Shkeljet e ndryshme në vendin e punës, veçanërisht në sektorin privat nuk raportohen sa duhet në Inspektoratin e Punës, por as në sindikata. Sipas punëtorëve, dhe me njohësve të kësaj fushe, kjo po ndodhë për shkak të mosbesimit në sistemin e drejtësisë, stërzgjatjes së vendimeve përfundimtare për konteste të punës, hakmarrjes që mund të ndodhë nga punëdhënësit.
Për shembull, në vitin 2024, disa punëtore të pastrimit të objektit të Kuvendit të Kosovës kërkuan rritje të pagave dhe hynë në grevë. Pas përfundimit të kontratës së kompanisë së mëparshme dhe lidhjes së kontratës me një kompani të re, pati raportime se disa prej punëtoreve që kishin protestuar nuk u lejuan të vazhdonin punën dhe u zëvendësuan me punëtore të tjera.
Punëtorët që kanë raportuar në platformën IdeoNgritja shprehen se nuk kanë shumë vullnet të adresojnë shkelje të ndryshme me vendet e punës. Sipas tyre, kjo ka të bëjë me procedurat dhe me kohëzgjatjen deri te epilogu.
“Kam pasur raste ku më janë shkelur të drejtat, qoftë duke punuar orë shtesë, ose gjatë festave dhe nuk më janë paguar, por këtu nuk ke llogari ta dërgosh rastin askund. Nëse e dërgon në inspektorat, krejt çka mund të bëhet është një gjobë, ndërsa nëse e dërgon në gjykatë, rasti zgjatet me vite vetëm në shkallën e parë”, thotë një punëtor i një kompanie private.
Ndërsa një punëtore tjetër thotë se hezitimi për ta adresuar një rast ka të bëjë edhe me hakmarrjen që mund t’i bëhet.
“Në momentin që e dërgon rastin në gjykatë, duhet të bëhesh gati për ta lënë atë vend pune. Nëse kisha qenë në punë të shtetit, nuk do të hezitoja, pasi që ligji të mbron më shumë”, thotë ajo.
Të dhënat e inspektoratit ndër vite
Numri i ankesave të paraqitura në Inspektoratin e Punës ka ndryshuar ndjeshëm ndër vite, por të dhënat për sektorin publik dhe privat tregojnë një ndryshim të theksuar në strukturën e ankesave. Në vitin 2020, 93.95% e ankesave vinin nga sektori publik, ndërsa vetëm 6.19% nga sektori privat. Në vitin 2021, pjesa e ankesave nga sektori privat u rrit në 15.5%, ndërsa rreth 84.5% ishin nga sektori publik. Në vitin 2022, 84.4% e ankesave ishin nga sektori publik, ndërsa rreth 15.5% nga sektori privat. Pas kësaj periudhe, numri total i ankesave ishte 1,348 në vitin 2023 dhe 1,377 në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 1,660 ankesa. Në këtë vit, situata ishte pothuajse e kundërt me vitet e mëparshme: 74.27% e ankesave ishin nga sektori privat dhe 25.18% nga sektori publik. Në vitin 2025, 57% e ankesave u paraqitën nga gratë dhe 43% nga burrat, ndërsa 86% e të gjitha ankesave erdhën nga Regjioni i Prishtinës.
Punëtorët nuk janë të informuar për të drejtat e tyre ligjore dhe procedurat
Qendra për Politika dhe Avokim në vazhdimësi e ka monitoruar punën e Inspektoratit të Punës si dhe është marrë me të drejtat e punëtorëve. Milaim Morina nga kjo organizatë thotë se punëtorët në Kosovë hezitojnë t’i raportojnë shkeljet e të drejtave nga punëdhënësit për shkak se një pjesë e tyre frikësohen se mund të humbin vendin e punës ose të përballen me ndëshkime nga punëdhënësi, si mbingarkesa me punë apo presione të natyrës psikologjike.
“Faktorë të tjerë janë mungesa e informacionit për të drejtat e tyre ligjore, kontratat afatshkurtra dhe informaliteti në disa sektorë, siç është ndërtimtaria”, thotë Morina, duke shtuar se tjetër pengesë është edhe mungesa e besimit tek institucionet përgjegjëse, si Inspektorati i Punës apo gjykatat, ku trajtimi i një lënde mund të zgjasë për një kohë të gjatë.
