Përkundër investimeve të mëdha që deri tani kapin vlerën mbi 23 milionë euro, gjendja e deponive të mbeturinave rajonale të Kosovës është jo e mirë. Këto deponi shërbejnë vetëm për mbeturina sanitare dhe nuk kanë kapacitete që të trajtojnë mbeturinat e tjera si gomat, eshtrat e shtazëve, e të mos flasim për mbeturina më të rrezikshme. Duke marrë parasysh shumën e mjeteve financiare të investuara në këto deponi, gjendja e tyre është dashtë të jetë shumë më e mirë, bile dhe nga to pas disa viteve të arrihen edhe përfitime përmes nxjerrës së gazit që mblidhet në mbeturina, gjë që e bëjnë shumë vende tjera. Në deponitë më të mëdha të Kosovës jo që nuk eksiton një mundësi e tillë, por ka deponi, siç është ajo e Mirashit, që nuk i ka as gypat e ventilimit për ta nxjerrë jashtë gazin e mbledhur në mbeturina, në mënyrë që të shmangë rrezikun nga ndonjë shpërthim i mundshëm i zjarrit.
Sipas drejtuesve të KMDK-së, mesatarja në ton e mbeturinave në vit është:
Mirash-Prishtinë 89.000 ton;
Dumnicë-Podujevë 8.000 ton;
Landovicë-Prizrenë 59.000 ton;
Gërlicë-Ferizaj 14.000 ton dhe;
Velekincë-Gjilan 36.000 ton.
Duke marrë parasysh, që vetëm disa nga mbeturinat riciklohen aktualisht në Kosovë, deponitë pranojnë një sasi të madhe të mbeturinave. Sipas drejtuesve të KMDK-së, mesatarja në ton e mbeturinave në vit është: Mirash-Prishtinë 89.000 ton, Dumnicë-Podujevë 8.000 ton, Landovicë-Prizren 59.000 ton, Gërlicë-Ferizaj 14.000 ton dhe Velekincë-Gjilan 36.000 ton. Sipas drejtuesve të deponive, ngecje në punë dhe vonesa në trajtimin e mbeturinave shpesh shkaktojnë edhe pajisjet e vjetra, të cilat duhet të riparohen shpesh, pra nuk ka investime në makineri të re. Ndërsa, në anën tjetër, borxhi total që i kanë kompanitë e kontraktuara KMDK-së është mbi 2 milionë e 900 mijë euro.
Deponitë nuk kanë leje mjedisore!
Ndërtimi i deponive rajonale është bërë nga BE-ja dhe ka kushtuar mbi 10 milionë euro. Por, përkundër këtij investimi, asnjë nga deponitë nuk i plotëson kriteret për t’u pajisur me leje mjedisore. Sipas Muhamet Malisut, drejtor i departamentit për mbrojtjen e mjedisit në MMPH, këto deponi janë ndërtuar pa u bërë një studim i mirëfilltë dhe pa u konsultuar me këtë ministri.
“Asnjë nga deponitë nuk ka marrë leje të integruar mjedisore që do të duhej ta kishin, e të cilat janë paraparë me një udhëzues që del nga BE, se si duhet të menaxhohen mbeturinat. Por, KMDK ka aplikuar për leje ne jemi duke i shqyrtuar ato leje, kemi kërkuar kompletim të dokumentacionit, komisioni është duke e shqyrtuar dhe jemi duke parë se a i plotësojnë kushtet për pajisje me këto leje. Kur është bërë plani për të ndërtuar deponitë nuk është studiuar si duhet, pasi që kemi pasur probleme me këto deponi që nga fillimi”, ka thënë Malsiu.
Ndërsa, Abdullah Haxhiu, drejtor i Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave (KMDK), nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me këtë çështje, edhe pse Preportr ia ka dërguar këtë pyetje dy herë.
Edhe pse në deponinë e Mirashit që përfshinë rajonin e Prishtinës deponohen më së shumti mbeturina krahasuar me deponitë tjera, aktualisht kjo deponi e ka gjendjen më të keqe.
