Programet
Preportr

Vendet e rezervuara në UP

Familjarët e kategorive të dala nga lufta për vite me radhë u regjistruan në Universitetin e Prishtinës, pa asnjë kriter vlerësues. Këto regjistrime janë bërë në bazë të disa memorandumeve bashkëpunimi në mes të Rektoratit të UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta. Nuk ka shifër se sa studentë janë regjistruar me këtë praktikë. Listat me emra të kandidatëve që janë pranuar që nga viti 2007 janë me mungesa bazike të të dhënave gjë e cila ka lënë hapësirë për keqpërdorim. Vendimi i rektorit të ri për hedhjen poshtë të këtij bashkëpunimi është përcjellur me reagime të shumta

Foto nga: Besnik Boletini

Pas luftës statusin e studentit e morën mijëra vetë, ndonëse nuk kaluan provimin pranues. Familjarët e kategorive të luftës regjistroheshin në Univeristetin e Prishtinës, me dokumentin që merrnin nga shoqatat e dala nga lufta si vërtetim që i përkasin këtyre kategorive. Kandidatët i nënshtroheshin formalisht testit pranues sepse ata pranoheshin në fakultet pavarësisht rezultatit që arrinin në provimin pranues.

Kur në krye të universitetit erdhi Ibrahim Gashi, në vitin 2013, forma e aplikimit për regjistrim të këtyre kategorive ndryshoi. Gashi kishte kërkuar nga shoqatat që të formulonin një listë ku do të përfshiheshin të gjithë kandidatët për studentë, si formë për t’i ikur pranimit sporadik të këtyre kategorive. Si rezultat dy vite me radhë shoqatat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dërgonin listë në Rektorat të Universitetit të Prishtinës,  ku përfshiheshin kandidatët për studentë, familjarë të kategorive të luftës. E këta të fundit nuk merrnin as mundin më të vogël që t'i verifikonin këto lista. Ishin shoqatat e dala nga lufta ato që kishin fjalën e fundit me rastin e përpilimit të listës se kush nga këto kategori mund të regjistrohet në UP.

Pranimi i studentëve si kategori e luftës është bërë që nga viti 2005 duke u thirrur në memorandume të arritura me organizatat e dala nga lufta. Memorandume  këto që u jetësuan përvitshëm e që nuk kanë as mbështetje në ligjet e arsimit apo në vet Statutin e UP-së. Bazuar në këto memorandume kandidatët hyjnë në teste pranuese dhe pavarësisht a tregojnë rezultate të mira, emrat e tyre dërgohen në rektorat për regjistrim nga shoqatat e luftës.

Memorandumi i parë në këtë nivel bashkëpunimi u realizua në vitin 2005 në kohën kur për pak muaj ishte rektor Arsim Bajrami. Në bazë të këtij memorandumi kategoritë e luftës dhe familjarët e ngushtë të tyre do të ndihmoheshin nga universiteti në regjistrim, në ofrimin e lehtësirave financiare, mbështetje me bursa, literaturë falas etj.

Memorandumi i tillë nuk u zbatua në të gjitha pikat vetëm gjatë periudhës 2007-2009, kur Enver Hasani ishte rektor i UP-së. Atëbotë Hasani kishte vendosur që në fakultetet apo në degët më të ndjeshme si Arkitekturë në Fakultetin Teknik, Mjekësi dhe Filozofik të mos regjistrohen studentë që nuk tregojnë nivel të lartë në testin vlerësues.

Memorandum i ri, kritere të njëjta

Kjo praktikë regjistrimi në universitet pavarësisht kritereve, për familjarët e kategorive të luftës, është vënë sërish në jetë me t’u bërë rektor Mujë Rugova. Në vitin 2009 ai kishte nënshkruar një memorandum të ri bashkëpunimi me shoqatat e luftës, memorandum i cili është zbatuar deri në vitin 2014.

