për shpifje ndaj Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferrit,. Tërheqja e padive ndodhi pas një debati të madh publik dhe shumë reagimeve lidhur me këtë çështje.
Avokatja Rina Kika ka thënë se Kelkos e ka ditur se nuk mund të fitojë me këto padi të pabaza në gjykatë dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata ta fitojnë procesin, qëllimi ka qenë frikësimi i aktivistëve që i kritikojnë operimet e kësaj kompanie.
“Ata kanë hequr dorë nga të dy paditë, pa asnjë kusht dhe menjëherë. Padi të tilla që tentojnë ta heshtin debatin publik për çështje të interesit publik siç është mbrojtja e ambientit janë të dëmshme dhe duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjithë”, ka thënë Kika.
Nico Kollmann nga Kelkosi thotë se paditë ndaj Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferrit janë tërhequr vullnetarisht, “me qëllim deeskalimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për një dialog më konstruktiv dhe të bazuar në fakte”.
Ndërkaq në pyetjen se a ishin këto padi SLAPP me qëllim që të frikësonin aktivistët që të mos merren me këtë çështje, ai thotë se ky përshkrim është i pasaktë dhe se veprimet ligjore janë ndërmarrë për të mbrojtur të drejtat e tyre legjitime dhe reputacionin kundër akuzave të rreme, në përputhje me ligjin në fuqi.
Lëvizja FOL ka qenë e angazhuar në mbrojtjen e dy aktivistëve mjedisorë. Mexhide Demolli drejtoreshë në këtë organizatë thotë se së bashku edhe me organizata të tjera të shoqërisë civile, i kanë vlerësuar këto padi si SLAPP.
“Shumat e kërkuara për dëmshpërblim ishin mjete për të ushtruar presion financiar dhe psikologjik mbi individët që kritikonin operimet e kompanisë "Kelkos Energy" në Grykën e Deçanit”, thotë Demolli.
Ajo thotë se këto padi kanë një efekt frenues në shoqëri. Edhe pse në rastin konkret aktivistët si Shpresa Loshaj treguan guxim dhe nuk u tërhoqën dhe ishte kompania Kelkos e cila i tërhoqi paditë pas presionit të madh të shoqërisë civile.
Shumat e kërkuara për dëmshpërblim ishin mjete për të ushtruar presion financiar dhe psikologjik mbi individët që kritikonin operimet e kompanisë “Kelkos Energy” në Grykën e Deçanit.
“Ekziston shqetësimi nga se këto padi mund t'i bëjnë aktivistët e tjerë të vetë-censurohen, nga frika e proceseve të gjata gjyqësore dhe kostove të larta. Ajo që tashmë dihet është se qëllimi i padive SLAPP nuk është drejtësia, por lodhja dhe shterimi i burimeve të atyre që guxojnë të flasin”, theksoi Demolli.
Loshaj: Tentuan të më heshtin dhe t’i frikësojnë ata që mund të flisnin
Shpresa Loshaj na tregon përvojën lidhur me padinë që ishte bërë ndaj saj. Ajo thotë i është dukur e çuditshme dhe shokuese se si një kompani e huaj mund të vijë të bëjë padi të pabazuara dhe të tentojë të heshtë qytetarët e Kosovës. Loshaj thotë se në njërën anë e kuptoi se pse shumë njerëz në Kosovë kanë frikë të flasin hapur, por në anën tjetër ishte e befasuar për të mirë me përkrahjen që e mori nga shoqëria civile.
Ajo thotë se fillimisht nuk ka pasur asnjë ndrojtje apo frikë nga kjo padi për shkak se i kishte faktet mbi të cilat kishte folur dhe e kishte ndërtuar aktivizimin e saj për mbrojtjen e Lumëbardhit të Deçanit.
