Aksidentet fatale në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë shënuar një rritje shqetësuese. Sipas Inspektoratit të Punës deri në muajin gusht të këtij viti janë evidentuar 13 raste me fatalitet në vendin e punës, duke mos specifikuar se sa prej tyre janë në sektorin e ndërtimit, por në bazë të raportimeve nga mediat, shumica dërmuese e tyre janë nga ky sektor.
Aksidentet në këtë sektor kanë ndodhur në vazhdimësi ndër vite, edhe përkundër faktit se Ministria e Punës dhe inspektorati patën ndërmarrë disa vendime e veprime për të parandaluar aksidentet në punishtet e ndërtimit.
Në fund të vitit 2017, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kishte miratuar një pako rregulloresh për sigurinë dhe shëndetin në punë. Me Rregulloren MPMS nr. 06/2017 për kriteret minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendndërtimet e përkohshme apo mobile përcaktohej kërkesa specifike për sigurinë në vendpunishte, përfshirë masat për punën në lartësi, skelat dhe pajisjet e sigurisë.
Për shembull, me këtë rregullore kërkohet që platformat, shkallët, skelat dhe pajisjet e sigurisë të kontrollohen para përdorimit në mënyrë periodike të paktën çdo shtatë ditë, si dhe pas modifikimeve, periudhave të mospërdorimit, motit të ligë ose ngjarjeve që mund të ndikojnë në stabilitetin e tyre. Për punën në lartësi kërkohen masa mbrojtëse kundër rënies së punëtorëve dhe materialeve.
Gjithashtu, u insistua më shumë të zbatohet Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i miratuar në vitin 2013, i cili përcaktonte se kompanitë që kanë 50 deri në 250 punëtorë, duhej të caktonin një ekspert për sigurinë dhe shëndetin në punë. Për kompanitë me më shumë se 250 punëtorë, ligji parasheh angazhimin e një ose më shumë ekspertëve. Në vitin 2018 në masë më të madhe filluan trajnimet e ekspertëve për siguri në punë.
Në vitin 2021 u miratuan dy rregullore të rëndësishme: Rregullorja MPMS nr. 01/2021 për kualifikimin e personave përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe licencimin e kompanive që ofrojnë këto shërbime e trajnime, si dhe Rregullorja MPMS nr. 02/2021 për vlerësimin e riskut në vendin e punës. Kjo e fundit e trajton vlerësimin e riskut si një proces sistematik për identifikimin e rreziqeve, përcaktimin e personave që mund të dëmtohen dhe përcaktimin e masave parandaluese.
Gjendja nuk ndryshoi për të mirë
Pavarësisht këtyre hapave të ndërmarrë, gjendja në terren nuk po duket të ketë ndryshuar për të mirë. Për çdo vit ka raste të aksidenteve të rënda në sektorin e ndërtimtarisë, disa prej tyre edhe me fatalitet.
Raportet e Inspektoratit tregojnë se problemet me sigurinë dhe shëndetin në punë janë të vazhdueshme. Në raportin e vitit 2025, ndër mangësitë më të shpeshta të evidentuara ishin mungesa e trajnimit të punëtorëve, mungesa e shenjave të sigurisë, mangësitë në menaxhimin e emergjencave, mungesa e ndihmës së parë dhe mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse. Edhe pse këto shifra i referohen të gjithë sektorëve ekonomikë, ato janë veçanërisht relevante për ndërtimtarinë, ku puna kryhet në ambiente me rrezik të lartë.
Në vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit janë regjistruar 30 aksidente në vendin e punës. Në të njëjtin vit, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjoba ndaj punëdhënësve në 115 subjekte, prej të cilave 45 gjoba kanë qenë vetëm në sektorin e ndërtimit.
Në raportin e vitit 2022 theksohet se janë regjistruar gjithsej 394 aksidente, ndërsa 15 prej tyre kanë përfunduar me vdekje në vendin e punës.
Në vitin 2023, nga 11 aksidente fatale të regjistruara në të gjithë vendin, shtatë kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, duke e bërë këtë sektor dukshëm më të rrezikshëm krahasuar me sektorët tjerë.
