Një rrugë që supozohej të ishte zgjidhje për banorët pas shtrimit të saj me asfalt u ka sjellë shumë probleme atyre. Rruga “Pajazit Islami”, në Komunën e Fushë Kosovës është e ngushtë, nuk ka ndriçim, vozitet shpejt në të dhe pa i bërë një vit prej kur është shtruar me asfalt është dëmtuar dukshëm. Me dëmtimet që i janë bërë vështirë se do të mund ta përballojë këtë dimër.
Kjo rrugë është shtruar në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale në Kosovë të vitit 2017. Një pjesë e kësaj rruge është në Komunën e Fushë Kosovës, kurse tjetra në Komunën e Obiliqit.
Banorët e kësaj rruge thonë se ajo nuk është shtruar siç duhet prandaj është dëmtuar shumë shpejt. Në Komunën e Fushë Kosovës që e kanë financuar këtë projekt thonë se rruga është ndërtuar sipas standardeve, por ata kur e kanë asfaltuar atë nuk e kanë menduar që nëpër të do të kalojnë automjetet e rënda siç janë kamionët. Fillimisht është menduar si rrugë lokale për nevoja të banorëve.
Nuk është hera e parë që në Kosovë ndodh që në një projekt të investohet dy e më shumë herë. Kjo ka kosto të madhe financiare. Zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës thonë se në këtë rast, pasi rruga është dëmtuar brenda një viti nuk kanë paraparë masa ndëshkuese për kompaninë, pasi sipas tyre ajo i ka kryer të gjitha punimet sipas kontratës dhe se rruga është ndërtuar vetëm për automjete të lehta.
Ekipi i Preportr disa herë e ka vizituar këtë rrugë dhe nuk ka parë asnjë shenjë të komunikacionit që ndalon qarkullimin e automjeteve me peshë të rëndë. Siç duket, Komuna e Fushë Kosovës nuk ka pasur bashkëpunim me Policinë e Kosovës në këtë aspekt.
Megjithatë rruga është dëmtuar shumë, vende-vende ka rrëshqitur, është plasaritur, e në disa pjesë asfaltin e ka mbuluar dheu, kjo për shkak se shtresa duket të jetë mjaftë e hollë.
Rruga “Pajazit Islami”, në Fushë Kosovë është dëmtuar në masë të madhe vetëm një vit pasi që është asfaltuar. Kjo ka bërë që banorët të reagojnë jo vetëm për dëmtimet që i ka pësuar, por edhe për faktin që ajo është shumë e frekuentuar dhe po paraqet rrezik për aksidente. Pas dëmtimit të madh kjo rrugë do të asfaltohet përsëri
Duke marrë parasysh këtë fakt, aty do të investohet sërish. Në këtë vit do të kryhet një pjesë e rrugës, duke ia vendosur edhe një shtresë asfalt dhe do të zgjerohet, ndërsa vitin tjetër e njëjta gjë do të bëhet me pjesën e mbetur të rrugës.
Preportr, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka kërkuar të shohë kontratën për këtë rrugë, për të parë detajet rreth shtresës së asfaltit dhe garancive me autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik për rrugën. Sipas kontratës një pjesë e rrugës prej 520 metra në “Pajazit Islami” është shtruar në verën e vitit 2017. Kjo rrugë është pjesë e një tenderi ku përfshihen edhe disa rrugë tjera lokale. Kontrata është nënshkruar me 19 qershor 2017 dhe atë e ka fituar kompania “Trasing Group”. Vlera totale e kontratës ka qenë 128 mijë e 474 euro.
Sipas paramasave të përmendura në kontratë, zhavorri apo materiali gurorë për punimin e bazamentit të zgjerimit të rrugës është bërë me trashësi 15 centimetra. Po sipas kontratës, në vendet ku ka pasur gropa është shtruar asfalt me trashësi shtatë centimetra. Ndërsa punimi i shtresës së asfaltit në tërë sipërfaqen e rrugës kryesore ka qenë pesë centimetra.
Në nenin 32/2 të kësaj kontrate thuhet se punët të cilat nuk i plotësojnë kushtet e kontratës, duhet nëse kërkohet, të shkatërrohen, të rindërtohen nga kontraktuesi ose të riparohen sipas kërkesës së autoritetit kontraktues, përndryshe kjo do të bëhet pas njoftimit të duhur në shpenzime të kontraktuesit, me urdhër të autoritetit kontraktues.
Gjithashtu e njëjta rrugë është shtruar në gjatësi prej 480 metra me 18 shtator të vitit 2016. Kjo pjesë e rrugës ka kushtuar 20 mijë e 152 euro. Punimet i ka kryer kompania “AHN Group”. Sipas paramasave të paraqitura në kontratë, kjo pjesë e rrugës është asfaltuar me trashësi shtatë centimetra.
Do të shpenzohet sërish në rrugën e njëjtë
Në rrugën “Pajazit Islami”, në Komunën e Fushë Kosovës, mezi kalojnë dy makina. Ajo është e gjerë vetëm katër metra dhe gjendet në një zonë mjaft të frekuentuar. Rruga lidhë dy komunat Fushë- Kosovë dhe Obiliq. Është afër Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe punëtorët e saj e shfrytëzojnë atë për të shkuar në punë ose për të kryer punë përmes saj.
Si rrugë në periferi që rrallë patrullohet nga policia e komunikacionit ajo paraqet rrezik të madh për banorët pasi që vozitësit i ngasin makinat me shpejtësi të madhe. Banorët tregojnë se kohëve të fundit në këtë pjesë kanë ndodhur shumë aksidente.
Komuna e Fushë Kosovës nuk e kishte paraparë që rruga do të paraqiste rrezik. Abdullah Prebreza, drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban, thotë se tani që e kanë parë që rruga paraqet rrezik për banorët do të marrin masat e duhura.
“Shenjat do të vendosen, do të ketë shenja që tregojnë se rruga nuk është për pesha të rënda po ashtu do të vendosim policë të shtrirë dhe të gjitha këto masa do të ndërmerren tash sepse ajo pjesë ka filluar të popullohet”, thotë ai.