Programet
Preportr

Na e prishim edhe gurin

Intervenimi në pesë objekte të trashëgimisë kulturore, tregon për qasjen jo serioze që shteti i Kosovës e ka ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore. Ato janë punuar nga kompani ndërtimore, të cilat këtyre lokaliteteve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore nuk u kanë lënë asgjë nga autenticiteti

Një ndër fushat më të ndjeshme dhe të rëndësishme që paraqet identitetin e një populli, ajo e trashëgimisë kulturore, në Kosovë për një kohë të gjatë është lënë në duar të kompanive ndërtimore. Ato, kudo që kanë punuar kanë bërë dëmtime të mëdha në objekte të trashëgimisë kulturore, sa duket që edhe me investime të tjera nuk do të ketë kthim mbrapa për shumë vlera të këtyre objekteve.

Ndërhyrja më brutale e kësaj natyre është bërë në Hamamin e Madh të Prishtinës, dhe në Kalanë e Harilaqit në Fushë Kosovë. Ajo çka shihet sot, pas një investimi të madh në këto objekte është shpërfytyrimi që u është bërë atyre. Preportr, është fokusuar në pesë objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore, kalanë e Prizrenit, Pogragjës, Harilaqit,Hamamin e Madh të Prishtinës dhe atë të Gazi Mehmet Pashës në Prizren, ku dëmet që janë bërë në objektet në fjalë janë evidente. Gjendja e kalave është e trishtueshme. Kalaja e Harilaqit e rënë për toke, me mure të rrëzuara e gurë lyer me çimento e të shkapërderdhur gjithandej, të japin përshtypjen se ka ndodhur një termet. As në kalatë e Prizrenit dhe Pogragjës gjendja nuk është më e mirë, pasi që ka mure të rrënuara dhe kjo për pasojë se tek të gjitha është përdorur e njëjta mënyrë e punës. Ndërsa dy hamameve nuk iu ka mbetur pothuajse asgjë nga autenticiteti e asnjë yndyrë antikiteti.

Pesë-gjashtë vjet pas kryerjes së këtyre punimeve, Ministria e Kulturës, është detyruar që këtë vit të intervenojë sërish, në disa prej tyre kurse në Hamamin e Madh të Prishtinës, janë ndërprerë punimet në kërkim të një përgjigje se çfarë të veprohet më tutje me këtë projekt. 

Këto objekte janë dëmtuar për faktin se tenderët iu kanë dhënë kompanive joprofesionale, të cilat restaurimin dhe konservimin e kanë parë si një proces ndërtimor të rëndomtë, dhe mundësi të mirë fitimi, e jo si një punë të veçantë. Edhe më skandaloz është fakti se kompanitë që janë kontraktuar nuk janë fare të licencuara për restaurim dhe konservim. Duke marrë parasysh që këto kompani nuk kanë qenë profesionale në këtë fushë, por vetëm në atë të ndërtimit, ato kanë përdorur çimento gjatë punës së tyre, material që ka ndikuar më së shumti në dëmtimin e kalave dhe objekteve tjera të trashëgimisë kulturore. 

Preportr, ka kontaktuar me ekspertë me përvojë të fushës së restaurimit dhe konservimit dhe ata kanë thënë se është krejtësisht amatore të përdoret çimento gjatë procesit të restaurimit dhe konservimit, kjo për faktin se çimentoja vetëm e thith ujin dhe nuk e lëshon dhe kur ka temperatura të ulëta çimentoja është jorezistuese. Ata thonë se në vend të çimentos, duhet të përdoret gëlqere speciale, e cila e merr dhe e lëshon ujin. 

Pa asnjë kriter profesional 

Hulumtimi i Preportr, por edhe të gjitha dokumentet e siguruara, dërgojnë në një konkluzion, se intervenimi në objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore është bërë pa projekte të mirëfillta (Kalaja e Harilaqit), ose gjatë rrugës ka pasur devijim nga projekti (Hamami i Madh i Prishtinës). 

Dokumentet poashtu tregojnë se edhe mbikëqyrja e projekteve, sidomos atyre që janë kryer nga kompani ndërtimore, nuk ka qenë në nivelin e duhur. Madje, ka pasur një përplasje mes kompanive dhe ekspertëve (sidomos arkeologëve dhe arkitektëve) për punimet që bëheshin, pa respektuar kriteret se si duhet qasur aseteve të trashëgimisë kulturore, në këtë rast madje duke përdorur material dhe makineri joadekuate, siç është çimentoja kur është fjala për material ose ekskavatori kur është fjala për makineri.  

