Një javë më parë kryeministri Agim Çeku në fjalimin e tij të përjavshëm, duke iu përgjigjur kritikave për mospunën e kabinetit të tij, i ka quajtur cinike ato kritika dhe ka thënë se kjo Qeveri ka arritur suksese. Zoti Çeku ka përmendur kursimin e 600 mijë eurove si një të arritur të kësaj qeverie. Edhe sikur të mos ishte demantuar brenda ditësh, shuma e kursyer prej 600 mijë eurosh është e mjerë kur e përballon me milionat e dyshuara si të keqpërdorura.
Në një aktivitet të mëhershëm, Organizata ÇOHU dhe Koalicioni Anti-korrupsion ka sjellur para jush nivelin e ulët të kualifikimit të përgjithshëm të Qeverisë Çeku dhe kemi vënë në pah dështimet e kësaj qeverie në sferat kryesore publike, dështime të cilat bëjnë vetëm të logjikshëm konstatimin se kjo qeveri ka dështuar.
Sot, po ju sjellim një aspekt tjetër të së vërtetës sonë të përditshme, atë të varfërisë së përgjithshme të popullsisë kosovare. Kosovarët sot janë shumëherë më të varfër sesa secili popull i rajonit.
Kryeministri Çeku dhe njerëzit nga kabineti i tij do duhej të kuptonin se cinizmi më i madh që po i bëhet një populli të tërë është vazhdimi i mohimit të realitetit tepër brutal përsa i përket kualitetit të dobët të jetës së kosovarit dhe të folurit për sukseset që nuk shihen askund. Suksesi i vetëm për të cilin do të mund të fliste z. Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij, është pasurimi i zyrtarëve të lartë qeveritar. Kosova meriton një qeveri më të kualifikuar se kjo, e cila do të nxjerrë dhe bartë politikat e duhura për zhvillim të Kosovës.
Në një letër që kemi shpërndar për qytetarët kosovar para më se një jave, i jemi drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe qytetarit të Kosovës me alarmin për dështimet në qeverisjen e Kosovës. Kjo nuk ishte hera e parë që ne jemi munduar ta alarmojmë Kuvendin e Kosovës për gjendjen e rëndë në qeverisje. Kuvendi akoma nuk ka bërë përpjekje për të adresuar problemet që i kemi ngritur. Prandaj, ne sot po i drejtohemi qytetarit të Kosovës, në përpjekje për ta sensibilizuar atë mbi injorimin total që po i bëhet nga qeveritarët aktual.