Është mbajtur Shkolla për Gazetari Hulumtuese e organizuar nga ÇOHU me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Gjatë ditës së parë dhe të dytë të trajnimit, gazetarë nga media të ndryshme në Kosovë kanë ndjekur ligjëratat dhe prezantimet e hulumtuesve të rrjetit KRIK, të cilët kanë shpalosur metoda të avancuara të hulumtimeve online si dhe mënyra të komunikimit të sigurt. Ata gjithashtu kanë shpjeguar se si funksionojnë kompanitë offshore dhe si mund të hulumtohen kompanitë në mbarë botën, si të gjurmohet pasuria e politikanëve dhe si të qaset në dokumente publike.

Në ditën e tretë dhe të katërt të Shkollës për Gazetari Hulumtuese, pjesëmarrësit janë informuar për rëndësinë e sondazheve dhe anketave në hulumtime të ndryshme, për rëndësinë e zbatimit të Kodit të Mediave të Shkruara gjatë raportimit, si dhe për ankesat në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe trajtimin e tyre.

Gjithashtu është prezantuar puna e Preportr në fushën e mjedisit, metodologjia e përdorur për realizimin e hulumtimeve, si dhe janë shpalosur metoda të ndryshme për krijimin dhe përdorimin e databazave në raportimet gazetareske.

Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit janë trajnuar se si të përdorin metoda të ndryshme hulumtuese për realizimin e hulumtimeve në fushën e mjedisit.

Ky është viti i dhjetë me radhë që ÇOHU organizon Shkollën për Gazetarinë Hulumtuese për gazetarë dhe hulumtues të organizatave të shoqërisë civile.