Situata është bërë më shqetësuese në vitin 2025. Në sektorin e ndërtimtarisë janë regjistruar 208 aksidente, prej të cilave 198 kanë qenë jo-fatale dhe 10 fatale. Në këto aksidente janë evidentuar gjithsej 209 lëndime, përfshirë 11 me pasojë vdekjen.
Por, numri i aksidenteve në punë mund të jetë shumë më i lartë. Në një hulumtim të publikuar nga Kosovo 2.0 në vitin 2019, theksohet se në raportin vjetor të Inspektoratit të Punës për vitin 2017 figuronin vetëm 30 raste të lëndimeve në sektorin e ndërtimit, ndërsa deri në shtator të vitit 2019 ishin raportuar 39 lëndime.
K2.0 kishte bërë kërkesë te spitalet rajonale dhe në Klinikën Emergjente e QKUK-së që të bëjnë regjistrimin e veçantë të rasteve të lëndimeve të punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë muajit korrik të vitit 2019 që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore. Si rezultat, gjatë këtij muaji në spitalin rajonal të Pejës u evidentuan dhjetë raste të tilla dhe në spitalin e Prizrenit nëntë. Ndërsa të dhënat e pranuara nga Klinika Emergjente për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 tregojnë se 26 persona kanë kërkuar ndihmë për shkak se janë lënduar duke punuar në ndërtimtari.
Këto të dhëna tregojnë se edhe prej një mostre të kufizuar të të dhënave, numri i lëndimeve të punëtorëve ishte më i madh se shifrat zyrtare vjetore të lëndimeve në punë. Kjo sugjeron se përderisa një numër substancial i punëtorëve lëndohen në punë, vetëm disa realisht ankohen në Inspektoratin e Punës, dhe se në disa raste, posaçërisht rastet me lëndime serioze, informaliteti po kushton.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se është kot të bëhen ligje, udhëzime administrative dhe rregullore të mira, kur ato nuk zbatohen.
“Nëse e shohim që nga viti 2017 kemi aksidente me fatalitet të punëtorëve të ndërtimit, pra nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në terren. Fatkeqësisht edhe këtë vit kemi një numër të madh të vdekjeve në sektorin e ndërtimtarisë”, thotë Azemi.
Ai mendon se për të parandaluar aksidentet në punë në këtë sektor, duhet të ketë një edukim së pari, por edhe të dënohen ashpër kompanitë që janë recidiviste që inspektorati i ka dënuar dy-tri herë, pra të cilat në vazhdimësi i përsërisin shkeljet e njëjta.
“Pa disiplinimin e pronarëve të kompanive, këto raste vetëm sa do të shtohen”, u shpreh Azemi.
Lidhur me këtë temë, nga shoqata e ndërtuesve nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.
Çka u konstatua pas aksidenteve fatale
Sipas Inspektoratit të Punës, në shumicën e rasteve të aksidenteve të rënda dhe rasteve me fatalitet, gjatë procesit të inspektimit mund të konstatohet përgjegjësi për mosrespektimin e kërkesave të sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilat, në bazë të legjislacionit në fuqi, janë kryesisht në përgjegjësi të punëdhënësit.
Lidhur me këtë çështje, nga inspektorati thonë se shkeljet më të shpeshta të konstatuara në vendpunishtet ndërtimore që kanë rezultuar me lëndime apo vdekje lidhen me moszbatimin e kërkesave të sigurisë dhe shëndetit në punë, veçanërisht me mungesën ose parregullsitë në skeleri, mosmbylljen dhe sigurimin e hapësirave të brendshme, mungesën ose mospërdorimin e pajisjeve personale mbrojtëse, si dhe mangësi të tjera që lidhen me organizimin dhe menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas këtij inspektorati, ekzistojnë raste kur subjektet në të cilat kanë ndodhur aksidente me fatalitet kanë qenë të inspektuara edhe më parë nga Inspektorati i Punës.
“Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që ndër subjektet e përfshira në këto raste të ketë edhe subjekte recidiviste, përkatësisht subjekte ndaj të cilave janë ndërmarrë masa edhe në periudha të mëhershme”, thuhet në përgjigjen e IP-së.
