Të drejtat e punonjësve që punojnë në pastrimin e objekteve shtetërore dhe sigurimin e këtyre objekteve po shkelen në vazhdimësi. Përmes platformës IdeoNgritja kemi pranuar shumë ankesa nga këta punëtorë, e të cilët janë të pakënaqur se si janë duke u trajtuar viteve të fundit nga kompanitë të cilat kanë fituar tenderët për këto shërbime. 

Këta punëtorë e kujtojnë kohën kur ishin pjesë e institucioneve duke thënë se kishin trajtim dhe më shumë të drejta, sesa që kanë tani. Ndërkaq, me kontraktimin e këtyre shërbimeve nga institucionet shtetërore, të drejtat e tyre janë më të mangëta, ndërsa pagesat më të vogla.

“Kemi pasiguri të vazhdueshme. Tenderi është anuluar disa herë dhe në një periudhë sigurimin e klinikave e ka pas marrë përsipër Policia e Kosovës, sepse pati dështuar tenderi. Punojmë mbi 190 orë në muaj, nuk paguhen orët shtesë, edhe pse na janë premtuar”, thotë një punëtor i sigurimit në QKUK.

Këta punëtorë shpesh kanë mbetur pa kontrata pune për shkak të proceseve të tenderimit. Në qershor të vitit të kaluar, rreth 280 punëtorë të sigurimit në QKUK kishin mbetur pa kontrata të punës, për shkak se tenderi për sigurimin fizik u anulua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).  

Hakif Sylejmani, ish-kryetar i sindikatës së QKUK-së dhe punëtor i sigurimit fizik deri para pak muajsh, thotë se të drejtat e këtyre punëtorëve janë shkelur në vazhdimësi. Ai thotë se nuk kanë marrë pagesa për orët shtesë dhe për punët gjatë fundjavës. 

“Puna gjatë festave kurrë nuk na është paguar”, thotë ai. 

Ai thotë se edhe aktualisht gjendja nuk ka përmirësime e sidomos në kuptimin e kontratave të punëtorëve.
“Punëtorëve të pastrimit këto javë ju skadon kontrata, ndërkaq ata të sigurimit janë të gjithë pa kontrata”, theksoi Sylejmani. 

Ai thotë se kur kanë qenë në kuadër të institucioneve, menaxhimi dhe trajtimi i punëtorëve ka qenë më i mirë. Sipas tij, pas kontraktimit të këtyre shërbimeve gjendja ka ndryshuar për të keq, edhe sa i përket shtesave që i kanë pasur për udhëtim dhe për ushqim. Në aspektin e punës ai thotë se punëtorët e sigurimit kanë qenë vazhdimisht në situata konfuze se a duhet ta dëgjojnë drejtorin e klinikës apo udhëheqësin e kompanisë. 
“Në këtë aspekt edhe punëtorët janë të maltretuar sepse nuk dinë nga kush t’i marrin urdhrat”, u shpreh Sylejmani.

Privimi nga të drejtat e garantuara me ligj

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, thotë problemin më të madh e kanë me punëtorët që kanë qenë pjesë e institucioneve, por ndërkohë për shërbimet e të cilëve janë kontraktuar kompani private. Ai thotë se te këta punëtorë ka shkelje të shumta. 

Azemi thotë se kompanitë që kanë fituar tenderët, kanë zvogëluar numrin e punëtorëve, gjë që shkakton tej ngarkesë për punonjësit e angazhuar. 

Sipas tij, një pjesë e këtyre punëtorëve nuk e kanë marrë as pagën minimale që ka qenë më herët apo edhe tash. Ai na tregon se për shumë raste kanë bërë padi.

“Për shembull për punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik që kanë punuar në spitale dhe në qendra të mjekësisë familjare, padinë e kemi bërë në vitin 2019 dhe ende nuk ka një epilog nga gjykata”, thotë Azemi.  

Ai thotë se ka pasur raste kur punëtorët janë punësuar për të punuar në një institucion, por kompania kohë pas kohe i ka dërguar të punojnë diku tjetër. 

Sindikalisti Azemi thotë se një pjesë e këtyre punëtorëve nuk janë pajisur me kontrata dhe për pasojë janë të privuar nga të drejtat që garantohen me Ligjin e Punës. Azemi thotë se për shkak se këta punëtorë në shumicën e rasteve nuk kanë kontrata pune, nuk kanë pushim vjetor siç përcaktohet me ligj e të mos të flasim për pushtimet tjera. 

“Kur ka qenë shtesa 100 euro nga qeveria për punëtorët e sektorit privat që kanë pagë më të ulët se 1000 euro, ka rezultuar se këta punëtorë nuk kanë qenë fare të deklaruar, ndërkaq shërbejnë në institucionet më të rëndësishme të shtetit”, u shpreh Azemi. 