Ekipi i Preportr gjatë vizitës që i ka bërë kësaj deponie, ka vërejtur se kjo deponi nuk ka lagunë fare dhe se ka prani në sasi të madhe të ujit. Kjo gjë është parë si shqetësuese edhe në raportin e KMDK-së, ku thuhet se deponia e Mirashit paraqet rrezik permanent për mjedisin, rrezikim të aseteve shtetërore, por rrezik të madh për shëndetin dhe humbjen e jetës së njerëzve në atë mjedis. Raporti tregon se në këtë deponi rrezik paraqet ngritja e ujërave të zeza, që nëse krahasohet prej vitit 2010, niveli i ujit është ngritur për dy metra. “Kjo ndikon në humbjen e stabilitetit të deponive sanitare, zvogëlimin e hapësirës operuese ku mund të vije deri të zhytja e makinerisë dhe rrezikimin e personelit të punë”, thuhet ndër të tjera në raport.
Po sipas këtij raporti, në këtë deponi janë dëmtuar edhe gypat denazhues për ujëra të bardha dhe të zeza, gjë që po ndikon në përzierjen e këtyre ujërave, pra rritet kapaciteti i ujërave të zeza në lagunë, e që shkakton kapërderdhejn e saj, duke vërshuar ujërat e zeza jashtë trupit të deponisë dhe duke shkaktuar ndotjen e ambientit.
Abdullah Haxhiu përmes përgjigjeve me e-mail ka thënë se pas ndërtimit të kësaj deponie në vitin 2006, pas vetëm një viti të përdorimit të saj, ka ndodhur fundosja e pompave pasi që niveli i ujërave të zeza është mbi 12 metra nën nivelin e ujërave sipërfaqësor të KEK-ut (Liqenin e Hirit). Haxhiu thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me periudhën kur deponia në Mirash dhe deponitë tjera nuk janë menaxhuar nga KMDK, por u janë dhënë në menaxhim operatoreve privatë nga AKM.
"Në i kemi ngritur shqetësimet tona për rritjen e nivelit të këtyre ujërave dhe për shkak të kostos së lartë, e në pamundësi të vetëfinancimit kemi punuar plane dhe projekte për trajtimin e këtyre ujërave të zeza dhe të njëjtat i kemi adresuar tek institucionet relevante dhe organizata të ndryshme financiare, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes. Njëri ndër projektet është trajtimi i ujërave të zeza përmes rezervarit të KEK-ut", thotë Haxhiu.
Ndërsa sa i përket gypave për nxjerrjen e gazit, që kanë rëndësi shumë të madhe për një deponi, ai thotë se që nga ndërtimi i deponisë në Mirash nuk janë paraparë me projekt gypat që bëjnë ajrosjen e mbeturinave dhe njëkohësisht nuk janë vendosur, ndryshe prej deponive tjera ku janë të vendosur gypat për ajrosje.
Zeqir Veselaj, njohës i çështjeve të ambientit ka thënë se ato ujëra të zeza që derdhen nga deponitë janë shumë herë më të rrezikshme sesa ujërat e zeza të zakonshme, sepse në rastin e deponive ka lëngje të ndryshme, që duke qëndruar në kontakt me shumë materie që janë pjesë e mbeturinave, zhvillojnë shumë reaksione kimike të ndryshme që e rrisin toksisitetin e tyre.
“Prandaj kërkohet që deponitë të kenë izolim për mosrrjedhjen e ujërave të zeza në deponi dhe t’i kenë lagunat e veçanta për mbledhjen dhe trajtimin e tyre. Rreziku qëndron se nëse këto ujëra nuk trajtohen me laguna, ato kërkojnë ujërat nëntokësore. Është shumë e dëmshme nëse arrijnë që ato ujëra të zeza të vijnë në kontakt me ujërat nëntokësore, duke e ditur argumentin se një pjesë e madhe e popullatës së Kosovës furnizohet për nevojat e veta me ujëra nëntokësorë”, theksoi Veselaj.
