Programet
Antikorrupsion / Hulumtime

Qasja në drejtësi dhe të drejtat e njeriut

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! në partneritet me OJQ-në Komunikimi për Zhvillim Shoqëror, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për monitorimin e gjykatave. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në muajin prill 2016, organizatat kishin filluar monitorimin e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar, rastet nga veprat penale kundër Martesës dhe Familjes si dhe rastet nga neni 147 i Kodit Penal të Kosovës

Raport i monitorimit të gjykatave në Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan

(maj 2016 – maj 2017)

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! në partneritet me OJQ-në Komunikimi për Zhvillim Shoqëror, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për monitorimin e gjykatave. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në muajin prill 2016, organizatat kishin filluar monitorimin e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar, rastet nga veprat penale kundër Martesës dhe Familjes si dhe rastet nga neni 147 i Kodit Penal të Kosovës.

Qëllimi i fokusit në kapitujt e tillë të veprave penale është monitorimi i lëndëve të caktuara si lëndë për trajtim me prioritet, rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe krahasimi me veprat tjera penale të karakterit sensitiv, ato kundër dhunës në familje dhe kundër të drejtave të njeriut, siç janë rastet penale nga kapitulli i veprave penale kundër familjes dhe martesës si dhe vepra penale e nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. 

Gjatë periudhës një vjeçare, ÇOHU! dhe CSD kanë monitoruar gjithsej 102 raste me 214 seanca gjyqësore në gjykatat themelore në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë, me ç’rast janë identifikuar shkelje të ndryshme në sistemin gjyqësor nga këto tri gjykata, duke filluar nga ato teknike dhe procedurale, deri te ato përmbajtjesore. 

Fokus i analizës janë të gjeturat e monitorimit, krahasimin dhe analizimin e të dhënave për veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe të tjerat që ishin fokus i analizës dhe monitorimit.

Fillimisht të gjeturat nga analiza e të dhënave për vitin 2015 dhe 2016, identifikojnë shpërputhje dhe mos-harmonizim të të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës për rastet e korrupsionit dhe, ndëshkimet e pakta dhe të ulëta nga gjykatat.

Sipas llogaritjes së të dhënave për vitin 2015, gjejmë se ka shpërputhje për 59 raste me 59 persona, me ç’rast në mekanizmin përcjellës të KPK-së për rastet e korrupsionit, figurojnë 59 raste me shumë dhe 59 persona më pak sesa do të duhej të ishin, bazuar në të dhënat në punë, pa ato të zgjidhura gjatë periudhës janar – dhjetor 2015.  Ndërsa për vitin 2016, mospërputhja e lëndëve ekziston në numër më të vogël të rasteve,2 raste me 78 persona më shumë. 

Çohu! dhe CSD konsiderojnë se mospërputhja e të dhënave të tilla, në veçanti rasteve të korrupsionit, dëshmon problemet e vazhdueshme të KPK-së lidhur me unifikimin dhe procedimin e saktë të rasteve të tilla. Edhe pse në dukje probleme të natyrës teknike, Çohu! dhe CSD vlerësojnë se mospërputhja e të dhënave nga mekanizmi përcjellës, pamundëson qasjen në të dhënat e sakta dhe si pasojë krijon vështirësi në analizën dhe përfundimin e procedimit të këtyre të dhënave nëpër kategori të ndryshme.

Ndërsa në anën tjetër bazuar në të dhënat e KGjK-së, në gjykata, dominojnë dënimet e lehta për rastet e veprave penale të korrupsionit, derisa gjithashtu vërehet mungesa e  ndëshkimeve për rastet e krimit të organizuar. 

Nga raporti del se si në prokurori, ashtu dhe në gjykata numri me i madh i lëndëve të trajtuara janë ato të natyrës së korrupsionit.

Bazuar në të dhënat e KPK-së për kapitujt përkatës, prokuroritë kishin zgjidhur 44.76% të personave të përfshirë në rastet e natyrës së korrupsionit gjatë vitit 2016 ( 1,115 persona nga gjithsej  2,491 të tillë sa ishin në punë për këtë periudhë),  45.86% të personave për veprat penale kundër martesës dhe familjes, kanë zgjidhur  41.38% për krimin e organizuar dhe vetëm  18.22% të personave ( 16 persona nga  85 të tillë sa kishin në punë prokuroritë gjatë  vitit 2016).

Veprat penale të korrupsionit prijnë me përqindjen e rasteve të zgjidhura edhe në gjykata me ç’rast nga gjithsej  929 rastet e korrupsionit në punë gjatë  vitit 2016, gjykatat themelore në shkallë të parë kanë zgjidhur  357 raste apo  38.4% të tyre.  30.6% dhe  35.71% janë zgjidhur rastet për veprat penale kundër martesës dhe familjes, përkatësisht vepra penale e nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, derisa vetëm  3 raste nga gjithsej  63 të tilla në punë i rasteve të krimit të organizuar, janë zgjidhur gjatë vitit 2016.

Edhe pse të trajtuara me prioritet po ashtu nga gjykatat, rastet e korrupsionit vazhdojnë të bartën nga viti në vit në numër pothuajse të njëjtë më atë të viteve paraprake. 