Gjashtë vjet pas intervenimit, ende nuk ka përgjigje se interesi i kujt, ose për çfarë është bërë gjithë kjo shpërfillje kriteresh bazike dhe ky dëmtim, jo vetëm në objekte por edhe në aspektin financiar. Megjithatë zërat dhe dyshimet janë të shumta, duke filluar që gjithë dëmtimet sidomos në Hamamin e Prishtinës, janë bërë kryesisht për përfitime materiale.

Sot e asaj dite nuk dihet se kush e mori vendimin që për konservimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të shpallet tender, kur dihet se kjo është një fushë shumë specifike që kërkon ekspertizë specifike dhe që në Kosovë nuk ka asnjë kompani që i plotëson kushtet.  Tenderët i  fituan kompanitë ndërtimore, ndërsa kriter bazë ka qenë çmimi më i ulët, e jo profesionalizmi në fushën ku do të kryheshin punimet. Një veprim i tillë ka qenë kundërligjor, Ligji për Trashëgiminë Kulturore specifikon se punët konservuese dhe restauruese në lidhje me trashëgiminë kulturore bëhen nga institucioni kompetent dhe personat juridikë dhe fizikë, të licencuar nga ministria. Obligimin ligjor për licencim të kompanive dhe arkeologëve por edhe stafit tjetër që merren me trashëgimi kulturore, Ministria e Kulturës nuk e ka kryer ende. Ligji për Trashëgiminë Kulturore, është në fazën e ndryshimit dhe plotësimit dhe ende nuk ka shkuar në Kuvend. 

Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Alban Bakija, i jep një dimension krejt tjetër intervenimit që bëhet në objekte të trashëgimisë kulturore. Ai mendon se mënyra qysh investohet në trashëgimi kulturore, ka konotacion politik, orientim politik. 

“Mendoj që ka qenë njëfarë tendence e politikës me dëshmu diçka, të cilën më së miri ndoshta ju ka konvenu që me dëshmu përmes kujtesës që e kemi për të kaluarën, një të kalume të largët që është trashëgimia arkeologjike. Unë mendoj që më e mira është mos ta kishim prek hiç, e kishim ruajtur për gjeneratat e ardhshme”, thotë ai. 

Kështjella e Rozafatit!

Kalaja e Harilaqit nuk i ka përmasat e Kështjellës së Rozafatit, është shumë më e vogël. Por del të jetë po aq problematike, ashtu siç na tregon legjenda për Rozafatin. Punimeve atje nuk po u dihet fundi. Pothuajse çdo punë që është bërë, në konservimin e saj, po duhet të kryhet për së dyti. Ekipi i Preportr, e ka vizituar këtë kala në pranverën e këtij viti. Pamja ishte goxha e keqe. Pjesa më e madhe e objekteve edhe pse të konservuara ishte e mbuluar me gjeotekstil, një material ky që nuk i lë objektet e lokalitetet e trashëgimisë të dëmtohen nga kushtet atmosferike dhe të mbulohen nga shkurret. 

Nën material, “dergjej”, një kala qindravjeçare dhe sipas njohësve të fushës së trashëgimisë me vlera të pakrahasueshme, e vetmja e këtij lloji në gjithë Evropën Juglindore. Shumë pjesë të saj kishin rënë  përtokë, ndërsa gurët ishin shkapërderdhur gjithandej. 

Për dëmtimet që kanë ndodhur atje askush nuk mund ta thotë me saktësi se faji i kujt është meqenëse, vulën këtyre dëmtimeve ua ka dhënë një kompani ndërtimore. Përveç punës në këtë lokalitet, janë shpenzuar edhe shumë para, disa janë dhënë nga Ministria e Kulturës e disa të tjera nga Komuna e Fushë Kosovës.  Për konservimin e kalasë janë dhënë 15 mijë euro nga Komuna e Fushë Kosovës. Kurse në vitin 2009 tenderi për konservimin e kësaj kalaje, Ministrisë së Kulturës, i ka kushtuar 74 mijë e 400 euro. Punimet në këtë kala  u  kryen nga kompania ndërtimore “Arting”, nga Gjakova.