Në bazë të këtij memorandumi Universiteti i Prishtinës, merr për obligim për të ndihmuar familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës dhe fëmijët e invalidëve dhe veteranëve të luftës në regjistrim si studentë të rregullt dhe me korrespodencë, në lirimin nga pagesa e semestrave, mbështetje për bursa etj. Pra ky memorandum nuk përfshinë familjet e invalidëve dhe veteranëve por vetëm fëmijët e tyre. Pika e tretë e këtij memorandumi thotë se OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, obligohen për dërgimin e listave të studentëve të kategorive të lartcekura, që do të përfitojnë nga ndihmesat e UP-së.

Edhe në këtë memorandum, sikur edhe në atë paraprak, parashihet vetëm ndihmesa në regjistrim e kategorive por jo regjistrimi me automatizëm. Këtë hapësirë në këto memorandume edhe ashtu pa bazë ligjore e shfrytëzuan shoqatat e dala nga lufta të cilat çdo vit kanë regjistruar numër të madh të studentëve që nuk kanë treguar rezultat në test pranues.

Xhavit Jasharit nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së,  thotë se asnjë student nuk është regjistruar me automatizëm. Sipas tij   të gjithë i janë nënshtruar testeve. 

Përderisa, Fadil Shurdha, nga Shoqata e Invalidëve, pranon që para vitit 2014 universiteti i ka regjistruar të gjithë kandidatët që kanë qenë në listat të cilat shoqatat i kanë dërguar në Rektorat, pa kaluar asnjë prag.

Për më tepër Rektorati asnjëherë nuk kishte verifikuar as edhe një listë që kishte pranuar nga këto shoqata, për të parë se a i takojnë të gjithë kandidatët kategorive të luftës.

Sipas Shkelzen Gashit, studiues i shkencave të historisë shoqatat i kanë fryrë listat të cilat i kanë dërguar në Rektorat, ndërsa shprehë bindjen që krerët e shoqatave  të dala nga lufta kanë manipuluar dhe përfituar me listat në fjalë.

"Jam thellë i bindur që drejtuesit e këtyre shoqatave kanë bërë keqpërdorime të mëdha me këto lista duke regjistruar njerëz që nuk kanë kurrfarë lidhje me këto kategori, kryesisht me të holla, por nuk përjashtohen edhe forma tjera", thotë Gashi.

Por Xhavit Jashari, thotë se të gjithë kandidatët që i janë propozuar UP-së kanë qenë familjarë të kategorive të luftës. "Secili fëmijë që ka dashur të regjistrohet në fakultet ka ardhur te ne, ka treguar emrin, mbiemrin dhe kategorinë që i përket dhe ne i kemi konfirmuar këto të dhëna në bazë të dokumenteve që posedojmë", thotë Jashari.

Fadil Shurdha, poashtu thotë se nuk ka pasur asnjë keqpërdorim në listat që shoqata që ai drejton i ka dërguar në universitet publik. "Unë ju kam ofruar që për të gjithë personat që gjenden në listë të bëhet verifikimi për secilin veç e veç dhe ju kam ofruar edhe vërtetimet që prindërit e tyre janë invalidë të luftës prej Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nuk ka pasë asnjë parregullsi, të gjithë ata që kanë qenë në listë janë fëmijë të invalidëve", thotë Shurdha.

Listat e dërguara nga shoqatat me mungesa bazike të të dhënave

Se sa ka qenë joserioz dhe i pakontrolluar regjistrimi i kandidatëve për studentë në UP, që janë dërguar nga shoqatat, tregon fakti se as shoqatat në fjalë e as rektorati nuk i posedojnë shifrat e kandidatëve të pranuar ndër vite. Sekretari i Përgjithshëm i Rektoratit, Esat Kelmendi, ka thënë për Preportr, se nuk ka shifra në Rektorat lidhur me numrin e studentëve që janë regjistruar në UP në bazë të këtyre memorandumeve. As shoqatat e luftës nuk na treguan numrin e studentëve që janë pranuar në UP, duke thënë se këto shifra duhet t'i ofrojë Rektorati.

