E organizuar nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU! dhe me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), është mbajtur Shkolla për Gazetari Hulumtuese me programin e trajnimit “Metodat dhe mjetet e hulumtimit në gazetarinë hulumtuese”.

Shkolla për Gazetari Hulumtuese është një projekt që ka filluar në vitin 2012 me mbështetjen e Civil Rights Defenders. Që nga viti 2016, ky projekt është realizuar me mbështetjen e KFOS-it. Ideja fillestare e këtij projekti është të ofrojë përvojën dhe metodologjinë hulumtuese që organizata ÇOHU ka arritur të ndërtojë ndër vite.

Dita e parë e trajnimit është fokusuar në avancimin e aftësive në gazetarinë hulumtuese dhe është udhëhequr nga përfaqësues të Rrjetit për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit (KRIK).

Në ditën e dytë të trajnimit është diskutuar për temën “Metodat dhe mjetet e hulumtimit në gazetarinë hulumtuese”. Trajnimi ka nisur me një prezantim dhe diskutim për analizën lidhur me konfiskimin e pasurisë dhe nevojën për miratimin e ligjit anti-mafia.

Ndër të tjera, trajnimi ka vazhduar me diskutime për metodat e hulumtimit përmes kërkimit të avancuar në Google, hulumtimin përmes rrjeteve sociale, si dhe për mënyrat dhe praktikat më të mira të hulumtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dita e tretë e trajnimit ka përfshirë temat që lidhen me funksionimin e kompanive offshore, hulumtimin e strukturave të kompanive dhe mënyrat e sigurimit të të dhënave për kompanitë nga mbarë bota. Po ashtu është diskutuar se si të kuptohen dokumentet e kompanive dhe të dhënat e tyre financiare.

Ndërsa në ditën e fundit të trajnimit është diskutuar për ndërtimin e databazave për pasurinë e politikanëve, sigurinë fizike të gazetarëve, kodimin e të dhënave dhe komunikimin në mënyrë të sigurt.