Konservimi i Kalasë së Harilaqit, është bërë bazuar në një projekt preliminar restaurimi dhe rivlerësimi që ishte bërë nga një arkitekt restaurator nga Shqipëria, Reshat Gega. Ai e kishte bërë këtë projekt restaurimi jo shumë mirë të detajizuar në bazë të të cilit, pastaj Ministria e Kulturës, kishte shpallur tender. Zyrtarë të kësaj të fundit thonë se kishin hezituar që të shpallin tender mbi këtë dokument i cili sipas tyre ishte i padetajizuar, i porositur nga Komuna e Fushë Kosovës. Në ministri flitet se si u ishte bërë presion që të shpallin tenderin bazuar në këtë projekt

Pastaj edhe dokumentet e tjera tregojnë se një ekip i Institutit Arkeologjik, i përcaktuar nga Ministria e Kulturës për mbikëqyrje, edhe pas dy javësh të fillimit të këtyre punimeve nuk kishin vendimin ligjor nga Zyra ligjore e MKRS-së për vëzhgimin e veprimtarisë në kala. Ky ekip për këtë e kishte njoftuar Ministrinë e Kulturës. 

Më vonë ishte caktuar një komision tjerër profesional në përbërje të Enver Rexhës, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Haxhi Mehmetaj, arkeolog nga Instituti i Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës si dhe Lindita Cervadiku konservuese po nga ky institucion, që ta bëjnë vlerësimin e punimeve në konservimin e kësaj kalaje. Të lartpërmendurit, në këtë dokument kishin sugjeruar që gjatë konservimit të këtij lokaliteti të këtë mbikëqyrje permanente nga ekspertë të fushës së trashëgimisë. 

“Meqë Kalaja e Harilaqit konsiderohet si një ndër kalatë më të rëndësishme të antikitetit, jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropën Juglindore dhe me qëllim të mbarëvajtjes së punimeve profesionale, komisioni në fjalë rekomandon: Mbikëqyrje permanente nga një konservues i gurit, i cili në bashkëpunim të ngushtë me arkeologët, sidomos Muzeun e Kosovës dhe Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës do të japë sugjerimet profesionale për vazhdimin e implementimit të projektit në fjalë”, thuhet në këtë raport. 

Pas këtij raporti ka një shkëputje. Preportr e ka shikuar dosjen e kompletuar të tenderit por nuk ka parë raporte të tjera që tregojnë se çfarë ka ndodhur më tej. Nuk ka as pranim teknik, gjë e cila sipas zyrtarëve në Departamentin e Prokurimit në ministri është i pazakonshëm për këto lloj punimesh, e sidomos kur bëhet fjalë për lokalitete arkeologjike. 

Ndërsa pranim teknik ka për punimet që janë bërë në Kalanë e Pogragjës. Kur janë pyetur zyrtarët se si ka mundësi që në dy projekte të të njëjtës natyrë në njërën të këtë pranim teknik e në tjetrën jo, janë arsyetuar se për Kalanë e Pogragjës, ka pasur një projekt shumë më të detajuar. 

Sidoqoftë, gjashtë vjet pas këtij intervenimi, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Fushë  Kosovës, po u duhet të fillojnë punimet për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet në këtë kala. Për këto ripunime janë ndarë 40 mijë euro nga ministria dhe 20 mijë të tjera nga komuna.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, në MKRS, Vjollca Aliu, thotë se me këto mjete do të konsolidohen edhe muret që janë dëmtuar, duke rikujtuar se çdo dëmtim që bëhet në objektet e trashëgimisë kulturore është diçka që nuk do të mund të përmirësohet ashtu si ka qenë.

“E para shpresojmë se do të kemi edhe një konsolidim të specialistëve të fushës, ajo që konsolidohet të punohet mirë, ajo çka nuk punohet të lihet e gatshme për ndonjë periudhë tjetër dhe të mos ndërmerren veprime ad hoc”, thotë ajo. 

Duke folur për dëmtimet që janë bërë në këtë kala, Aliu thotë se asnjë person që ka qenë pjesëmarrës në këtë projekt nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë.

“Ajo çka është e rëndësishme dhe që e potencoj përsëri, mbikëqyrja e arkeologëve dhe përgjegjësve tjerë duhet të ketë prezencë më të madhe, në mënyrë që të mos i ikim përgjegjësisë, do të thotë niveli i përgjegjësisë duhet të jetë i njëjtë si nga punëkryesi si nga stafi specialistik, që ata janë të angazhuar aty dhe vazhdojnë të mbesin të angazhuar”, thotë ajo.

Aliu thotë se nuk janë marrë shumë me kompaninë që nuk i ka kryer punët si duhet sa janë marrë me stafin brenda ministrisë. 

“T’ju them të drejtën nuk jemi marrë ndoshta me kompanitë, sa jemi marrë me stafin, punonjësit e ministrisë në këtë rast. Është kërkuar të ngritët niveli i përgjegjësisë, pavarësisht kompanive që kanë bërë një punë mirë ose keq. Ka edhe raporte të pranimeve teknike të cilat në një mënyrë i pranojnë ato punime të cilat janë përfunduar”, thotë Aliu.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik (IAK), thotë se ai kishte bërë një raport të punës, siç thotë në kuptimin teknik të punës dhe kishte vlerësuar që punëkryesi i ishte përmbajtur kontratës së lidhur me ministrinë sa i përket trajtimit të metrave katrorë. 

