Gjatë tre mujorit të dytë mund të shënohen disa arritje të rëndësishme të Qeverisë Thaçi, ndër të cilat më të rëndësishmet janë prezantimi kushtimisht i quajtur i suksesshëm në konferencën e donatorëve, disa zhvillime infrastrukturore si ndërtimi i një numri rrugësh dhe disa shkollave dhe ndërmarrjen e inisiativës për të rregulluar sektorin në kaos të arsimit të lartë privat.
Nattyrisht sukseset e kësaj qeverie nuk kufizohen në këto tri segmente, por edhe gjatë këtyre tre muajve të fundit prej mbarimit të 100 ditëshit të parë, esencialisht theksi është vënë në konsolidimin e pushtetit dhe shtrëngimin e kontrollit në sektorin publik.
Nga politizimi që vendosi në njëqind ditëshin e parë Qeveria e Kosovës ka ecur një hap më tutje, duke vendosur një kontrollë të fortë jo vetëm në sferën publike, por ka krijuar bazë për një kontrollë të njëanshme ndaj strukturave të sigurisë dhe në një masë është shtrirë edhe ndikimi dhe kontrolli edhe në sektorin e medias. Kjo është bërë kryesisht duke zhvendosur individë në pozita të ndryshme brenda institucioneve por gjithnjë duke i ngritur në pozita individët e afërt me PDK-në dhe duke i ulur të padëgjueshmit dhe ata që “pengojnë” realizimin e qëllimeve të kësaj qeverie që shpesh nuk përkojnë me interesat e qytetarëve të Kosovës.
Politizimi i institucioneve të pavarura, futja e tyre nën kontroll, por edhe puna dhe mospuna e kësaj qeverie është tentuar të mbulohen me një fushatë të fortë mediale, e cila pothuajse nuk kanë lënë pa adresuar asnjë aktivitet apo kritikë ndaj qeverisë Thaçi. Gati secilës kritikë qoftë nga mediat dhe shoqëria civile apo opozita, kryeministri Thaçi ose ndonjëri nga ministrat e tij, i janë përgjigjur me një intervistë në ndonjërin prej mediumeve duke mbuluar kritikat me lëvdata për punën e qeverisë. Në fakt, kur marrim parasysh shkeljet e ligjit, politizimin e institucioneve të pavarura dhe konfliktet e interesit që kanë ndodhur qysh kur ka filluar punë kjo qeveri, kuptojmë se shkëlqimi nga makiazhi i tepruar ka për qëllim verbërimin e publikut, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme që mund të mbahen në vitin 2009.