Në kuadër të Rrjetit Rajonal SELDI, pjesë të të cilit është Organizata ÇOHU! e cila ka kontribuar në përpilimin e raportit “Procurement at a Crossroads: Western Balkans Struggle Between Reform and Corruption”, i cili trajton sfidat e prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor.
Gjetjet e hulumtimit tregojnë se prokurimi publik në Ballkanin Perëndimor mbetet një nga fushat më të ndjeshme ndaj korrupsionit dhe ndikimit politik. Edhe pse vendet e rajonit kanë bërë përparime në reformimin e ligjeve dhe përafrimin me standardet evropiane, zbatimi në praktikë vazhdon të jetë i dobët dhe shpesh i paqëndrueshëm.
Raporti thekson se mungesa e transparencës, konkurrenca e kufizuar, përdorimi i procedurave jo të hapura dhe lidhjet ndërmjet interesave politike dhe ekonomike vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si ndahen kontratat publike. Në shumë raste, prokurimi publik nuk funksionon si mekanizëm për shërbime më të mira për qytetarët, por si hapësirë ku mund të favorizohen grupe të caktuara të interesit.
Një nga shqetësimet kryesore është se reformat ligjore nuk mjaftojnë pa institucione të forta, mbikëqyrje efektive dhe llogaridhënie reale. Për këtë arsye, forcimi i kontrollit publik, qasja në të dhëna, monitorimi i pavarur dhe pjesëmarrja qytetare mbeten të domosdoshme për të parandaluar keqpërdorimin e parasë publike.
Gjetjet tregojnë se prokurimi publik në rajon ndodhet ende mes reformës dhe korrupsionit, ndërsa përparimi i vërtetë varet nga vullneti politik, transparenca institucionale dhe zbatimi i barabartë i ligjit.
Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: http://bit.ly/4p9s9oz