“Në anën tjetër e di dhe ekziston diku ai dokument që e kam bërë shënim që kualitetin e punës apo llaçit, komponentët, ato nuk i marr përsipër sepse nuk është punë e imja edhe nuk jam profesionist në atë punë”, thotë ai. 

Preportr, ka shkruar para disa vitesh për vërejtjet që i kanë pasur arkeologët e angazhuar në gërmime në këtë lokalitet, për kualitetin e punëve dhe çimentos që është përdorur gjatë konservimit të kësaj kalaje, nivelin e dobët të mbikëqyrjes dhe mungesën e llogaridhënies, përkundër dëmtimeve të përmasave të mëdha të një lokaliteti me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore. 

Dëmtime të mëdha në Kalanë e Pogragjës

Kalaja e Pogragjës, duket goxha e dëmtuar. Disa mure kanë filluar të bien në tokë, ndërsa në vendet ku ka dëmtime vërehet se është punuar me material çimentoje, i cili me kohë është prishur e bashkë me të edhe disa pjesë të mureve të kalasë.

Në këtë vit nuk është menduar për ndonjë projekt konservimi apo gërmimi përveç faktit që atje shiheshin punëtorë që pastronin lokalitetin prej shkurreve, pasi ato në shumicën e rasteve i kanë mbuluar pothuajse të gjitha muret dhe rrugën që qon në kala. 

Edhe te Kalaja e Pogragjës, punët konservuese-restauruese janë bërë nga një kompani ndërtimore, “Arcproject”, nga Gjakova. Kjo kompani punimet në këtë lokalitet i ka kryer në vitin 2009, ndërsa kostoja e këtyre punime kap vlerën e 42 mijë e 499 eurove. Në bazë të raporteve që i ka siguruar dhe parë Preportr, shihet që edhe në këtë projekt ka pasur vërejtje prej atyre që janë angazhuar për mbikëqyrje dhe pranim punimesh.

Pranimin teknik të aktiviteteve konservuese-restauruese, në Kalanë e Pogragjës, komisioni i formuar nga Ministria e Kulturës, në përbërje të Enver Rexhës IAK, Jusuf Musës nga MKRS, Lindita Cërvadikut nga IMMRP dhe Milot Berisha nga IAK, (ky i fundit nuk ka marrë pjesë në pranim), ka pranuar punët konservuese-restauruese në përgjithësi të zhvilluara në këtë kala me disa vërejtje.

“Objekti tani ka marrë një pamje të re si objekt arkitektonik, arkeologjik dhe përfaqësues i trashëgimisë kulturore në këto anë të Kosovës. Muret janë konsoliduar, janë konservuar dhe është krijuar një situatë që ato të mos dëmtohen nga natyra dhe poashtu do të mbrohen mirë nga dora e njeriut”, thuhet në raportin e pranimit. 

Më tutje në këtë raport theksohet se mbikëqyrësi, që në këtë rast ishte Artan Hoxha-drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, kishte vërejtje për punët që ishin zhvilluar atje. 

“Komisioni pasi shqyrtoi raportin përfundimtar të mbikëqyrësit erdhi në përfundim se ka edhe vërejtje të cilat do t’i prezantojmë si të tilla e që do të mbesin si detyrim i domosdoshëm i punëkryesit e të cilat duhet t’i mbarojë në afat prej 10 ditësh nga dita kur kryesi i aktiviteteve të pranojë dokumentin e komisionit”, thuhet në këtë raport. 

Vërejtjet ishin si vijon:

Në pjesën verilindore të kalasë nuk është bërë konsolidimi i murit në një gjatësi prej tetë metrave përafërsisht e që mbetet detyrim i domosdoshëm që të konsolidohet në mënyrën si është bërë pjesa tjetër e mureve;

Në faqen më të madhe në pjesën perëndimore të kullës është filluar gabimisht aktiviteti i suvatimit me llaç, po meqenëse është vërejtur se është një gabim profesional menjëherë është ndërhyrë dhe kanë bërë pastrimin e asaj shtrese, por megjithatë vërehen ndërhyrjet e tilla, prandaj komisioni e pranon këtë aktivitet të konservimit-restaurimit dhe të aktiviteteve konservuese-restauruese të zhvilluara në kalanë e Pogragjës me detyrimin e përmendur më lartë. 