Monitorimi i Çohu! dhe CSD është bërë në baza ditore, me ç’rast fokus i monitorimit kanë qenë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Të gjeturat e monitorimit në tri gjykatat themelore, Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë, kanë identifikuar të gjetura të ndryshme, duke filluar nga ato me teknike siç janë mungesa e transparencës dhe vonesat në fillimin e shqyrtimeve gjyqësore, deri të shkeljet e afateve procedurale ligjore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Në regjionin e Mitrovicës, e cila gjithashtu përfshinë komunat në veriun e Kosovës, përveç mosfunksionimit të gjyqësorit në atë pjesë për më shumë se 8 vjet, monitorimi gjithashtu ka identifikuar probleme të vazhdueshme. Mungesa e kushteve normale për gjykim dhe mungesa e hapësirave në gjykatë, numri i madh i lëndëve dhe mungesa e numrit të mjaftueshëm me gjykatës dhe prokuror për të mbuluar të gjitha rastet, kishin rezultuar me vështirësitë e trajtimit të tyre (rasteve) brenda afateve ligjore dhe kishin pamundësuar zhvillimin normal dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore.

Çohu! dhe CSD konsiderojnë se përkundër lëvizjes në drejtim të funksionimit dhe trajtimit të rasteve të tilla për regjionin e Mitrovicës (veriu i Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), komunat veriore vazhdojnë të  kenë  probleme serioze në funksionim.

Organizata Çohu! dhe CSD konstatojnë se pamundësia e zhvillimit të  procesit të  rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të arsyeshme, shkelja e afateve hetimore dhe ato procedurale për procedimin dhe përfundimin e shqyrtimeve gjyqësore, është  shkelje e të  drejtave të  njeriut, e parapare me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, dispozitat kushtetuese për gjykimin e drejtë  dhe të arsyeshëm, Ligjin për Gjykatat si dhe dispozitat procedurale penale.

Tutje të gjeturat e monitorimit, identifikojnë mungesë të transparencës së gjyqësorit, me ç’rast seanca të rëndësisë publike në të cilat akuzohen funksionarë të lartë të cilët mbanin pozita të larta publike, janë mbyllur për publikun dhe të interesuarit si dhe kanë qenë të pa qasshme. Vonesa në fillimin  e shqyrtimeve gjyqësore si dhe shtyrja e tyre është identifikuar në të tri gjykatat e mbuluara me monitorim. 

Shkelje ende më e rëndë ishte mosrespektimi i afateve procedurale ligjore. Nga gjithsej  102 rastet e monitoruara me 214 seanca në tri gjykatat themelore (Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan), pothuajse në asnjërin prej rasteve nuk janë respektuar afatet ligjore të cilat kanë të bëjnë me caktimin dhe mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore (fillestar, dytësor dhe atij kryesor) si dhe me afatet e përfundimit të tyre. Edhe pse caktimi i një shqyrtimi fillestar përfshinte periudhën prej 30 ditë nga momenti i pranimit të rastit në gjykatë, sipas të dhënave të monitorimit një gjë e tillë nuk ishte bërë edhe deri në 3 vjet. 

Çohu! dhe CSD konsiderojnë se shkelja e afateve të tilla dhe mos-respektimi i tyre, është shkelje e dispozitave procedurale dhe vazhdon të ketë pasoja në tejzgjatjen e shqyrtimeve gjyqësore dhe grumbullimin e vazhdueshëm më lëndë. Njëkohësisht shkelja e tillë, është shkelje e parimeve të drejtësisë për një gjykim të drejtë dhe brenda kohës së arsyeshme. 

Bazuar në të dhënat e monitorimit në tri gjykatat përkatëse, nga gjithsej 102 rastet e monitoruara, 15 të tilla janë të kualifikuara si korrupsion i nivelit të lartë. Sipas të dhënave të monitorimit, në rastet e korrupsionit të lartë, të përfshirë janë personat nga profilet e ndryshme, deri të biznesmenë dhe qytetar të thjeshtë si: deputetë, ministra, zv/ministra dhe sekretar të përgjithshëm të ministrive, kryetar  të komunave, kryetar të gjykatave, kryeprokuror dhe të tjerë. Organizata Çohu! dhe CSD identifikojnë si shqetësuese rastet e pakta të profilit të lartë, gjithashtu mënyrën e zgjidhjes së rasteve të tilla. Nga gjithsej 13 personat e profilit të lartë, rastet ndaj 8 të akuzuarve kanë përfunduar, në shkallë të parë apo të dytë, derisa rastet për 5 të tjerë, vazhdojnë të jenë në procesin gjyqësor. 

Nga gjithsej 8 të akuzuarit ndaj të cilëve ka përfunduar procesi gjyqësor (2 ministra, 4 kryetar komunash, një kryetar gjykate dhe një kryeprokuror) 4 janë shpallur fajtor dhe janë ndëshkuar me dënimet minimale, ndërsa ndaj 4 të tjerëve janë hedhur poshtë aktakuzat në mungesë të provave, sipas arsyetimit të gjykatës.