Ndërsa sa i përket çështjes së mungesës së gypave në këtë deponi, Veselaj thotë se ata janë të domosdoshëm për secilën deponi të mbeturinave. Ai thotë se mbeturinat gjatë grumbullimit hyjnë në reaksione kimike dhe lirojnë gazra dhe se gazi më i shpeshtë që lirohet është metani, e që është një gaz i ndezshëm. “Çdo deponi duhet të pajiset me gypa që shkojnë deri në fund të mbeturinave dhe ai gaz të del jashtë dhe kur del jashtë nuk është i rrezikshëm për eksplodim. Metani i deponuar në mbeturina mund të shkaktojë eksplodim të deponisë dhe e dimë që ka pasur raste nëpër shumë vende që kanë ndodhur këso shpërthime, ndërsa pasojat e shpërthimeve të tilla janë të rrezikshme”, theksoi Veselaj.
Ndërsa Muhamet Malsiu, thotë se në deponinë e Mirashit ka ndodhur një problem i madh, por është paraparë që të sanohet përmes një projekti që do të financohej nga qeveria dhe nga ndonjë donacion ndërkombëtar.
“Situata në deponinë e Mirashit është tepër emergjente dhe është e nevojshme që të intervenohet sa më shpejt. Deponia e Mirashit duhet të ketë në funksion dhe pompat për kthimin ujërave, përndryshe nuk mund të pajisjet me leje”, theksoi Malsiu.
Nuk ka klasifikim të mbeturinave
Deponitë janë duke u mbushur shpejtë edhe për faktin se nuk ka riciklim të mbeturinave në masë të madhe. Vetëm kanaçet, shishet e plastikës dhe qelqi aktualisht riciklohet. Gjithashtu nuk ka ndarje të mbeturinave nëpër kontejnerët e vendosur nëpër vendbanime, e as në deponi.
Zeqir Veselaj, thotë se klasifikimi i mbeturinave në Kosovë është në faza të hershme pasi që nuk kemi sistem për riciklim. Sipas tij, nëse do të ricikloheshin mbeturinat, jetëgjatësia e deponive do të ishte më e madhe dhe nuk do të krijohet nevoja për deponi të reja.
“Edhe nëse njerëzit dëshirojnë t’i klasifikojnë mbeturinat nuk kanë vullnet, sepse edhe nëse i klasifikojnë në kontejnerë, vjen kamioni i ngarkon të gjitha në një vend dhe i dërgon në deponi”, thotë Veselaj.
Mosklasifikimi i mbeturinave sanitare dhe atyre të rrezikshme krijon probleme edhe në të gjitha deponitë, sepse deponitë aktuale nuk kanë kushte për trajtimin e mbeturinave tjera përveç atyre sanitare. Një ndër problemet që hasin deponitë janë eshtrat shtazore të cilat hedhen nëpër kontejnerë dhe pastaj dërgohen në deponi. Abdullah Haxhiu, thotë se në deponitë sanitare konform legjislacionit në fuqi nuk janë të lejuara që të deponohen këto mbeturina. “Megjithatë legjislacioni i jep të drejte MMPH-se që me një vendim të lejojë përkohësisht deponimin e këtyre mbetjeve edhe në këto deponi”, thotë Haxhiu.
Gjithashtu këto deponi nuk pranojnë as mbeturinat e gomave, përveç atyre që u shkojnë si mbeturina, por që përdorën për ndërtimin e lagunave dhe të mureve mbrojtëse të deponive.
Mbeturinat medicinale përzihen me ato sanitare
Një gjë shqetësuese dhe e rrezikshme është përzierja e mbeturinave sanitare me mbeturina medicinale nëpër kontejnerë. Këto mbeturina jo që nuk duhet të hedhen në kontejnerë nëpër vendbanime, por ato është e domosdoshme që të trajtohen paraprakisht para se të hedhen edhe në deponi të mbeturinave.
Edhe raport i auditimit mbi menaxhimin e mbeturinave medicinale, që është publikuar në muajin gusht 2013, tregon se mbeturinat medicinale shpesh përzihen me mbeturina të zakonshme komunale. Në këtë raport thuhet se transportimi i tyre nuk bëhet me mjete të përshtatshme transportuese, trajtimi final i tyre nuk bëhet në mënyrë të duhur dhe të kontrolluar dhe se menaxhimi i këtyre mbeturinave bëhet në mënyrë të paplanifikuar.
