Gazetarë nga media të ndryshme të Kosovës dhe hulumtues të organizatave joqeveritare po ndjekin Shkollën për Gazetari Hulumtuese.

Shkolla për Gazetari Hulumtuese është një projekt që ka filluar në vitin 2012 me mbështetjen e Civil Rights Defenders. Këtë vit projekti është realizuar me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ideja fillestare e këtij projekti është të ofrojë përvojën dhe metodologjinë hulumtuese që organizata ÇOHU! ka arritur të ndërtojë ndër vite.

Dita e parë e trajnimit është fokusuar në avancimin e aftësive në gazetarinë hulumtuese dhe është udhëhequr nga përfaqësues të Rrjetit për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit (KRIK).

Në ditën e dytë të trajnimit është diskutuar për temën “Metodat dhe mjetet e hulumtimit në gazetarinë hulumtuese”. Trajnimi ka nisur me një prezantim dhe diskutim për analizën lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe nevojën për miratimin e ligjit anti-mafia.

Ndër të tjera, trajnimi ka vazhduar me diskutime për metodat e hulumtimit përmes kërkimit të avancuar në Google, hulumtimin përmes rrjeteve sociale, si dhe për mënyrat dhe praktikat më të mira të hulumtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dita e tretë e trajnimit ka përfshirë temat që lidhen me funksionimin e kompanive offshore, hulumtimin e strukturave të kompanive dhe mënyrat e sigurimit të të dhënave për kompanitë nga mbarë bota. Po ashtu është diskutuar se si të kuptohen dokumentet e kompanive dhe të dhënat e tyre financiare.

Ndërsa në ditën e fundit të trajnimit është diskutuar për ndërtimin e databazave për pasurinë e politikanëve, sigurinë fizike të gazetarëve, kodimin e të dhënave dhe komunikimin në mënyrë të sigurt.

Organizata ÇOHU!, përkatësisht Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, për tre vjet ka bashkëpunuar me Qendrën Rumune për Gazetari Hulumtuese (RCIJ), ndërsa tani është viti i dytë i bashkëpunimit me Rrjetin për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit (KRIK).

Ky është viti i pestë që organizata ÇOHU! organizon Shkollën për Gazetari Hulumtuese.