Morina mendon se duke marrë parasysh këtë situatë, është e domosdoshme që të krijohet një sistem që ofron kanale të sigurta dhe ruan anonimitetin e ankuesit/punëmarrësit. Kjo sipas tij, mund të bëhet përmes raportimeve online, të cilat duhet të mundësojnë raportimin anonim.
“Në anën tjetër, Inspektorati i Punës duhet të kryejë më shumë inspektime pa paralajmërim, si dhe të ndërmarrë fushata informimi dhe ndërgjegjësimi. Për më tepër, si masë parandaluese, është i domosdoshëm shqiptimi i gjobave”, theksoi Morina.
Mungon një sistemi i mirëfilltë i kontrollit dhe i zbatimit të ligjit
Florent Spahija, këshilltar Ligjor KDI është marrë edhe personalisht me ankesat e punëtorëve të shumtë, duke i këshilluar lidhur me çështjet që i kanë adresuar, por edhe duke i ndihmuar ata që t’i drejtohen Inspektoratit të Punës dhe Gjykatave.
Ai thotë se punëtorët në Kosovë në çdo rast kur hezitojnë të raportojnë shkeljet ndaj tyre e lidhin me shumë arsye, kryesisht personale por edhe për arsye objektive.
Sipas tij, në aspektin personal, mosraportimi po ndodh për shkak se punëtori ka frikë se humbet vendin e punës, se pasoja mund të ketë familja e tij apo edhe anëtarët e tjerë që punojnë në kompani të tjera mund ta humbasin vendin e punës për shkak të lidhjeve në mes pronarëve të biznesit.
“Po ashtu aspekti personal mund të lidhet edhe me mungesën e një kursimi apo një stabiliteti financiar që do të mund të përballonte së paku deri në gjetjen e punës tjetër”, thotë Spahija, duke shtuar se praktikisht pothuajse secili punëtor i sektorit privat në rast se mbetet pa punë dhe nuk mund të gjejë punë tjetër, atëherë përballet me kushte të vështira të jetës, praktikisht kalon në varfëri.
Ai thotë se një aspekt tjetër ka të bëjë me rrethanat objektive, përkatësisht mungesa e një sistemi të mirëfilltë të kontrollit dhe zbatimit të ligjit. Sipas tij, punëtorët që drejtohen te organet ligjzbatuese siç është Inspektorati i Punës, jo domosdo marrin ndihmën që ata kanë nevojë.
Spahija shton se kjo ndodh së pari sepse shpeshherë punëtori mund të jetë pre e masave të menjëhershme nga punëdhënësi pasi që rasti është raportuar në inspektorat, dhe për këtë inspektorati nuk ka se çfarë të bëjë. Tutje edhe gjykatat janë shumë të ngadalshme në veprim tek lëndët apo çështjet e punës.
“Efikasiteti i gjykatave do të sillte drejtësi më të shpejtë si për punëdhënësit ashtu edhe për punëtorët, pasi që të dy palët në disa raste mund të paraqiten të dëmtuar”, theksoi Spahija.
Ai mendon se shteti duhet të bisedojë me bizneset dhe punëtorët rreth të drejtave dhe detyrimeve nga të gjitha palët. Punëdhënësit duhet t’i respektojnë detyrimet e tyre kontraktuale dhe ligjore, e mosrespektimi i tyre nga ta, duhet të përcillet me pasoja të menjëhershme. Këtë shteti duhet t’ua bëjë me dije punëdhënësve.
Spahija thekson se në anën tjetër shteti duhet të ofrojë edhe mbrojtje për bizneset, që në kuadër të punës, edhe punëtorët të sillen racionalisht e mbi të gjitha të respektojnë kontratën e punës dhe afatet e parapara me kontratë.
Avokati i Popullit: Ka nevojë për rritjen e ndërgjegjësimit të punëtorëve
Sipas të dhënave të Institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë periudhës 1 janar 2022 – 15 shtator 2026 janë paraqitur gjithsej 1,134 ankesa lidhur me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit. Nga këto, 533 ankesa janë vendosur si të pranueshme për hetim, ndërsa 599 janë vlerësuar si të papranueshme. Përveç këtyre, është regjistruar edhe një rast i iniciuar ex-officio (sipas detyrës). Të dhënat e këtij institucioni nuk e ndajnë numrin e ankesave sipas sektorit publik dhe privat.
Nga Avokati i Popullit thonë se i trajtojnë ankesat që lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e punës, duke pranuar dhe shqyrtuar ankesat e paraqitura nga qytetarët.