Raporti i pranimit është nënshkruar nga të gjithë anëtarët përveç arkeologut Milot Berisha, i cili befasohet pse emri i tij figuron aty. Berisha thotë se nuk e ka nënshkruar këtë dokument për faktin se vetëm njëherë e ka vizituar këtë kala dhe i ka dhënë vërejtjet e tij, në mesin e të cilave edhe faktin që atje të mos punohet me ekskavator.  

“E vetmja herë që kam qenë atje është me 04.05.2009, ku kemi bërë inspektim të mureve të kalasë. Unë kam bërë një raport të detajuar me punimet që bëheshin atje dhe kjo ka qenë e vetmja herë që e kam vizituar këtë kala”, thotë Berisha. 

Gjashtë vjet pas këtij intervenimi, që e la kalanë në gjendje jo të mirë, Ministria e Kulturës, është duke menduar se si të veprojë më tutje. 

“Presim mendimin e Institutit Arkeologjik me ndihmën e arkeologëve se cilat do të jenë veprimet që duhet të ndërmerren. Gjithsesi si projekt do të jetë në kuadër të gërmimeve arkeologjike me karakter shpëtimi”, thotë drejtoresha Aliu.

Sa i përket dëmtimeve që janë bërë në këtë kala zyrtarë të ministrisë thonë se ka pasur një bartje të përgjegjësisë sa të një autoritet tek një autoritet tjetër. Aliu, thotë se edhe në këtë rast do të mendojnë se si të veprojnë më tutje, pasi përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm në këtë nivel të hedhjes së përgjegjësisë nga një autoritet në tjetrin.

Drejtori i IAK, kur flet për raportin e pranimit që Preportr, e ka siguruar, thotë se ata (IAK, MKRS dhe IMMRP), kanë qenë një lloj komisioni për mbikëqyrësin dhe punëkryesin, në kuptimin se a kanë këto dy palë ndonjë kontest mes vete dhe në këtë kontekst është bërë raporti. 

“Punët i kemi vlerësuar që janë zbatuar edhe nga mbikëqyrësi edhe nga punëkryesi.  Mbikëqyrësit e bëjnë punën pranuese zyrtarisht në çdo projekt. E di qe i ka pas do vërejtje dhe do punë me i kry ai. Është muri anësor, e me sa di e ka kryer ai mandej”.

Më tutje Rexha nuk e di çfarë ka ndodhur, megjithëse e pranon që koha e ka dëmtuar pak, siç e quan ai atë shtresën e hollë që është vendosur në mure.

Kalaja e Pogragjës, konsiderohet si lokaliteti arkeologjik më i rëndësishëm në anën e Komunës së Gjilanit. Ka një pamje shumë të bukur. Shtrihet në një kodër në 560 metra lartësi mbidetare por rruga për të arritur deri atje është shumë e vështirë. Edhe ajo rrugë që ishte hapur në kohën kur është intervenuar me projektin e konservimit, tanimë kanë mbetur pak gjurmë prej saj. Është rasti më i mirë për të treguar se intervenimet në asetet e trashëgimisë kulturore janë bërë pa ndonjë plan të mirëfilltë, pasi është e pakuptimtë të intervenohet në një objekt të tillë e të mos sigurohet infrastruktura për ta vizituar atë. 

Llaçi i dobët rrëzoi edhe murin e Kalasë së Prizrenit 

Që në objekte dhe lokalitete arkeologjike nuk është mirë të intervenohet me kompani ndërtimore e tregon edhe shembja e një pjese të murit të Kalasë së Prizrenit. 

Sipas ekspertëve dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shembja e murit ka ardhur si rezultat i reshjeve atmosferike dhe lidhjes së dobët të materialit, që do të thotë se llaçi nuk ka qenë i nivelit të duhur. QRTK në Prizren ka bërë një raport për shembjen e këtij muri. Preportr, ka kërkuar nga kjo qendër që ta shoh këtë raport, por nuk kemi marrë përgjigje. 

Muri i shembur po konsolidohet, në kuadër të punimeve që po bëhen në kala, por Enver Rexha, ka një frikë tjetër. Ai nuk e di se çfarë do të ndodhë me pjesët tjera të këtij muri. 

Megjithëse disa punë konservuese në këtë kala, në vlerë prej 61 mijë e 276 euro, i ka kryer kompania që e ka bërë konservimin e Kalasë së Harilaqit, “Arting” nga Gjakova, Rexha thotë se dëmtimet kanë ardhë prej një kohe shumë më të hershme, atë të ish-Jugosllavisë, diku në vitet 70-80.

