Organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) kanë realizuar hulumtimin i cili shqyrton tenderët e lëshuar nga Komuna e Prishtinës si dhe çështjen e ndërtimeve pa leje, përkatësisht legalizimin e këtyre ndërtimeve.
Në këtë kuadër, ÇOHU! dhe QKGH-ja kanë analizuar mbi 280 tenderë me vlerë të madhe dhe të mesme që nga fundi i vitit 2007 deri në fundin e vitit 2012, vlera e të cilëve është afro 100 milionë euro, dhe të cilat u janë ndarë afro 270 kompanive.
Hulumtimi tregon një trend shqetësues mbi prokurimet publike në Komunën e Prishtinës, si dhe keqpërdorimet që bëhen me pozitën dhe asetet publike. Ky hulumtim ka treguar që Komuna e Prishtinës u shpërndan tenderë me vlera milionësh kompanive të cilat nuk kanë qenë të përgjegjshme me kontrata e mëhershme. Po ashtu, hulumtimi nxjerr në shesh edhe mënyrës se si kryetari i komunës, Isa Mustafa u dhuron asete publike kompanive të cilat ose janë të ndërlidhura me të, ose janë financuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo marrëdhënie shpreh qasjen klienteliste në mes të autoritetit publik, Komunës së Prishtinës karshi një pjese të kompanive të cilat janë treguar të papërgjegjshme në realizimin e kontratave me këtë institucion.
Nga ky hulumtim nxirret se afro 36 milionë euro, nga vlera totale prej afro 100 milionë eurosh, që janë hulumtuar, Komuna e Prishtinës i ka ndarë për kompani që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të, ose komuna ka vazhduar për t’u dhënë tenderë kompanive për të cilat u nisën hetime për korrupsion. Këtu bëjnë pjesë kryesisht tenderët që iu dhanë biznesmenit Ragip Mustafa, kompanive të familjes Zymberi, kryesisht tenderët e fituar me kompaninë “All Zone” dhe kompanitë e tjera të kësaj familje të ndërlidhura me mashtrimin e komunës kur iu shit kamioni i zjarrfikësve për afro 30 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut, tenderët e kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni si dhe kompanisë “ABC’ nga Podujeva.
Hulumtimi shpërfaqë se si në dy raste, Komuna e Prishtinës ka shpërfillur tërësisht ligjet në fuqi duke u dhuruar asete publike kompanive që ose kanë qenë të lidhura me kryetarin e komunës ose kanë qenë financuese të LDK-së.
Kryetari Mustafa nuk i qëndroi larg licencës së radio-taksive. Në vitin 2010, Komuna e Prishtinës dha leje pune për radio-taksin, “City Taxi”, pronarë të së cilës ishin Burim Hasani e Gëzim Idrizi. I pari është nga familja Fona, prej nga është edhe Isa Mustafa, dhe nip i Hazbi Hasanit, i cili ishte ortak me djalin e madh të Mustafës, Arbenin në kompaninë, “Intereuropa Kosova L.L.C.”, përderisa i dyti, vozitës i tashëm i kryetarit Mustafa.
ÇOHU! dhe QKGH-ja kanë gjetur se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë hise në tenderët publik, por ka edhe nga ata që janë favorizuar për më shumë se një dekadë, siç është rasti i “AMM”, pronë e Gezim Salihut dhe Ahmed Kurtollit, që për LDK-në dha një donacion prej 950 eurosh. AMM-ja është një kompani e favorizuar nga Komuna e Prishtinës, pasi që ajo që nga viti 2000 mban monopolin e vendosjes së reklamave në kryeqytet, derisa kontrata mbi të cilën ajo punon mbahet si top-sekret nga Komuna e Prishtinës.
Lista e kompanive që përfitojnë nga buxheti komunal, që asnjëherë nuk është nën 57 milionë euro për vit, është e mbushur me kompani financuese të PDK-së. Kështu, nga shuma e nxjerr nga Preportr, del se financuesit e PDK-së nga kjo vlerë prej 100 milionë, kanë marrë mbi 8 milionë euro, kurse kompani të cilat në një formë apo tjetër janë të lidhura me PDK-në, kanë marrë mbi 5.7 milionë euro.
Në përgjithësi, hulumtimi ka gjetur se në këta tenderë prijnë kompanitë që në një formë kanë konteste me komunën si dhe kompanitë e ndërlidhura me PDK-në. Por këtu kanë përfituar edhe kompanitë e lidhura me kryetarin Mustafa, sikur te licencat e taksive, si dhe kompani që kanë financuar fushatat elektorale të LDK-së, siç është kontrata me AMM-në.
Konferencë për medie: Publikimi i numrit të VII-të i magazinës Preportr
Nga ky hulumtim nxirret se afro 36 milionë euro, nga vlera totale prej afro 100 milionë eurosh, që janë hulumtuar, Komuna e Prishtinës i ka ndarë për kompani që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të, ose komuna ka vazhduar për t’u dhënë tenderë kompanive për të cilat u nisën hetime për korrupsion