Edhe këtë vit është mbajtur shkolla mbi metodat e hulumtimit në gazetari, e cila këtë vit ka pasur për fokus raportimin për çështjet e mjedisit.
Në ditën e parë të shkollës, hulumtuesit e rrjetit KRIK kanë prezantuar para pjesëmarrësve metodat hulumtuese me të cilat punon ky rrjet. Po ashtu është diskutuar për raportimin mbi krimet që lidhen me mjedisin, metodat e avancuara të hulumtimeve online si dhe sigurinë e të dhënave.
Ndërsa në ditën e dytë të shkollës është ligjëruar për ndotjen e mjedisit nga Sabit Restelica, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Po në këtë ditë, ndër të tjera, pjesëmarrësit janë informuar nga përfaqësuesit e KRIK se si funksionojnë kompanitë offshore dhe si realizohen hulumtimet për kompanitë jashtë vendit.
Gjatë ditës së tretë, pjesëmarrësit u njoftuan me aktivitetet hulumtuese të organizatës ÇOHU! dhe platformës Preportr lidhur me degradimin e mjedisit në Kosovë.
Po ashtu, të ndarë në grupe, ata propozuan tema hulumtuese mbi mjedisin dhe i prezantuan metodat hulumtuese që planifikojnë t’i përdorin gjatë punës së tyre. Ky sesion është moderuar nga Imer Mushkolaj.
Në këtë cikël të shkollës për gazetari hulumtuese kanë marrë pjesë gazetarë nga media të ndryshme në Kosovë, anëtarë të organizatave joqeveritare, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjykata.
Kjo shkollë organizohet nga ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.