Çohu! dhe CSD vlerësojnë se dënimet e ulëta, hedhja poshtë e aktakuzave dhe lirimi i zyrtarëve të kualifikuar si zyrtar me profilin e lartë, dëshmon edhe njëherë për shkallën e ulët të luftimit dhe ndëshkimit të korrupsionit të nivelit të lartë.

Tutje në aneksin e raportit, është trajtuar efikasiteti i gjykatave dhe prokurorive veçanërisht për secilin kapitull. KPK dhe KGjK kishin vendosur që lëndët e natyrës korruptive, të trajtohen me prioritet absolut, duke nxjerrë Strategji dhe Plane të Veprimit për reduktimin e lëndëve të korrupsionit dhe trajtimin e tyre me prioritet. Derisa gjatë vitit 2016, prokuroritë kishin zgjidhur gjithsej  461 raste, në anën tjetër gjykatat për periudhën e njëjtë kishin zgjidhur  357 raste të natyrës së korrupsionit. 

Rastet e krimit të organizuar janë shpallur gjithashtu si lëndë për trajtim me prioritet nga prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë, të cilat madje janë kategorizuar edhe si standard për të arritur në proceset e ndryshme integruese. Edhe pse lëndë më komplekse për nga natyra, mbetët shqetësues numri i vogël i rasteve të zgjidhura në prokurori dhe gjykata, më theks të veçantë në gjykata. Për dy vjet me radhë (2015, 2016), gjykatat kishin zgjidhur vetëm 5 raste të krimit të organizuar dhe marrë parasysh faktin e standardit me prioritet, shifra e tillë as për së afërmi nuk përmbushë luftimin e dukurisë së tillë si një ndër dukuritë problematike në Kosovë. 

Organizata Çohu! dhe CSD konsiderojnë se numri i madh i rasteve të trashëguara nga viti në vit, vazhdojnë të mbetën ngarkesa kryesore, në veçanti për gjyqësorin. Profilizimi i prokurorëve dhe gjykatësve për veprat penale të natyrës së njëjtë, gjithashtu rritja e numrit të nevojshëm me prokurorë, gjykatës dhe bashkëpunëtor profesional, do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të madh në gjykata dhe prokurori, si dhe në procedimin më efikas të prokurorisë dhe gjykatave në trajtimin e rasteve të korrupsionit. 

Rekomandimet adresojnë të gjeturat për institucionet kryesore si KPK, KGjK, gjykatat dhe prokuroritë, Institutin Gjyqësor dhe të tjerë, dhe të cilat kanë të bëjnë me rritjen e numrit të gjykatësve dhe prokurorëve, evitimin e mos-përputhjes së të dhënave në mekanizmin përcjellës, vazhdimin e arsimimit ligjor, përgjegjësinë gjyqësorit dhe prokurorisë për vjetërsimin e lëndëve, forcimin dhe krijimin e mekanizmave llogaridhënës në KGjK dhe KPK të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë dhe masat ndaj gjykatësve dhe prokurorëve.

  • Privatizimi

  • Reagime

    23 Dhjetor '16

    Reagim: Degradimi dhe shkatërrimi i PTK-së nga politika

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë më të cilin Post-Telekomi i Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për...

  • Hulumtime

    22 Qershor '15

    PTK: Nga agimi deri në muzg

    Raport hulumtues: Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës: Ky raport hulumtues ofron një ekzaminim të detajuar mbi zhvillimet dhe shkaqet kryesore që çuan në rënie të vazhdueshme dhe siç duket të...

  • Hulumtime

    19 Prill '13

    ACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real!

    Shitja e 75% të aksioneve të PTK-së, ka nxjerr lakuriq tendencën e Qeverisë që telekomin kosovarë t’ia jap kompanive ndaj të cilave kishte kusure të pashlyera. Qeveria me...

  • Hulumtime

    29 Tetor '12

    2017: Viti i Kolapsit Energjetik

    Bazuar në parametrat e tanishëm, Kosova do të ballafaqohet me një kolaps energjetik në vitin 2017. Vendi, tani për tani, nuk ka plan alternativ për furnizim me energji në rast se ndërtimi i...

  • Peportr

  • Hulumtime

    7 Korrik '17

    Vdekja e paralajmëruar

    Të premten e 30 qershorit një eskavator ka përplasur për vdekje 23 vjeçarin Elbasan Isufi. Ngjarja kishte ndodhur në deponinë e mbeturinave në Gjilan...

  • Hulumtime

    25 Maj '17

    Lomsh pa fije

    Inspektoratet janë institucione që kanë përgjegjësi mbikëqyrjen e ligjeve. Ekzistojnë 36 inspektorate të cilat funksionojnë në mënyrë të ndarë....

  • Hulumtime

    21 Shkurt '17

    Një jetë me frikë e diskriminim

  • Hulumtime

    1 Shkurt '17

    Rrafshojmë male

    Mijëra hektarë pyje janë prerë në mënyrë ilegale. Prerja e tyre është bërë më së shumti nga kompanitë që kanë fituar kontrata për t’i...