Ndërkohë, thotë se kishte filluar ta kuptojë se çfarë po ndodhte me lëndët e Kelkosit në gjykatat e Pejës dhe të Deçanit. Ajo thotë se mori vesh se një qytetar i Deçanit ishte gjobitur për arsye se kishte tentuar t’i largonte makineritë e Kelkosit nga livadhi i tij, pasi që ata kishin hyrë pa leje dhe pa dijeninë e tij për të hapur kanale në pronën e tij.
“Gjykatësi që kishte lëndën time në Deçan e kishte shqiptuar atë gjobë me arsyetimin se ai qytetar e kishte ngritur zërin gjatë komunikimit me punëtorët e Kelkosit”, na tregon ajo.
Loshaj thotë se kur e ka parë këtë rast, për te u bë e qartë se vendime të tilla dërgonin një mesazh për qytetarët e Deçanit që të qëndronin të heshtur.
“Mendoj se pikërisht kështu filloi heshtja që për shumë kohë e mbuloi Deçanin”, thotë ajo, duke shtuar se përmes kësaj padie kanë dashur të sigurohen që jo vetëm ta heshtin atë, por t’i frikësojnë të gjithë ata që mund të flisnin.
“Disa zëra që dikur kanë qenë shumë të zëshëm në mbrojtje të Lumëbardhit sot pothuajse janë shuar. Kjo tregon se presioni dhe frika që krijohet nga padi të tilla mund të ndikojë që njerëzit të tërhiqen ose të heshtin, edhe kur e dinë se çështja është e drejtë”, u shpreh Loshaj.
Ajo na tregon se si edhe qytetarët e tjerë i kanë sugjeruar të ketë kujdes sepse mund të ketë edhe pasoja të ndryshme duke përfunduar edhe në burg. Kjo sipas saj ishte një tregues për besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Disa zëra që dikur kanë qenë shumë të zëshëm në mbrojtje të Lumëbardhit sot pothuajse janë shuar. Kjo tregon se presioni dhe frika që krijohet nga padi të tilla mund të ndikojë që njerëzit të tërhiqen ose të heshtin, edhe kur e dinë se çështja është e drejtë.
“Kur njerëzit nuk i besojnë gjykatave, frika nga padi të tilla bëhet edhe më e madhe, dhe në këtë rast frika ishte reale”, thotë Loshaj.
Sipas saj, nga Kelkos e kanë ditur se ndikimi i tyre nuk do të kishte efekt tek ajo, për faktin se ajo nuk jetonte në Kosovë, kishte jetën, punën dhe familjen në Kanada, prandaj nuk kishin ndonjë mënyrë që ta lidhnin me presione përmes punës apo familjarëve. Megjithatë, sipas saj ka pasur presione indirekte, por edhe kërcënime të ndryshme që kanë filluar që nga dera e shtëpisë së saj.
“Edhe disa persona nga fshati im e kanë ndjerë një presion nga Kelkos, ose më saktë nga Komuna e Deçanit, e cila aktivizmin tim e shihte si rrezik. Ka pasur disa raste kur janë përdorur mënyra të ndryshme për të më heshtur, gjë që më kanë vënë edhe jetën në rrezik”, thotë Loshaj, duke shtuar se ka qenë fat i mirë i saj që gjithmonë ka qenë e shoqëruar me bashkëshortin e saj. Ndërkaq, thotë se vazhdimisht ka qenë e kujdesshme në lëvizjet e saj.
“Ndoshta do të vijë një kohë që do të jam e hapur për ato përjetime”, thotë ajo.
Përvoja e Shpresa Loshaj nuk është e vetme. Edhe qytetarë të tjerë, si Ibrahim Dalloshi, vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore, duke kundërshtuar projektet e hidrocentraleve dhe duke këmbëngulur që të mos lejohet futja e lumenjve në gypa. Ndërkohë, shumë hidrocentrale vazhdojnë operimin, ndërsa projekte të tjera presin ende dritën jeshile nga institucionet.
Ky hulumtim është mbështetur nga Fondi Evropian për Ballkanin.
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë vetëm të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet apo pikëpamjet e Fondit Evropian për Ballkanin.