Punëtorët që punojnë në markete janë ndër kategoritë më të ekspozuara ndaj shkeljeve të të drejtave të punës në Kosovë. Pavarësisht se Ligji i Punës garanton pagesë shtesë për orët jashtë orarit, punën gjatë fundjavës dhe ditëve të festave zyrtare, si dhe të drejtën për pushim vjetor të paguar, shumë punëtorë thonë se këto të drejta mbeten vetëm në letër, por në disa raste nuk i kanë as në letër, pasi që nuk kanë kontratë pune. Ankesa të vazhdueshme për orare të zgjatura, mungesë pagesash shtesë, kontrata afatshkurtra dhe pasiguri në vendin e punës vazhdojnë të raportohen nga punonjësit e këtij sektori.
Bazuar nga raportimet që janë raportuar në platformën IdeoNgritja vërehet se një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve përballen me mosrespektim të të drejtave elementare të punës, ndërsa shumë prej tyre hezitojnë flasin hapur lidhur me shkeljet, nga frika e humbjes së vendit të punës ose e mosvazhdimit të kontratës.
Dëshmitë e punëtorëve flasin për një realitet ku puna jashtë orarit shpesh konsiderohet pjesë e zakonshme e angazhimit, ndërsa kompensimi për të rrallëherë realizohet. Në të njëjtën kohë, kontratat afatshkurtra dhe pasiguria për vazhdimin e punës krijojnë një varësi të madhe nga punëdhënësi, duke i bërë punëtorët edhe më pak të gatshëm të kërkojnë respektimin e të drejtave që u garantohen me ligj.
Një punëtore që ka raportuar në platformën IdeoNgritja ka thënë se ndër brengat e saj të vazhdueshme janë mospagesa e orëve shtesë, mospagesa për punën gjatë fundjavës e të mos flasim për festat zyrtare.
“Kam punuar në disa markete gjatë viteve të fundit, orari shpesh është i tej zgjatur, ose kur e pranojmë mallin punojmë shumë orë, e të cilat nuk paguhen. Nëse marrim shembull festat që janë me kalendarin zyrtar ne punojmë vazhdimisht dhe nuk paguhemi për ato orë”, thotë një punëtore e një supermarketi në Fushë Kosovë.
Ndërkaq, një punëtor tjetër thotë se pushimet vjetore nuk respektohen sa duhet, ndërkaq për festa as nuk bëhet fjalë.
“Përveç për bajram dhe për Vit të Ri, për festa tjera nuk kemi pushim dhe ky nuk është problemi, por problemi është se nuk na paguhen shtesë ato ditë të festave që punojmë”, thotë ai.
Ai thotë se ndër vite ka ndryshuar paksa sjellja e pronarëve dhe menaxherëve. Kjo sipas tij lidhet me faktin se ka rënë kërkesa për punë në këto markete.
“Para disa viteve lista e pritjes për punë ka qenë e madhe, dhe punëtorët i kanë larguar pa problem, sepse i kanë zëvendësuar brenda ditës, kurse tani ka ndryshuar situata dhe trajtimin dhe sjelljen e kanë më të mirë”.
“Kontratat kryesisht janë të shkurtra 3-6 muaj, rrallë një vit. Këto kontrata janë si strategji për të mos ua vazhduar kontratat grave të reja që mbesin shtatzëna. Shikoni me kujdes në markete, shumë rrallë mund të shihni gra që janë shtatzëna duke punuar”, thotë një punëtore tjetër, duke shtuar se kontratat afatshkurtra kanë ndikim edhe të mosrespektimi i pushimit vjetor.
Bazuar në të dhënat që kanë dalë nga një pyetësor i realizuar vitin e kaluar nga Preportr, sa i përket pushimit vjetor 22.28 përqind e respodentëve kanë thënë se atyre nuk u është dhënë kurrë pushimi vjetor, 44.55 përqind e tyre kanë thënë se u është dhënë nganjëherë dhe 33.17 përqind janë përgjigjur se ky pushim i është dhënë gjithnjë. Sa i përket faktit se a janë paguar pas shfrytëzimit të pushimit vjetor, 80 përqind prej tyre kanë thënë po dhe 20 përqind jo.
Ankesa të vazhdueshme
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, thotë se në vazhdimësi ndër vite kanë marrë ankesa nga punëtorët që punojnë më marketet e mëdha, por edhe të vogla.
“Ka ankesa për orar të zgjatur, për mospagesë me kohë, me mospushim vjetor me kohë, mospushim vjetor konform ligjit, pushimet mjekësore pothuajse janë të pazbatueshme, mospagesë të stazhit të punës, mospagesë të kontributeve etj.”, thotë Azemi.