“Ne arrijmë në konkluzionin se menaxhimi i mbeturinave nuk është duke u bërë në mënyrë të duhur, në atë mënyrë që do të siguronte ruajtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, duke çuar rrjedhimisht në kontaminimin e ajrit, ujit dhe tokës. Ne kemi vërejtur se magazinimi i qeseve të mbeturinave ka qenë joadekuat. Gjatë observimeve tona, kemi vërejtur se mbledhësit e mbeturinave nga klinikat në QKUK (stafi i kontraktuar i kompanisë për pastrim) mbante në dorë pa dorëza mbrojtëse qese plastike të verdha me mbeturina infektive, duke bërë hedhjen e tyre në të njëjtin kontejner ku hidheshin edhe mbeturinat komunale”, thuhet ndër të tjera në raport.
Abdullah Haxhiu, thotë se në të gjitha deponitë ku përgjegjëse për menaxhimin e tyre është KMDK, ky lloj mbeturinave është rreptësishtë e ndaluar dhe kjo bëhet përmes kontrollit të çdo zbrazje në sektorin e mbeturinave nga punëtorët përgjegjës të KMDK në secilën deponi.
Ndërsa, Zeqir Veselaj, thotë se mbeturinat spitalore janë të rrezikshme dhe me të gjitha direktivat e BE-së këto mbeturina nuk guxojnë të deponohen në deponitë sanitare, para se ato të digjen në temperatura shumë të larta.
Në Kosovë nuk ka deponi për trajtimin e mbeturinave të rrezikshme, si:
Vajrat e përdoruara të automjeteve; Bateritë;
Akumulatorët;
Mbeturinat spitalore;
Mbeturinat shtazore;
Barnat e skeduara;
Ambalazhi i substancave të rrezikshme,
Mbeturinat e gomës dhe plastikës, Mbeturinat elektrike dhe elektronike, Pesticidet e skaduara
“Trajtimi i këtij lloji të mbeturinave, ndodh pak tek ne, si në QKUK dhe në disa spitale rajonale, por në shtëpitë e shëndetit, këto hedhen tek mbeturinat tjera gjë që nuk guxon në asnjë mënyrë”, thotë Veselaj.
Në Kosovë nuk ka deponi për trajtimin e mbeturinave të rrezikshme, si vajrat e përdoruara të automjeteve, bateritë, akumulatorët, mbeturinat spitalore, shtazore, barnat e skeduara, ambalazhi i substancave të rrezikshme, mbeturinat e gomës dhe plastikës, mbeturinat elektrike dhe elektronike, pesticidet e skaduara, etj.
Sa i përket vajrave të automjeteve Preportr ka biseduar me disa autoservise ku bëhet ndërrimi i vajit. Disa nga ata kanë thënë se e përdorin këtë vaj gjatë dimrit përmes disa stufave, ndërsa disa ua shesin kompanive që merren me ndërtimin e rrugëve.
Preportr ka marrë statistikat për importin e vajit që është bërë nga Kosova për tetë vitet e fundit. Sipas këtyre të dhënave, ka një trend të rritjes së importit të vajrave që sillet nga 10 deri në 15 milionë litra ton në vit. Gjithashtu sipas të dhënave që janë marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, deri në fund të vitit 2013 në Kosovë janë të regjistruara mbi 283 mijë automjete. Këto automjete së paku njëherë në vit e ndërrojnë vajin.
Sipas njohësve të çështjeve të mjedisit, vajrat e automjeteve që janë përdorur duhet të digjen në temperatura tepër të larta nëpër fabrika të veçanta, në mënyrë që të jenë sa më pak të dëmshme për ambientin. Ndërsa në të kundërtën, çdo lloj përdorimi i këtij vaji është i dëmshëm për ambientin. Zeqir Veselaj thotë se ndotja më e madhe bëhet kur vaji i tillë hedhet në ujë. Sipas tij, një litër vaj i përdorur mjafton për t’i bërë të pa përdorshme 100 mijë litra ujë të pijshëm.
Rreziku nga prania e personave të paautorizuar
Në deponinë e Gjilanit, e cila është hapur në qershor të vitit 2003 e financuara prej BE-së me vlerë prej 3 milionë euro, një gjë shqetësuese është edhe prania e një numri të madh të personave të paautorizuar që mbledhin mbeturina. Pjesë e këtij grupi janë edhe fëmijët, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre duke mbledhur mbeturina gjatë gjithë ditës.