IP: Masat e ndërmarra përmirësuan situatën
Pavarësisht rasteve të aksidenteve të shpeshta të punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, dhe një numri të konsiderueshëm që kanë qenë me fatalitet, Inspektorati i Punës, konsideron se zbatimi i kërkesave të përcaktuara me Rregulloren (MPMS) Nr. 06/2017, së bashku me masat e vazhdueshme të ndërmarra nga Inspektorati Qendror i Punës, ka kontribuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe në parandalimin e aksidenteve në vendin e punës.
“Megjithatë, përmirësimi i sigurisë në sektorin e ndërtimtarisë mbetet një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon zbatim të përpiktë të legjislacionit dhe përgjegjësi të shtuar nga punëdhënësit dhe punëtorët”, thuhet në përgjigje.
Ndërsa të pyetur se cilat nga masat e përcaktuara me Rregulloren 06/2017, sipas tyre, kanë rezultuar më efektive në parandalimin e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës, dhe cilat janë shkeljet që vazhdojnë të përsëriten më së shpeshti, nga ky institucion thonë se masat që lidhen me sigurimin e vendpunishtes, përdorimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të skelave, sigurimin dhe mbulimin e hapësirave të brendshme, përdorimin e pajisjeve personale mbrojtëse, si dhe përcaktimin e personave përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, janë ndër masat me rëndësi të veçantë për parandalimin e aksidenteve.
“Shkeljet që përsëriten më së shpeshti lidhen me skelerinë, mosmbylljen e hapësirave të brendshme, mungesën ose mospërdorimin e pajisjeve personale mbrojtëse dhe mungesën e personave përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në përgjigjen e IP-së.
Ende punohet pa pajisje mbrojtëse
Në platformën IdeoNgritja kanë ardhur disa raportime anonime sa i përket sigurisë në punë e të cilat na japin një lloj pasqyre se pse po ndodhin aksidentet në vendpunishte.
“Ne nuk kemi pasur trajnime të duhura për sigurinë në punë. Në shumicën e rasteve, thjesht na kanë treguar shkurt se çfarë duhet të bëjmë dhe kemi filluar punën. Askush nuk na ka shpjeguar në mënyrë të detajuar rreziqet dhe si duhet të veprojmë për t’i shmangur ato”, ka thënë një punëtor.
Një tjetër punëtor ka raportuar për mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe punën në skela të pasigurta. Por, ai thekson se edhe punëtorët duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm.
“Shpeshherë kemi punuar në vende ku nuk ka pasur pajisje të mjaftueshme mbrojtëse. Sidomos në lartësi, ka raste kur skelat nuk kanë qenë të sigurta dhe ne kemi vazhduar të punojmë edhe pse e kemi ditur se ekziston rreziku. Por, ka raste kur edhe punëtorë sillen si të guximshëm, nuk lidhen gjithë kohën, ose gjatë verës nuk mbajnë helmetë”, ka thënë ai, duke shtuar se kur po i shohin në media aksidentet fatale, ato ditë disi po e shtojnë kujdesin edhe punëdhënësi edhe punëtorët.
Sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), të publikuar në prill të këtij viti, shumë kontraktorë të vegjël operojnë pa pajisje mbrojtëse, pa mbikëqyrje të sigurisë apo trajnime për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndërsa më shumë se gjysma e punëtorëve nuk kanë kontrata formale ose sigurim social.
Raporti thekson gjithashtu se oraret e zgjatura dhe puna jashtë orarit pa pagesë janë të përhapura, ndërsa mbikëqyrja inspektuese është e kufizuar. Për më tepër, zinxhirët e shumtë të nënkontraktimit e bëjnë të vështirë përcaktimin e përgjegjësisë dhe zbatimin e standardeve të sigurisë.
Për këtë arsye, ILO vlerëson se përmirësimi i kushteve të punës në ndërtimtari kërkon jo vetëm ndërhyrje në nivel të kompanive, por edhe formalizim të marrëdhënieve të punës, forcim të kapaciteteve të inspektimit dhe vendosje të përgjegjësive më të qarta përgjatë zinxhirit të nënkontraktimit. /IdeoNgritja/
IdeoNgritja mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të iniciativës Digital Democracy Initiative (DDI), e cila mbulon vendet e Jugut Global.