Edhe këtë vit është mbajtur Shkolla për Gazetari Hulumtuese e organizuar nga organizata ÇOHU, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Pjesa e parë e trajnimit u mbajt nga Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it, ku u diskutua për problemet mjedisore në Kosovë.

Gazetarë nga media të ndryshme në Kosovë kanë ndjekur ligjëratat dhe prezantimet e hulumtuesve të rrjetit KRIK. Për dy ditë me radhë, pjesëmarrësit kanë mësuar se si funksionojnë kompanitë offshore dhe si të hulumtojnë kompanitë në mbarë botën, si të gjurmojnë pasurinë e politikanëve dhe si të qasen në dokumente publike.

Në ditën e tretë dhe të katërt kanë ligjëruar Visar Prebeza nga KALLXO.com, Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Besnik Boletini nga organizata ÇOHU. Pjesëmarrësit kanë mësuar mënyrat se si gazetarët duhet t’u qasen temave të mjedisit, si të identifikojnë burimet e informacionit dhe si të trajtojnë sinjalizuesit.

Po ashtu, pjesëmarrësit janë informuar në detaje, përmes shembujve ilustrues, për rëndësinë e zbatimit të Kodit të Mediave të Shkruara gjatë raportimit, si dhe për procedurat e ankesave në KMShK dhe trajtimin e tyre.

Ky është viti i njëmbëdhjetë me radhë që ÇOHU organizon Shkollën për Gazetarinë Hulumtuese për gazetarë dhe hulumtues të organizatave të shoqërisë civile.