Eksperti i jashtëm në rastin e zjarrit në RTK ka konstatuar njëanshëm, me presupozime, se në RTK nuk ka pasur zjarrvënje, por zjarri ka qenë i shkaktuar nga brenda. Ky deklarim i ekspertit është dhënë për mediat pa pasur një raport nga ekzaminimet e bëra. I pyetur nga “Preportr”, eksperti Ruzhdi Sefa ka thënë se nuk ka akoma një raport nga ky rast, por ai nuk ka hezituar të martën të japë një deklaratë të njëanshme që përjashton mundësinë e një zjarrvënje të qëllimshme në RTK.

Në këtë rast, sikur edhe në rastin Dino Asanaj, të ashtuquajturit ekspertë,  dalim me deklarata për media pa pasur një raport ekspertize që do ta tregonte me evidenca dhe analiza atë që ka ndodhur.  Në të vërtetë, ekspertët nuk do duhej fare të komunikonin me median me deklarata. Ata përgatisin raporte mbi evidencat që kanë gjetur në vendin e ngjarjes, por, madje, as nuk arrijnë konkludime përfundimtare në raportet e tyre. Ata thjesht interpretojnë evidencat dhe gjetjet në terren pa pasur një përfundim mbi ngjarjen. Për më tepër, ekspertët nuk mund të konkludojnë para ekzaminimit të provave materiale. 

Ekspertët e balistikës kanë të bëjnë ekskluzivisht me prova materiale, të cilat gjinden në vendin e ngjarjes. Këto prova duan interpretim teknik. Ta zëmë për shembull, në rastin e RTK-së, një ekspert duhet të kontrolloj gjendjen fizike të instalimit elektrik, proces i cili mund të japë vetëm një pjesë të përgjigjes, por kurrsesi tërë përgjigjen. 

Në rastin e RTK-së, eksperti Ruzhdi Sefa ka thënë këtë: “Jo veç unë po edhe ekipi në përbërje kemi konstatuar se nuk ka zjarrvënie, por burimi i zjarrit është brenda përbrenda objektit. Në bodrumin aty ku janë materialet e arkivuara, nuk dyshohet për zjarrvënie. Këto janë rezultat i defekteve të mundshme të instalimeve të brendshme, megjithatë rrymës nuk i dihet asnjëherë”.

Është shumë e qartë se këtu kemi të bëjmë me një presupozim të bazuar në paragjykime të ekspertit. Së pari, thuhet nuk dyshohet për zjarrvënje, por në të njëjtën deklaratë thuhet se “zjarri mund të jetë rezultat i defekteve të mundshme të instalimeve të brendshme”. Pra këtu jemi duke folur për një gjetje që nuk bazohet në prova materiale, por thjesht mundësisë se kjo mund të jetë shkaktuar nga zjarri i jepet përparësi nga eksperti. Ai bëhet edhe më brutal kur thotë “rrymës nuk i dihet kurrë”, duke treguar se ai praktikisht e ka pasur të para-caktuar konkludimin se zjarri ishte shkaktuar nga rryma. 

Së dyti, pjesa tjetër e deklaratës tregon për një mungesë të ekspertizës në këtë fushë kur thuhet se “burimi i zjarrit është nga brenda”, një deklarim shumë i çuditshëm duke qenë se fizikisht është e pamundur të ndodhë një zjarri i tillë nga jashtë, sepse ajo që  dihet tashmë është se të martën, RTK-ja nuk u godit nga ndonjë rrufe apo bombë që zjarri të vinte nga jashtë.

Në rastin e RTK-së, sikundër edhe në rastin Dino Asanaj, kemi pasur ekspertë që luajnë rolin e hetuesit, prokurorit, gjykatësit. Në anën tjetër, mënyra si angazhohen këta ekspertë është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që të sigurohet pavarësia financiare e tyre, për të pasur një ekspertizë të pavarur.