Gazetarë nga media të ndryshme të Kosovës dhe hulumtues të organizatave joqeveritare kanë ndjekur Shkollën për Gazetari Hulumtuese. Gjatë ditës së parë, përmes shembujve konkretë, pjesëmarrësit kanë mësuar se si funksionon desku hulumtues dhe për metoda të ndryshme të hulumtimit që lidhen me krimet në fushën e mjedisit. Ata gjithashtu janë njoftuar me metodat e kërkimit në internet si dhe me mënyrat e komunikimit të sigurt mes vete dhe me burimet e tyre.
Në ditën e dytë të Shkollës së Gazetarisë Hulumtuese, pjesëmarrësve u është ligjëruar se si të hulumtohet korrupsioni, si funksionojnë kompanitë offshore dhe si të bëhet hulumtimi për kompanitë jashtë vendit, si të hulumtohet përmes rrjeteve sociale dhe si të qasen në dokumente publike.
Në ditën e tretë të Shkollës së Gazetarisë Hulumtuese, pjesëmarrësit kanë ndjekur prezantimin e punës që ka bërë Preportr në vitet e fundit lidhur me degradimin mjedisor në Kosovë. Ata janë njoftuar me metodat e përdorura për realizimin e këtyre hulumtimeve. Kanë mësuar se si të krijojnë databaza të ndryshme dhe si t’i përdorin ato në raportime gazetareske, si dhe si të gjejnë dhe verifikojnë lidhje mes partive politike dhe bizneseve.
Në pjesën e dytë të ditës ka ligjëruar Imer Mushkolaj, kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka folur për rëndësinë e raportimit duke respektuar Kodin e Etikës në gazetari.
Ndërkaq, në ditën e fundit të trajnimit pjesëmarrësit kanë zhvilluar një punëtori praktike. Ata kanë përzgjedhur tema të ndryshme të mjedisit, janë ndarë në grupe dhe kanë praktikuar metodologjinë se si të planifikojnë dhe realizojnë hulumtimet.
Ky është viti i nëntë që organizata ÇOHU! organizon Shkollën për Gazetari Hulumtuese për gazetarë dhe hulumtues të organizatave joqeveritare.