Prokuroria Themelore në Prizren, në vazhdimësi të njoftimit të datës 8 janar 2026 lidhur me aksionin e zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për hetimin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), njofton opinionin publik se hetimet në këtë rast kanë vijuar intensivisht dhe janë zgjeruar më tej.

Kjo prokurori njofton se në kuadër të veprimeve të ndërmarra gjatë hetimit, më datë 01.09.2026, ka zgjeruar hetimet ndaj 21 personave të pandehur, punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nën dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, nga neni 330 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke e quar në 69 numrin e të pandehurve, në këtë çështje penale.

“Nga veprimet e deritanishme hetimore ekziston dyshimi se këta të pandehur, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlera që variojnë nga 2,000 euro deri në 53, 000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë, nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Zëvendës kryeprokurorin, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, krahas hetimit penal, ka zhvilluar në mënyrë paralele edhe hetimin financiar me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiar të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit, gjurmimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore dhe financiare, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve. 

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjences Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Me veprimet e identifikuara në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në vlerë rreth 1,043,000 euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro.

Preportr ka filluar serinë e raportimit për dyshime për keqpërdorim dhe keqmenaxhim në BKS. 
Në mars 2025, Preportr raportoi për një sërë shkeljesh dhe dyshimesh për keqmenaxhim në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). 

Artikuj të ngjashëm

Raportimi u mbështet edhe në një raport të Policisë së Kosovës, të dërguar në Prokurorinë Speciale, ndërsa një ekzaminim i BQK-së kishte evidentuar mangësi të theksuara në kontrollet e brendshme, auditime të parealizuara dhe moszbatim të rekomandimeve.  

Një muaj më pas, Preportr raportoi për “misterin e njëmilionëshit”, pasi një auditim i brendshëm kishte zbuluar se 1.043 milionë euro të paguara gjatë viteve 2022 dhe 2023 për dëme nga sigurimet kufitare dhe memorandumet e bashkëpunimit nuk mund të justifikoheshin me dokumentacionin përkatës. Në janar 2026, hetimi i kësaj çështjeje çoi në arrestimin e ish-drejtorit ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorit të financave Valon Berisha dhe disa personave të tjerë, nën dyshimet për keqpërdorime financiare.

Lidhur me dyshimet për keqpërdorime të ngritura edhe nga gjetjet e auditimit të brendshëm, ishte “vet-lajmëruar” ish-drejtori i financave dhe kontabilitetit në Byro, Valon Berisha. 

Artikuj të ngjashëm

Ai ka thënë se në funksionin e drejtorit të financave dhe kontabilitetit, ka qenë i vetmi përgjegjës për organizimin, kontrollin dhe ekzekutimin e operacioneve financiare, përfshirë vendimmarrjen mbi transaksionet, pagesat, raportimet financiare dhe çdo proces tjetër që lidhet me administrimin e fondeve dhe burimeve financiare të Byrosë.

Artikuj të ngjashëm