Ligji i Punës parasheh se çdo punëmarrës gëzon të drejtën e pushimit vjetor të paguar prej së paku katër javësh gjatë vitit kalendarik. Pushimi vjetor është e drejtë e garantuar me ligj dhe punëdhënësi nuk mund ta mohojë apo ta zëvendësojë atë me pagesë, përveç në rast të përfundimit të marrëdhënies së punës.

Çka ndodhi me punëtoret e Kuvendit të Kosovës?

Jusuf Azemi thotë se shkelja më e madhe ka qenë ajo kur 14 punëtore janë larguar nga puna në Kuvendin e Kosovës vetëm pse kanë kërkuar pagë më të madhe nga kompania ku kanë qenë të punësuar. 
“E kanë pasur një pagë 275 euro dhe i kanë kërkuar 550 euro”, theksoi Azemi, duke shtuar se për këtë rast si sindikatë kanë bërë padi dhe po presim epilogun nga gjykata. 

Kuvendi i Kosovës siguron shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes teknike përmes kontraktimit të kompanive të jashtme nëpërmjet procedurave të prokurimit publik. Në shtator të vitit 2024, punëtoret teknike të kompanisë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, qëndruan në grevë për 79 ditë. 

Organizata D+ ka realizuar një raport ku ka analizuar mënyrën dhe procedurat e prokurimit. Sipas këtij raporti, në prill të vitit 2023, Kuvendi si autoritet kontraktues nënshkroi një kontratë me konsorciumin “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë; Uni - Project O.P.” për ofrimin e këtyre shërbimeve mbështetëse, me një vlerë totale prej 214 mijë e 90 0 euro. Kjo kontratë, e lidhur përmes procedurës së dhe ishte në fuqi deri më 30 prill 2024.

Raporti thekson se për vitin 2024, Kuvendi vonoi 58 ditë nisjen e procedurës së prokurimit për kontratën e re. Si pasojë, afati për dorëzimin e ofertave u caktua në të njëjtën ditë kur skadonte kontrata ekzistuese, duke e bërë të pamundur përfundimin e procedurës dhe nënshkrimin e kontratës së re brenda afatit. 

Në këto rrethana, Kuvendi mbeti pa kontratë për shërbime mbështetëse dhe përdori këtë emergjencë të krijuar si bazë për të justifikuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Ky  institucion, ftoi për ofertim kompaninë “Schafberger Jr. GmbH”, me të cilën nënshkroi një kontratë gjashtëmujore për pastrimin dhe mirëmbajtjen higjienike, me vlerë 65 mijë e 981 euro. 

“Ky veprim jo vetëm që kufizoi konkurrencën, por edhe favorizoi në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë kompani, pasi asnjë operator tjetër nuk kishte mundësinë të ofertonte për këtë kontratë”, thuhet në raport.

Kuvendi nuk përcaktoi pagën minimale 

Raporti i D+ thekson se në kontratën njëburimore të nënshkruar në maj të vitit 2024 me kompaninë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, Kuvendi nuk përcaktoi nivel të pagave minimale, as në Dosjen e Tenderit dhe as në kontratë. 

“Argumenti se çështja e pagave ishte ekskluzivisht përgjegjësi e kompanisë bie ndesh me praktikat e mëparshme të këtij institucioni. Për më tepër, duke qenë se kontrata e vitit 2024, e cila ishte në fuqi gjatë grevës, ishte dhënë përmes një procedure të negociuar, Kuvendi kishte një rol edhe më të rëndësishëm në përcaktimin e kushteve të kontratës, përfshirë pagat e punëtorëve, pasi operatori ekonomik nuk ishte i obliguar të ofronte çmim më të ulët për të fituar kontratën”, thuhet në këtë raport.

Kjo bie në kundërshtim me Ligjin e Punës, i cili parasheh pagesë shtesë për punën jashtë orarit, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, duke garantuar kompensim në përqindje të pagës bazë për këto angazhime.
Për të kuptuar nëse Inspektorati i Punës ka ndërmarrë veprime lidhur me ankesat e punëtorëve të pastrimit dhe sigurimit fizik, dërguam pyetje zyrtare këtij institucioni. Kërkuam të dimë nëse janë kryer inspektime në institucionet publike ku këto shërbime ofrohen nga kompani private, sa inspektime janë realizuar, si dhe cilat kanë qenë gjetjet dhe masat e ndërmarra, duke pasur parasysh ankesat e vazhdueshme për mungesë kontratash pune dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve. Deri në publikimin e këtij hulumtimi, Inspektorati i Punës nuk ka kthyer përgjigje. /IdeoNgritja/