I nderuari Kryeparlamentar,

Mungesa e transparencës në blerjen e makinës “Ford Diplomat VIP 2005” nga Zyrja e juaj me një çmim tepër të lartë dhe joreal, në kohën kur varfëria në Kosovë thellohet përdit e më tepër, ka ngritur dyshime për shkelje ligji, keqpërdorim të parave publike dhe për korrupsion. Për më tepër, pas akuzave publike në adresë të zyrës suaj, ju keni premtuar se do të bëni një sqarim publik në lidhje me këtë.

Opinioni publik dhe organizatat e nënshkruara në këtë letër, bazuar në ligjet e aprovuara nga Kuventi i Kosovës, kërkojnë nga ju që, si një nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës, të ofroni transparencën e premtuar për t’i hapur rrugë kështu zbatimit të një parimi elementar të demokracisë - llogaridhënies.

 Dhënia e llogarisë në lidhje me blerjen e makinës me çmim aq të lartë, jo vetëm që do plotësojë këtë parim shumë të rëndësishëm të demokracisë, por do të jetë në interes edhe të qytetarit, si dhe të spastrimit të emrit të institucionit nga akuzat në lidhje me këtë rast.

Raste tjera të akuzave për involvimin e udhëheqësve të lartë në korrupsion, fatkeqësisht, ka pasur edhe më herët. Mirëpo, në asnjë rast nuk është lejuar që këto akuza të sqarohen në organin më të lartë ligjdhënës - në Parlamentin e Kosovës. Sqarimi i akuzave në lidhje me keqpërdorime dhe korrupsion në rastin tuaj, do të shënonin fillimin e një lufte të hapur të institucioneve kosovare kundër korrupsionit.

 Kjo, jo vetëm që është një kërkesë  ligjore dhe legjitime, por edhe një obligim moral i juaji si prijës i institucionit më të lartë, i cili në të vërtet do duhej të kryej rolin e mbikëqyrësit të të gjitha institucioneve tjera.

 Me përgjigjen pozitive ndaj kësaj kërkese për transparencë, brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe me argumente të dokumentuara, do na bindi neve si pjesë të shoqërisë kosovare se ju dhe institucioni që drejtoni, më në fund, do të thyeni akullin në respektimin e interesit dhe dinjitetit të qytetarit dhe në fillimin e luftimit të korrupsionit si një problem që rëndon shumë shoqërinë tonë të lodhur nga varfëria.

Në vazhdim emrat e përkrahësve të kësaj kërkese:

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut

Asociacioni i Pensionerëve

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës

Koalicioni Gërmia 2005

Rrjeti i Grave të Kosovës