Personat që mbledhin mbeturina në këtë deponi, i kanë të ndarë edhe kamionët dhe llojin e mbeturinave që ka për t’i mbledhur secili grup. Gjithashtu një grup i këtyre personave kanë krijuar një ambient me batanije dhe çadra për të fjetur natën dhe që të jenë sa më afër deponisë.
Drejtuesit e kësaj deponie thonë se prania e këtyre personave mund të shkaktojë edhe ndezjen e ndonjë zjarri, pasi që një pjesë e tyre konsumojnë cigare gjatë grumbullimit të mbeturinave dhe se në mbeturina ka gazra që mund të shpërthejnë dhe të përfshijnë gjithë deponinë.
Sa i përket pranisë se këtyre personave në deponinë e Gjilanit, drejtori i KMDK-së Abdullah Haxhiu, thotë se është i vështirë pengimi i tyre dhe se për t'i larguar këta persona është kërkuar ndihmë edhe nga Policia e Kosovës.
"Kemi pasur disa takime me policinë në Gjilan dhe ne u jemi drejtuar çdo here policisë përmes shkresave për largimin e këtyre personave, kemi gjetur edhe mbështetjen e tyre. Janë marrë disa aksione. Arsyeja kryesore e rezistimit të këtyre personave për të mos u larguar është shitja e llojeve të veçanta të mbeturinave përmes grumbullimit që ata bëjnë", thotë Haxhiu.
Ndërsa, në deponinë e Podujevës ndodhet edhe një kontejner me pesticide të rrezikshme, i cili paraqet një rrezik të madh për njerëzit që punojnë aty si dhe për ambientin. Drejtori i KMDK-së Abdullah Haxhiu thotë që nga viti 2005 kontejneri është vendosur nga inspektorati i MMPH-së dhe se KMDK nuk i dinë arsyet e vendosjes së këtij kontejneri, kur dihet se deponia nuk është projektuar dhe ndërtuar për pranimin edhe të këtyre llojeve të mbeturinave të rrezikshme.
"Ky kontejner është i mbyllur hermetikisht dhe nuk ka rrjedhje. Por rrjedhja eventuale mundë të dëmtojë ambientin dhe ekosistemin. Megjithatë ne jemi në vazhdimësi duke e monitoruar dhe për çdo rrjedh eventuale do të njoftojmë organet kompetente", theksoi Haxhiu.
Deponi të egra rreth deponive
Në të gjitha deponitë e mbeturinave që ka vizituar Preportr, shihet se afër të gjitha deponive hedhen mbeturina nga banorët e fshatrave përreth, duke përfshirë edhe mbeturina të rrezikshme, si eshtra, pajisje elektronike etj, të cilat deponitë aktualisht nuk i pranojnë. Ndërsa shembulli më i keq është afër deponisë së Podujevës, ku përveç eshtrave shtazore të përdorura, janë groposur edhe qentë e vrarë, e që fatkeqësisht ka gropa të tilla ku këto mbetje të rrezikshme nuk janë të mbuluara si duhet dhe eshtrat e tyre shihen mbi tokë.
Muhamet Malsiu thotë se një nga arsyet e krijimit të deponive të egra, por edhe hedhjes së tyre afër deponive është mosriciklimi i mbeturinave.
“Me deponitë e egra dhe mbeturinat që hedhen afër deponive është dashtë të merren inspektoratet komunale, të cilat kanë të drejtë të shkruajnë edhe gjoba të drejtpërdrejta ndaj personave fizik në vendin ku i hedhin mbeturinat”, thotë ai.
-
HulumtimeNa e prishim edhe gurin
-
14 Korrik '15
-
Autor: Besa Kalaja, Besnik Boletini, Kosovare Lalinovci
-
-
HulumtimeQyteti nën dhe
-
14 Korrik '15
-
Autor: Besa Kalaja, Besnik Boletini, Kosovare Lalinovci
-
-
HulumtimeLufta në paqe e veteranit
-
9 Qershor '15
-
Autor: Besa Kalaja, Leonida Molliqaj
-