Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU! shpreh tronditjen dhe dhimbjen për vrasjen e Arlinda Zekaj dhe i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve të saj.

Ky është edhe një rast i dështimit të institucioneve shtetërore për të trajtuar raste të tilla siç duhet dhe për të mbrojtur viktimat e dhunës së në familje. Mosreagimi i duhur institucional, shkaktoi vrasjen e Arlindës. Vrasje kjo që ishte paralajmëruar nga vet viktima përmes një letre dërguar prokurorisë.

ÇOHU! kërkon hetim të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm, si dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Njëkohësisht, kërkojmë të sqarohet i tërë procesi i trajtimit institucional të këtij rasti nga organet përgjegjëse.

Çdo mosveprim, neglizhencë apo dështim në përmbushjen e detyrës duhet të hetohet dhe të pasohet me përgjegjësi konkrete. Mbrojtja e jetës së qytetarëve është detyrim i shtetit. Të gjithë zyrtarët që kanë pasur përgjegjësi në trajtimin e këtij rasti, duhet të japin përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet brenda kompetencave të tyre.

Kërkojmë drejtësi për viktimën, mbrojtje për gratë në rrezik dhe llogaridhënie për çdo dështim institucional.