Ai thotë është e nevojshme që kjo situatë të përmirësohet dhe se duhet të ketë më shumë inspektime dhe në këtë mënyrë këtyre punëtorëve t’u respektohen të drejtat siç janë të pacaktuara me Ligjin e Punës, e që aktualisht nuk po respektohet siç duhet.
“Ky është mosrespektim në radhë të parë i dinjitetit si person dhe si punëtor”, u shpreh Azemi.
Një nga arsyet që nuk respektohen të drejtat e punëtorëve që punojnë në markete të mëdha, por edhe të vogla, në gastronomi etj., është edhe mungesa e kontratave të punës, por edhe për ata që kanë kontrata në këto sektorë ato nuk respektohen siç duhet.
Sipas anketimit të Preportr në pyetjen se sa respektohet kontrata e punës nga punëdhënësit, 54.90 përqind kanë thënë që po, ndërsa 45 përqind kanë thënë që jo.
Ndërsa në pyetjen se nëse nuk u respektohet kontrata nga punëdhënësi a ankoheni në ndonjë institucion shumica apo 68.10 përqind e respondentëve që i janë përgjigjur pyetësorit kanë thënë që jo, 31. 80 përqind kanë thënë po.
Shpresat të gjykatat
Punëtorët po i drejtohen gjithnjë e më shumë gjykatave për të zgjidhur kontestet e punës. Nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë pranuar gjithsej 25 mijë e 247 lëndë në gjykatat e Kosovës. Prej tyre janë zgjedhur 8 mijë e 743, ndërsa 4 mijë e 179 lëndë janë apeluar etj.
Të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK)në kuadër të këtij hulumtimi, tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të kontesteve të punës të paraqitura në gjykata gjatë viteve të fundit. Në vitin 2015 janë pranuar vetëm 6 lëndë, ndërsa në vitin 2016 gjithsej 8, në vitin 2017 – 13, në vitin 2018 – 28 dhe në vitin 2019 – 83. Në vitin 2020 numri u rrit në 279 raste, për të shënuar një rritje të ndjeshme në vitet pasuese: 2,757 lëndë në vitin 2021, 4,830 në vitin 2022, 5,970 në vitin 2023 dhe 9,108 në vitin 2024. Vetëm gjatë vitit 2025, gjykatat kanë pranuar edhe 2,165 konteste të reja të punës.

Sipas të dhënave të KGjK-së, numri i kontesteve të punës ndryshon dukshëm nga një komunë në tjetrën. Numri më i madh i lëndëve është regjistruar në Gjakovë (7,248), Malishevë (4,645), Podujevë (3,409), Rahovec (2,439) dhe Prishtinë (1,719). Në anën tjetër, numri më i ulët i kontesteve është evidentuar në disa komuna të vogla, si Leposaviq (1), Deçan (5), Zubin Potok (5), Istog (6) dhe Klinë (18), duke treguar dallime të mëdha të rasteve ndërmjet komunave.
Problemi kryesor mbetët zvarritja e proceseve gjyqësore edhe te rastet kontesteve të punës. "Për shembull, për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që kanë punuar në spitale dhe qendra të mjekësisë familjare, padinë e kemi bërë në vitin 2019 dhe ende nuk ka një epilog nga gjykata", thotë Azemi.
Zvarritja e këtyre procedurave është një nga arsyet pse sindikatat dhe organizatat që merren me të drejtat e punëtorëve kanë kërkuar prej vitesh krijimin e një gjykate të specializuar për kontestet e punës ose divizioneve të specializuara, me qëllim që mosmarrëveshjet nga marrëdhënia e punës të trajtohen më shpejt dhe me efikasitet. Në vitin 2023, Qeveria miratoi Koncept-Dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës, i cili parashihte krijimin e divizioneve të veçanta për kontestet e punës, pikërisht për të rritur efikasitetin dhe për të zvogëluar numrin e lëndëve të grumbulluara.
Për të marrë informacione lidhur me masat që Inspektorati i Punës ka ndërmarrë masa lidhur me ankesat e punëtorëve të marketeve, kemi dërguar pyetje zyrtare këtij institucioni. Kërkuam të dimë nëse janë kryer inspektime lidhur me raportimet për mospagesën e orëve shtesë, punën gjatë fundjavës dhe festave zyrtare, si dhe mosrespektimin e pushimit vjetor. Po ashtu, kërkuam të na bëhen të ditura shkeljet më të shpeshta të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat dhe gjetjet e inspektimeve të kryera. Deri në publikimin e këtij hulumtimi, Inspektorati i Punës nuk ka kthyer përgjigje./IdeoNgritja/