“Në një raport që e kanë bërë arkitektët e QRTK-së së Prizrenit gjejmë të dhëna se pjesa e jashtme diku 50 -60 centimetra ka qenë e lidhur me llaç, pjesa e brendshme përmbi 1 metër, pikërisht në ato 5-6 metra ku është derdh muri, kanë qenë vetëm të hedhura pa lidhje dhe vërshimet e mëdha të shiut të vitit të kaluar, lagështia e madhe me të vërtetë në këto 10 vite, ndoshta shumë më e madhe se tjerat, e ka gjetë korridorin edhe shtypja, natyra e ka bërë të vetën, uji ka bërë depërtim edhe e ka qitë atë pjesën e 50-60 centimetrave”, thotë Rexha.

Përveç shembjes së murit, për konservimin e Kalasë së Prizrenit dhe punëve të tjera, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vitin 2011 i kishte zotuar 2 milionë euro. Kjo zyrë më vonë ishte tërhequr nga ky zotim për shkak të ngritjes së konsiderueshme, të paplanifikuar të kostos së projektit. 

"Në vitin 2011, zyra e BE-së në Kosovë ka financuar përgatitjen e dizajnit të detajuar për renovimin e Kalasë së Prizrenit. Ne atë kohë, 2 milionë euro janë zotuar për punët ndërtimore për renovimin e saj. Por, në prill të vitit 2011, BE-ja vendosi ta anulojë projektin për shkak të ngritjes së konsiderueshme të paplanifikuar të kostos së projektit dhe për shkak të zotimit të pamjaftueshëm nga ana e komunës së Prizrenit", thuhet në një përgjigje me shkrim të Zyrës për Informim të  Zyrës së BE-së. 

Shuma e ndarë për përgatitjen e dizajnit sipas kësaj zyre ka qenë 482 mijë e 770 euro. Drejtoresha Aliu thotë se punimet që po zhvillohen në Kalanë e Prizrenit që përfshijnë gërmime, konservime- restaurime, po bëhen bazuar në këtë projekt të Zyrës së BE-së. 

Meqenëse nuk u arrit të sigurohen mjetet që tejkalonin 2 milionë eurot e zotuara nga BE-ja, projekti për Kalanë e Prizrenit, po realizohet me mjetet e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në vlerë prej 700 mijë dollarësh dhe me mjetet e Ministrisë së Kulturës, në vlerë prej 200 mijë eurosh. Në këtë projekt janë angazhuar Instituti Arkeologjik i Kosovës, Trashëgimia Kulturore pa Kufij CHwB. 

Restaurimet janë bërë pa plane dhe nga kompani të palicencuara

Përmes investimeve jo të vogla vendore dhe ndërkombëtare, janë kryer projekte të restaurimit dhe konservimit, gjithnjë me mëdyshjen se a po bëhen mirë. Institucionet që janë të thirrura për mbrojtjen dhe vlerësimin e  monumenteve të trashëgimisë kulturore shpesh herë e kanë ngritur zërin për mënyrën se si shteti i qaset kësaj trashëgimie. 

Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, thotë se në objekte të trashëgimisë kulturore gjithherë është vepruar pa program apo politikë nacionale (shtetërore), me prioritete sipas nevojave reale. 

“Ndërhyrjet emergjente dhe restaurimet kryesisht realizohen pa plane të mirëfillta konservimi, me ekipe të palicencuara nga shteti dhe duke anashkaluar standardet profesionale të konservimit”, thotë ajo.

Si rrjedhojë, sipas saj punimet konservuese rezultojnë me probleme të cilat ndikojnë në ndryshimin e autenticitetit dhe cenimin e integritetit të pronës së trashëgimisë kulturore. Hoxha përmend disa monumente që janë dëmtuar pas intervenimit si: Hamami i Madh në Prishtinë, Xhamia e Qarshisë dhe Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë, Hamami Gazi Mehmet Pasha në Prizren, Lokaliteti arkeologjik Harilaq, Patrikana e Pejës dhe Xhamia e Sinan Pashës në Prizren. 

 Alban Bakija drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, thotë se Kosovës në fushën e konservimit dhe restaurimit i mungon një kornizë më e saktë ligjore, i mungojnë mekanizmat për restaurim dhe konservim, i mungojnë udhëzuesit dhe standardizimi ligjor. 

“Edhe mbikëqyrja, tash është dimensioni tjetër që ndoshta është pak problematik, duke e marrë parasysh që nuk kemi mekanizmin e inspektoratit në Ministri të Kulturës. E kemi të vështirë sepse nuk kemi licencim të firmave dhe personave juridik të cilët merren me konservim dhe restaurim”, thotë ai.

