-
ReagimeReagim: Degradimi dhe shkatërrimi i PTK-së nga politika
-
23 Dhjetor '16
-
Autor: Organizata Çohu!
-
-
HulumtimePTK: Nga agimi deri në muzg
-
22 Qershor '15
-
Autor: Lorik Bajrami, Qëndrim Bunjaku, Bardha Nikoliqi, Arton Demhasaj
-
-
HulumtimeACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real!
-
19 Prill '13
-
Autor: Lorik Bajrami, Qëndrim Bunjaku
-
Ka disa ditë, përkatësisht që prej botimit të emrave të kompanive të interesuara për privatizimin e PTK-së, mediet kosovare kanë raportuar mbi interesimin që ka shprehur Albright Group, përkatësisht entitetit Albright Capital Management LLC, për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së. Ajo që bie në sy menjëherë është njëanshmëria e raportimit të këtij lajmi si “futje e miqve në garën për PTK-në”.
Së pari, aspekti më i rëndësishëm i këtij lajmi nuk jepet. Albright Group, nëpërmjet anëtarëve të vetë është aksionar në kompaninë e vetme konkurrente të Vala900, operatorin mobil IPKO. Favorizimi nga media kosovare për këtë grup dhe injorimi i faktit se është pjesë e operatorit të dytë mobil përkatësisht operatorit IPKO, jo vetëm që paragjykon garën, por krijon një ambient për vendosjen e një monopoli në fushën e telekomunikacionit.
Së dyti, Albright Group me IPKO është bërë titullare e licencës së dytë të telefonisë mobile më 2007 nëpërmjet një tenderi skajshmërisht të manipuluar, i cili nuk ka lënë ligj pa e thyer. Vetëm të rikujtojmë se atëbotë është faktografuar se kërkesat bazike ligjore në këtë tender nuk janë përmbushur: 1) Nuk janë hapur publikisht ofertat, 2) nuk janë botuar me kohë kriteret, 3) një entitet është lejuar që të bëjë më shumë sesa një ofertë, 4) i ranguari i parë në atë kohë, Koscell ishte detyruar të tërhiqet nga gara pasi që nuk kishte paguar shumën prej 81 milion euro për licencë dhe dënimi prej 16,2 milionë euro, që ky konzorcium duhej ta paguante si dëmshpërblim nuk është derdhur kurrë në buxhetin e vendit përkundër faktit se ky ka qenë obligim ligjor. Duke qenë se në këtë tender patën dalë dyshime serioze se të gjitha partitë politike qenë futur në korrupsion, asnjë parti deri më sot nuk ka arritur të inkasojë 16,2 milionë eurot që konzorciumi Koscell është dashur të paguaj për shkak të dështimit të pagesës së ofertës financiare.
Në anën tjetër, ne kemi të bëjmë me një grup interesi të lidhur me IPKO-n të sistemuar në pushtetin aktual. Sot ka deputetë, zyrtarë të lartë qeveritarë, ambasadorë, që kanë qenë ose janë aksionarë, ose kanë qenë krah i marrëdhënieve me publikun i IPKO-s. Akan Ismaili, aksionar i IPKO-s, si rezultat i marrëdhënieve korruptive të krijuara më 2007 me PDK-në, ka arritur të emërohet diplomat në Washington edhe pse pa ndonjë kualifikim apo eksperiencë për këtë fushë.
Ka disa vite që Vala është menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Pjesëtarë të Bordit dhe menaxherë të lartë janë akuzuar nga prokuroria për nënshkrimin e kontratave të dëmshme për këtë kompani. Menaxherë të PTK-së dhe të konkurrentit të saj IPKO kanë lëvizur nga njëra në kompaninë tjetër duke bartur kështu jo vetëm ndikim por edhe informacione që mund të përbëjnë fshehtësi
komerciale. Qeveria ka filluar një fushatë punësimi në PTK të anëtarëve të partive në pushtet, të paparë ndonjëherë, që ka rënduar shumë mundësinë e kësaj kompanie që të përballojë konkurrencën agresive të operatorit privat. PTK-ja praktikisht nuk ka marketing, ose ka marketing tepër pasiv kundruall një konkurrenti tepër agresiv.
Disa sektorë të PTK-së që janë njëkohësisht edhe fushë biznesi e konkurrentit të saj IPKO, kanë ngelur qëllimisht të pazhvilluara edhe përkundër infrastrukturës shumë më të avancuar në krahasim me konkurrentin. Ajo që tashmë publikisht dihet është se IPKO-s iu është mundësuar shtrirja e televizionit kabllor pikërisht duke shfrytëzuar rrjetin e fijeve optike të PTK-së, duke e lënë këtë të fundit në një nivel shumë të ulët e të mjerueshëm të shfrytëzimit të sistemit të saj të fijeve optike. PTK-ja si internet-provajder ka vazhduar shërbime të dobëta, kurse platforma e pakos televizive vetëm sa nuk ka kolapsuar.
ÇOHU! mendon se përfshirja e Albright Capital Management rrezikon që privatizimi i PTK-së të jetë një garë me konflikte të interesit dhe me motive jo-racionale biznesore që ka për të cenuar seriozisht barazinë në garë, ashtu siç ndodhi më 2007, kur operatori i këtij grupi arriti ta manipulojë tenderin derisa licenca iu dha konzorciumit pjesë e së cilës ishte ky grup. Me këtë, jo vetëm që do të dëmtohet edhe më tutje, sikur edhe më 2007, mbisundimi i ligjit dhe do të hapej edhe më shumë mundësia e korruptimit të politikës, por edhe do të krijohej një monopol i një grupi interesi duke bërë që tregu i telefonisë mobile në Kosovë të deformohet seriozisht.