Më 29 shtator 2018 ka nisur shkolla katërditore e gazetarisë hulumtuese, e cila u kushtohet gazetarëve të rinj, studentëve të gazetarisë dhe hulumtuesve të organizatave joqeveritare. Kjo shkollë organizohet për të shtatën herë me radhë nga Organizata ÇOHU.

Me një grup prej rreth 30 pjesëmarrësish, shkollën e hapi drejtori ekzekutiv i organizatës ÇOHU!, Arton Demhasaj. Pasi u uroi mirëseardhje të pranishmëve, ai foli për rëndësinë e gazetarisë hulumtuese, metodat e saj dhe rolin që ka kjo formë e gazetarisë.

Sesionin e parë e mbajti kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, i cili u fokusua në etikën në profesionin e gazetarisë, sidomos në implikimet që ka etika në gazetarinë hulumtuese. Në pjesën e dytë të ligjëratës ai foli për dukurinë e lajmeve të rreme, e cila përbën një trend global në epokën e teknologjisë informative.

Sesionin e pasdites e udhëhoqi drejtori i RTV Dukagjinit, i cili bëri një prezantim të zhvillimit të këtij radiotelevizioni, duke u fokusuar në debatet televizive, shikueshmërinë dhe sfidat që përcjellin emisionet e këtij formati.

Në ditën e dytë të Shkollës për Gazetarinë Hulumtuese me pjesëmarrësit bisedoi Besa Luci, kryeredaktore e Kosovo 2.0. Ajo foli për mediat e reja, për sfidat e gazetarisë së ngadalshme në Kosovë, si dhe për modelet e financimit të mediave dhe ruajtjen e cilësisë së gazetarisë përballë modeleve të mediave që funksionojnë kryesisht si biznese. Besa Luci gjithashtu theksoi rëndësinë e edukimit medial për zhvillimin demokratik të një vendi, duke nisur nga arsimi fillor dhe i mesëm.

Sesioni i dytë i kësaj dite iu kushtua qasjes në dokumente zyrtare. Drejtori i organizatës ÇOHU, Arton Demhasaj, prezantoi një pasqyrë të shkurtër të legjislacionit në Kosovë lidhur me të drejtën e qasjes në dokumente publike.

Dita e tretë e Shkollës për Gazetarinë Hulumtuese vazhdoi me diskutime për funksionimin e deskut hulumtues në gazetari, mënyrën e kodifikimit të të dhënave, komunikimin e sigurt si dhe kërkimin e avancuar përmes Google. Përfaqësuesit e KRIK – Rrjetit për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit, Jelena Vasiç, Dragana Peço dhe Bojana Jovanoviç, prezantuan përvojat e tyre hulumtuese përmes rasteve konkrete të publikuara nga KRIK, duke shpjeguar metodat dhe hapat e nevojshëm për realizimin dhe publikimin e hulumtimeve.

Bojana Jovanoviç u fokusua veçanërisht në rëndësinë e verifikimit të fakteve, ndërsa Jelena Vasiç vazhdoi me prezantimin për kërkimin e avancuar përmes Google, duke shpjeguar praktikat më të mira përmes shembujve konkretë. Dragana Peço dhe Bojana Jovanoviç prezantuan gjithashtu aplikacione për komunikim të sigurt dhe rëndësinë e tyre për mbrojtjen e informacionit.

Në ditën e fundit të shkollës, sesionet vazhduan me temat që lidhen me hulumtimin përmes rrjeteve sociale, funksionimin e kompanive offshore dhe mënyrat e hulumtimit të strukturave të kompanive ndërkombëtare. Sesioni u udhëhoq nga përfaqësuesit e KRIK.

Jelena Vasiç prezantoi mundësitë e hulumtimit përmes rrjeteve sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram, ndërsa Dragana Peço dhe Bojana Jovanoviç diskutuan për funksionimin e kompanive offshore, strukturën e korporatave ndërkombëtare dhe mënyrat e qasjes në dokumentet dhe personat që qëndrojnë prapa këtyre kompanive.

Këtë vit, Shkolla për Gazetarinë Hulumtuese është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).