Ndërsa Vjollca Aliu, thotë se Ministria e Kulturës, ka insistuar në vazhdimësi që kompanitë që bëjnë restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të licencohen dhe se “është kërkuar edhe plotësim i dokumentacioneve përveç të tjerave edhe udhëzuesit që janë punuar nga Këshilli Evropës janë dhënë edhe rekomandimet, megjithatë vazhdon të mos jetë në funksion”. Ajo shpreson se me ligjin e ri do ta funksionalizohet edhe sistemi i licencave, por edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Hamamet n’hamom

Në Hamamin e Madh të Prishtinës, punimet janë ndërprerë përkohësisht, në mënyrë që t’i hapin rrugë një projekti që  parasheh përmirësimin e dëmeve që i janë bërë këtij hamami deri më tani. 

Hamami i Prishtinës, ka filluar të restaurohet në vitin 2007. Që nga ajo kohë disa herë janë ndërprerë punimet, pasi kishte vërejtje të shumta nga ekspertët për mënyrën se si zhvilloheshin punimet aty. Autori turk i projektit për këtë Hamam, Mustafa Pehlivanogllu, më 2009 kishte ardhur në Kosovë për të vlerësuar punimet në Hamam, dhe vërejtjet e tij ishin se kishte devijime të mëdha nga projekti. 

Kjo nuk ka mjaftuar, që punimeve t’u jepet kahja e duhur, por ato kanë vazhduar edhe në vitet në vijim. Një raport i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prishtinës, i bërë në vitin 2013, tregon për dëmet e mëdha që i janë bërë këtij hamami. 

Në raport thuhet se punimet i ka kryer një kompani ndërtimore “Arda Rei”, e cila nuk ka asnjë përvojë në punët restauruese-konservuese. Edhe kompania tjetër që punoi muret e jashtme, “Daja Rrah”, nuk ka asnjë përvojë në këto punë. Ajo i ka betonuar muret e jashtme të hamamit. 

Si pasojë e këtyre punimeve joprofesionale, Preportr, ka parë se si sot ky hamam duket si një objekt modern me mure moderne të kohës së sotme, që realisht nuk të jep pamjen e një objekti të vjetër.

“Firma kontraktuese kishte kryer punët restauruese të suvasë së brendshme, në një pjesë të murit në hapësirën e ftohtë të Hamamit, pa ndonjë këshillë dhe pa instruksione profesionale. Ishin përdorur edhe tulla të reja në qemerë. Nëpër muret e Hamamit ishin vendosur instalimet elektrike”, thuhet në raport. 

Më tutje në raport thuhet se në objekt ishin krijuar të çara të vrazhda.

“Muret janë shpuar në tërë hapësirën e brendshme për vendosjen e gypave, për shpërndarjen e kabllove, për instalimet elektrike dhe krijojnë “pamje të pështirosur të sharlatanizmit”, thuhet në këtë raport. 

Kjo ndërhyrje nga kompanitë ndërtimore joprofesionale në fushën e konservimit dhe restaurimit, ka shkaktuar dëmtime edhe në gurët tek muret e brendshme, duke përdorur çimento. Ndërsa tash kërkohet që të hiqet ky material, por sipas ekspertëve të fushës së restaurimit, heqja e çimentos nga gurët i dëmton ata, pasi që është e pamundur të hiqet çimentoja pa e hequr edhe një pjesë të gurëve.

Aktualisht po mendohet të përfundohet procesi i ekzaminimit të gjendjes, i cili do t’i jepte mundësi një projekti të duhur të restaurimit.

“Komuna e Prishtinës ka për qëllim sanimin e gjendjes së saj aq sa është e mundur dhe ta rifunksionalizojë në bazë të një vendimi gjithëpërfshirës që duhet me gjasë ta marrë Komuna e Prishtinës”, thotë Gyler Mydyti, zyrtare në komunë. 

Në lidhje me dëmtimet e shumta që i janë bërë Hamamit të Madh të Prishtinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e ka dërguar rastin në organet e ndjekjës, duke e përdorur në këtë rast si dëshmi edhe një shkrim të Preportr, të publikuar në vitin 2013, për punët joprofesionale që janë bërë në këtë hamam dhe Zonën Historike të Prishtinës. 

Gjithashtu ankesa për punë joprofesionale ka pasur edhe për Hamamin Gazi Mehmet Pasha, në Prizren.  Në prill të këtij viti në rrjetet sociale u publikuan disa fotografi të këtij hamami ku vërejtjet ishin se kishte ndryshime drastike të pamjes së objektit, pas intervenimit, sidomos në suvatimin e tambureve me llaç horasan, ndërsa përpara ishte me tulla. 