Preportr, ka siguruar vetëm disa lista  me emrat e studentëve që janë pranuar nga Rektorati i UP-së nga viti 2007 deri në vitin 2014. Këtu duhet përmendur se këto lista janë sporadike dhe nuk janë lista të kompletuara, prandaj edhe shifrat që paraqiten nuk janë shifra totale e studentëve që u pranuan.

Në bazë të këtyre listave që Preportr, arriti t’i sigurojë si rezultat i memorandumeve janë regjistruar 2686 studentë.

Listat e siguruara kanë mangësi elementare të të dhënave duke filluar nga mungesa e emrave të prindërve, pastaj mungesa e përshkrimit të departamentit dhe fakultetit ku aplikuan, mungesa e përshkrimit të statusit se ciles kategori i takojnë si dhe vendit të lindjes.

Nga 2686 kandidatë për studentë, 927 prej tyre nuk e kanë të përshkruar fare emrin e prindit. Gjithashtu 22 studentë nuk e kanë të përshkruar as fakultetin ku janë regjistruar, ndërsa departamentin nuk e kanë të specifikuar  281 studentë.

Nga të dhënat që figurojnë në lista, Fakulteti Ekonomik prinë në numrin e studentëve të pranuar, për të pasuar me Fakultetin e Edukimit e të Mjekësisë.

Problemi kryesor në këto lista është se vetëm 276 nga 2686 studentë e kanë të përshkruar statusin të cilit i takojnë, edhe në rastet kur statusi ka qenë i plotësuar është shënuar vetëm me shkurtesë psh. F.D, F.V që nuk kuptohet a është fjala për fëmijë apo familjarë të këtyre kategorive.

Meqenëse në asnjërin memorandum nuk është e përshkruar qartë kush nga familjarët e kategorive përfiton në UP, Preportr në rastet kur është shënuar shkurtesa F.D, F.V ose F.I ka llogaritur se bëhet fjalë për familjarët e tyre.

Nga këta 276 studentë ,192 kanë deklaruar se mbajnë statusin e familjarëve të veteranëve, 86 familjarë të dëshmorëve etj. Preportr, pasi ka kontrolluar mirë listat ka gjetur se janë regjistruar edhe kategori të cilat nuk janë të parapara në memorandume. Fjala është për fëmijë të invalidëve civil, fëmijë të të vrarëve civil, invalidë civil dhe familjarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB)

Poashtu vetëm 1050 studentë e kanë të përshkruar vendin e lindjes. Qytetet që prijnë për nga numri i studentëve që janë regjistruar me këtë bashkëpunim janë Drenasi dhe Skenderaj.

Këto lista gjysmake si dhe me mungesë të të dhënave elementare pamundësojnë çfarëdo përpjekje për analizim të këtyre të dhënave e sidomos për verifikim.

Nëse një kandidat për student nuk e ka fare emrin e prindit, si do të vërtetohet se ai është i biri/bija e dëshmorit, invalidit të luftës apo veteranit?!

Nuk paguajnë semestrin, ushqimin as qëndrimin në QS

Këto memorandume përveç regjistrimit në UP, kategoritë e luftës dhe familjarët e tyre i kanë liruar edhe nga pagesat e semestrit. Asnjëra palë që kishte nënshkruar memorandumet nuk ka shifra sa studentë janë liruar nga semestri në saje të këtij bashkëpunimi. Shoqatat thonë se studentët kanë aplikuar invidualisht për lirim nga semestri kështuqë Rektorati duhet të ketë shifrën totale të studentëve të liruar. Ndërsa në Rektorat thonë se  nuk kanë statistika sepse edhe kategori të tjera sociale janë liruar nga pagesa e semestrit rrjedhimisht ka qenë e vështirë për të bërë diferencimin.

Këto kategori kanë përfituar edhe nga Qendra e Studentëve. Kjo e fundit ka liruar nga pagesat për banim dhe ushqim invalidët e luftës së UÇK-së, fëmijët e dëshmorëve, fëmijët e invalidëve të luftës (me shkallë invaliditeti 40% e më lart) dhe veteranët e luftës.

Shyhrete Abdullahu, zyrtare për informim në QS, tregon se kjo qendër ka pasur bashkëpunim me selinë qendrore të shoqatave të dala nga lufta që nga viti 1999. "Ky bashkëpunim është formalizuar me memorandumin e vitit 2009 në mes të Qendrës së Studentëve, MASHT-it dhe shoqatave të dala nga lufta", thotë Abdullahu.

Numri i studentëve nga kategoritë e luftës që kanë përfituar qëndrim në konvikte dhe ushqim në menzë pa pagesë sipas QS është rreth 450 studentë  në vit.

Nëse marrim si shembull vitin 2013 me një llogaritje të shpejtë mund të shohim se një student i rregullt i nivelit bachelor nga këto kategori i ka kushtuar UP-së 300 euro në vit vetëm nga lirimi për pagesën e semestrit. Nga lirimi prej pagesës për ushqim në menzë, një student i ka kushtuar  Qendrës së studentëve  270 euro në vit ndërsa për qëndrim në konvikt 360 euro në vit. Kjo llogaritje është bërë duke ditur se studentët gjatë vitit 2013 kanë paguar 50 euro për semestër, 40 për banim dhe 30 për ushqim. Duke mbledhur lirimin nga pagesa e semestrit, ushqimit dhe banimit, del që një student i ka kushtuar diku 930 euro buxhetit të Kosovës për një vit akademik.

Rektori i ri shfuqizoi memorandumin

Për herë të parë prej vitit 2005 kategoritë e dala nga lufta dhe familjarët e tyre hasën problem për t’u regjistruar në Universitetin e Prishtinës. Rektori i ri i UP-së, Ramadan Zejnullahu në vitin akademik 2014/15 mori vendim që asnjë student të mos regjistrohet në këtë universitet pa kaluar testin pranues, duke hedhur poshtë bashkëpunimin që ka ekzistuar në mes të UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Rreth 1000 ishte numri i kandidatëve për studentë që shoqatat e luftës kishin përfshirë në listën për regjistrim në UP këtë vit akademik. Vendimi që ktheu prapa këta kandidatë që nuk plotësuan kriteret për regjistrim në UP, irritoi shumë shoqatat e dala nga lufta, të cilat për vite me radhë kishin dërguar lista me familjarë të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së për regjistrim në universitetin publik, lista të cilat aprovoheshin pa asnjë verifikim nga ana e UP-së.

Oborri i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, që nga marrja e këtij vendimi u bë vendi ku vazhdimisht protestuan shoqatat e dala nga lufta bashkë me familjarët e kategorive të luftës që nuk fituan statusin e studentit. Në këto protesta më të instrumentalizuarit ishin kandidatët për studentë të cilët pretendonin se pavarësisht që në test nuk kishin marrë pikët e nevojshme, duhej ta merrnin statusin e studentit. Për këtë insistim, bazë i kishin vitet e kaluara kur regjistrimi i këtyre kategorive nuk u diskutua asnjëherë, por të gjithë ata që gjendeshin në listën e shoqatave të UÇK-së pranoheshim me automatizëm në cilin drejtim kanë dashur.

Kësaj here çështja doli ndryshe. Rektorin e mbështetën ish-kryeministri, kryeministri i tashëm, ish-komandantë zonash, analistë e profesorë universitar. Në të gjitha debatet e shtruara për këtë çështje të gjithë ishin të një zëri se duke i regjistruar këta fëmijë në këtë formë më së paku u ndihmohej atyre.