Tenderin për restaurimin e këtij objekti e pati shpallur UNESCO, ku për punëkryes pati përzgjedhur kompaninë ndërtimore “NN El-Com” nga Prizreni për shumën rreth 214,000 dollarë amerikan, kurse konsulente ka qenë Zeynep Ahunbay, eksperte për arkitekturën e periudhës osmane.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, pas reagimeve të qytetarëve, pati dalë me një komunikatë, ku pati thënë se investimet në fushën e trashëgimisë, nuk bëhen për dëshira të askujt, por në këtë fushë gjithmonë ka përparësi origjinali, ndaj falsifikimit.

“Suvatimi i tambureve me llaç horasan është bërë në bazë të gjetjeve origjinale në vend, fotografive, por edhe për shkaqe praktike-sigurie nga lagështia që tullat nuk janë rezistente ndaj kushteve atmosferike është marrë vendimi në konsultim me Prof. Dr. Zeynep Ahunbay si mbikëqyrëse e punimeve nga ana e UNESCO-së”, thuhet në këtë komunikatë të QRTK-së në Prizren. 

  • Antikorrupsion

  • Aktivitete

    20 Qershor '24

    Call for Proposals for the SELDI Small Grants Programme

    The Macedonian Center for International Cooperation (MCIC), on behalf of the Southeast Europe Leadership for Development and Integrity (SELDI), is launching the regional Call for...

  • Hulumtime

    20 Nëntor '20

    Pandemi në Gjyqësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën shtator 2019 – gusht 2020

  • Hulumtime

    23 Prill '20

    Keqpërdorimi në prokurim publik

    Meqenëse prokurimi publik vazhdon të mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme në proceset publike të shpenzimit të parasë publike, Organizata Çohu! gjatë periudhës njëvjeçare të...

  • Hulumtime

    18 Nëntor '19

    Qasja në drejtësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën tetor 2018 – shtator 2019

  • Qeverisja e Mirë

  • Aktivitete

    7 Nëntor '22

    Pyetësor: Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë

    Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, janë duke realizuar një hulumtim lidhur me procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë...

  • Hulumtime

    13 Qershor '22

    Përgjegjësia Disiplinore e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

    Organet kompetente të vendit kanë ndërmarrë një sërë hapash për reformimin e drejtësisë, me qëllim të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, si dhe të...

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Ajri i ndotur, degradimi i hapësirave të gjelbra, dëmtimi i shtretërve të lumenjve si dhe gjendja e deponive të mbeturinave janë disa probleme të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë të dukshme në...

  • Hulumtime

    25 Janar '22

    Online Media Monitor

    Raporti i monitorimit të mediave online janar 2020 - dhjetor 2021

  • Privatizimi

  • Reagime

    23 Dhjetor '16

    Reagim: Degradimi dhe shkatërrimi i PTK-së nga politika

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë më të cilin Post-Telekomi i Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për...

  • Hulumtime

    22 Qershor '15

    PTK: Nga agimi deri në muzg

    Raport hulumtues: Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës: Ky raport hulumtues ofron një ekzaminim të detajuar mbi zhvillimet dhe shkaqet kryesore që çuan në rënie të vazhdueshme dhe siç duket të...

  • Hulumtime

    19 Prill '13

    ACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real!

    Shitja e 75% të aksioneve të PTK-së, ka nxjerr lakuriq tendencën e Qeverisë që telekomin kosovarë t’ia jap kompanive ndaj të cilave kishte kusure të pashlyera. Qeveria me...

  • Hulumtime

    29 Tetor '12

    2017: Viti i Kolapsit Energjetik

    Bazuar në parametrat e tanishëm, Kosova do të ballafaqohet me një kolaps energjetik në vitin 2017. Vendi, tani për tani, nuk ka plan alternativ për furnizim me energji në rast se ndërtimi i...

  • Peportr

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Në këtë video pasqyrohen dëmet mjedisore që janë shkaktuar ndër vite në Kosovë. Fokusi i kësaj përmbledhje është gjendja aktuale në deponitë...

  • Hulumtime

    4 Nëntor '21

    Pasojat e hidrocentraleve

    Ndërtimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë ka shkaktuar pasoja të shumta buzë lumit, në rrjedhën e lumit qasjen në lumë....

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Fati i zi i Drinit të Bardhë

    Për vite me radhë, kompani të shumta kanë nxjerrë rërë dhe zhavorr nga Drini i Bardhë. Eksploatimet e tyre ilegale jo vetëm që shkatërruan hektarë...

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Degradimi i Drinit të Bardhë

    Mbi një mijë hektarë të Drinit të Bardhë u dëmtuan nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, për vite me radhë. Dënimet e vogla,...