Edhe njohës të çështjes së arsimit, por edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, dolën kundër regjistrimit me automatizëm. Ata deklaruan se kësaj kategorie duhet që t’i ofrohet çfarëdo ndihme tjetër, përveç regjistrimit me automatizëm, pasi që një regjistrim i tillë e dëmton sistemin arsimor dhe vetë këta kandidatë për studentë. Kjo u argumentua me faktin se nëse një nxënës e di që nga shkolla e mesme që do të regjistrohet në drejtimin që dëshiron, nuk do të ketë motiv për t’u përgatitur për provim pranues.

Gjithashtu u kërkua që të bëhet një kategorizim edhe tek përfitimet që marrin studentët, sepse nuk mund të konsiderohet njëjtë një fëmijë i një veterani dhe një fëmijë i një dëshmori, për faktin se ky i dyti është rritur në kushte jo të barabarta.

Në përballje me rektorin të vetme mbetën shoqatat e luftës  që kërkonin me ngulm pranimin e të gjithë kandidatëve, emrat të cilëve i kishin dërguar në rektorat. Rektori iu ofroi ndihmë në regjistrim vetëm fëmijëve të dëshmorëve të luftës, të cilët gëzuan pesë pikë bonus por gjithsesi që të pranoheshin si studentë në universitet duhej edhe t'i nënshtroheshin testit pranues dhe të kalonin pragun minimal prej 30%.

Padi për rektorin

Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, thotë se rektori Zejnullahu ka shkelur memorandumin  dhe për këtë e ka paditur atë  në gjykatë dhe tani janë duke e pritur vendimin e saj.

"Palët nënshkruese obligohen të respektojnë memorandumin, në qoftë se dikush dëshiron ta prish memorandumin duhet ta lajmërojë palën tjetër në afat minimal një muaj para se të ndodhë prishja e kësaj marrëveshje. Mjerisht një pjesë e këtyre studentëve kanë mbetë pa u regjistruar e çka është më e keqja pas zhgënjimit që e kanë marrë nga këto institucione shumica e tyre kanë marrë rrugën e migrimit", thotë  Jashari.

Edhe Fadil Shurdha nga Shoqata e Invalidëve të UÇK-së, ka kundërshtuar vendimin e rektorit për mosrespektim të memorandumit. Ai thotë se në memorandum thuhet se të gjithë invalidët dhe fëmijët e invalidëve të luftës të cilët aplikojnë regjistrohen dhe nuk ka pasur prag të caktuar nga universiteti. 

"Por këtë vit na është kërku që ata studentë që nuk do ta kalojnë pragun nuk do të jenë në atë fakultet ku kanë aplikuar por në ndonjë fakultet tjetër, por as ajo nuk ndodhi", thotë Shurdha.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), pati mbështetur rektorin Zejnullahu në vendimin e tij për ndërprerjen e regjistrimeve pa kritere në Universitetin e Prishtinës.

"Përkrahim fëmijët e dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta duke u krijuar lehtësira gjatë vendosjes në konvikte, ndarjes së bursave, lirimit nga taksat dhe pagesa e semestrave si dhe abonimit në mensë, lirimi i pagesës në transport publik, shërbimet shëndetësore etj., por fuqishëm e kundërshton regjistrimin në bazë të automatizmit duke e shkelur konkursin", thuhej në komunikatën e KMDLNJ-së.

Analisti Shkelzen Gashi, mendon se kërkesat e shoqatave të luftës janë të padrejta dhe se regjistrimi i studentëve në UP duhet të bëhet në bazë të kritereve. "Pranimi i këtyre studentëve e ka përkeqësuar gjendjen edhe ashtu fort të rëndë në UP. Fëmijët e dëshmorëve dhe të invalidëve duhet të kenë përparësi, si për shembull: lirim nga pagesa e semestrit, lirim nga pagesa e materialeve mësimore (libra, skripta), pastaj bursa mujore, e me radhë, sepse duhet t’i nderojmë maksimalisht ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Por, regjistrimi i këtyre fëmijëve duhet të jetë sikurse edhe i të gjithë fëmijëve tjerë", thotë Gashi.

  • Antikorrupsion

  • Aktivitete

    20 Qershor '24

    Call for Proposals for the SELDI Small Grants Programme

    The Macedonian Center for International Cooperation (MCIC), on behalf of the Southeast Europe Leadership for Development and Integrity (SELDI), is launching the regional Call for...

  • Hulumtime

    20 Nëntor '20

    Pandemi në Gjyqësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën shtator 2019 – gusht 2020

  • Hulumtime

    23 Prill '20

    Keqpërdorimi në prokurim publik

    Meqenëse prokurimi publik vazhdon të mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme në proceset publike të shpenzimit të parasë publike, Organizata Çohu! gjatë periudhës njëvjeçare të...

  • Hulumtime

    18 Nëntor '19

    Qasja në drejtësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën tetor 2018 – shtator 2019

  • Qeverisja e Mirë

  • Aktivitete

    7 Nëntor '22

    Pyetësor: Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë

    Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, janë duke realizuar një hulumtim lidhur me procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë...

  • Hulumtime

    13 Qershor '22

    Përgjegjësia Disiplinore e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

    Organet kompetente të vendit kanë ndërmarrë një sërë hapash për reformimin e drejtësisë, me qëllim të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, si dhe të...

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Ajri i ndotur, degradimi i hapësirave të gjelbra, dëmtimi i shtretërve të lumenjve si dhe gjendja e deponive të mbeturinave janë disa probleme të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë të dukshme në...

  • Hulumtime

    25 Janar '22

    Online Media Monitor

    Raporti i monitorimit të mediave online janar 2020 - dhjetor 2021

  • Privatizimi

  • Reagime

    23 Dhjetor '16

    Reagim: Degradimi dhe shkatërrimi i PTK-së nga politika

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë më të cilin Post-Telekomi i Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për...

  • Hulumtime

    22 Qershor '15

    PTK: Nga agimi deri në muzg

    Raport hulumtues: Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës: Ky raport hulumtues ofron një ekzaminim të detajuar mbi zhvillimet dhe shkaqet kryesore që çuan në rënie të vazhdueshme dhe siç duket të...

  • Hulumtime

    19 Prill '13

    ACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real!

    Shitja e 75% të aksioneve të PTK-së, ka nxjerr lakuriq tendencën e Qeverisë që telekomin kosovarë t’ia jap kompanive ndaj të cilave kishte kusure të pashlyera. Qeveria me...

  • Hulumtime

    29 Tetor '12

    2017: Viti i Kolapsit Energjetik

    Bazuar në parametrat e tanishëm, Kosova do të ballafaqohet me një kolaps energjetik në vitin 2017. Vendi, tani për tani, nuk ka plan alternativ për furnizim me energji në rast se ndërtimi i...

  • Peportr

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Në këtë video pasqyrohen dëmet mjedisore që janë shkaktuar ndër vite në Kosovë. Fokusi i kësaj përmbledhje është gjendja aktuale në deponitë...

  • Hulumtime

    4 Nëntor '21

    Pasojat e hidrocentraleve

    Ndërtimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë ka shkaktuar pasoja të shumta buzë lumit, në rrjedhën e lumit qasjen në lumë....

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Fati i zi i Drinit të Bardhë

    Për vite me radhë, kompani të shumta kanë nxjerrë rërë dhe zhavorr nga Drini i Bardhë. Eksploatimet e tyre ilegale jo vetëm që shkatërruan hektarë...

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Degradimi i Drinit të Bardhë

    Mbi një mijë hektarë të Drinit të Bardhë u dëmtuan nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, për vite me radhë. Dënimet e vogla,...