Nga ky institucion sqarojnë se pas pranimit dhe vlerësimit të rastit, mund të zhvillojnë hetime, të kërkojnë informata dhe dokumentacion nga institucionet përgjegjëse, si dhe të japin rekomandime për adresimin e shkeljeve të konstatuara.
Sipas Avokatit të Popullit, viteve të fundit ka pasur përmirësime në informimin e publikut, por ende ekziston nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit të punëtorëve lidhur me mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
“Shumë punëtorë nuk janë plotësisht të informuar për institucionet kompetente ku mund të paraqesin ankesat e tyre, si Inspektorati i Punës, Avokati i Popullit, gjykatat apo mekanizmat e tjerë relevantë. Prandaj, nevojiten aktivitete të vazhdueshme informuese dhe edukuese për të siguruar qasje më të lehtë në mbrojtjen e të drejtave të punës”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Roli i zbehtë i sindikatave
Sindikatat që veprojnë në Kosovë, nuk kanë krijuar një rol as mbrojtës e as përfaqësues ndaj punëtorëve. Si pasojë, punëtorët hezitojnë të raportojnë shkeljet e të drejtave të tyre te sindikatat. Kjo ka të bëjë edhe me mosbesimin ndaj sindikatave dhe rolit të tyre në këtë aspekt.
Viteve të fundit Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka qenë më e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përmes organizmit dhe mbështetjes së protestave, grevave, por edhe dërgimit të disa rasteve në gjykata.
Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate thotë se punëtorët kanë hezituar dhe hezitojnë të bëjnë ankesa, sepse nëse vjen deri të një kontest gjyqësor mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, ky i fundit e dinë se në gjykatë ai rast mund të zgjasë së paku 5-6 vjet.
“Kjo është frika më e madhe që punëtorët hezitojnë të ankohen në sindikatë apo diku tjetër”, thotë Azemi, duke shtuar se ka pasur raste kur punëtorët kanë qenë në të drejtën e vet, por Inspektorati i Punës apo gjykatat i kanë dhënë të drejtë atyre që janë më të fortë, pra pronarëve të kompanive.
Sa i përket ankesave të këtij viti, ai thekson se deri tani i kanë organizuar 52 protesta dhe 14 greva, gjë që nënkupton që janë me qindra punëtorë, ndërsa thotë se rastet individuale nuk i kanë të regjistruara.
Por, Milaim Morina nga QPA thotë se roli i sindikatave në Kosovë mbetet i dobët dhe kryesisht pasiv në mbrojtjen e të drejtave individuale apo kolektive të punëtorëve. Sipas tij, në sektorin publik, ato kanë një prezencë pak më të fortë, por vëmendja e tyre orientohet kryesisht drejt kërkesave, siç është rritja e pagave, dhe shumë më pak drejt përmirësimit të kushteve të punës ose denoncimit të shkeljeve individuale të të drejtave nga punëdhënësit.
Ai thotë se në sektorin privat, ku shkeljet janë më të theksuara, roli i sindikatave është thuajse inekzistent.
“Për të qenë më funksionale, sindikatat duhet ta shtrijnë ndikimin e tyre edhe te bizneset private, të ofrojnë ndihmë juridike falas për punëtorët, të cilëve u janë shkelur të drejtat, si dhe t’i përfaqësojnë ata në denoncimet e tyre pranë institucioneve përgjegjëse, si Inspektorati i Punës dhe gjykatat”, thotë Morina.
Ndërkaq, Florent Spahija nga KDI, thotë se sindikatat mund të jenë të mirëseardhura si një adresë ku punëtorët mund të raportojnë shkeljet e të drejtave të punës, por ai thekson se kur po flasim për sindikata duhet ta kuptojmë se po flasim për sindikata reale, e jo sindikata të lidhura me biznese apo me politikën që nuk përfaqësojnë interesat reale të punëtorëve, por interesat e një grupi të caktuar interesi.
“Për Kosovën është shumë e rëndësishme që sindikatat dhe sistemi sindikal, sidomos te sektori publik, të fillojë me punën e mirëfilltë, ashtu që bashkë me akterët e tjerë si biznesin dhe shtetin të mund të arrijnë në rritjen e respektimit të të drejtave të punëtorëve”, u shpreh Spahija.
Lidhur me këtë çështje, ne kemi dërguar pyetje edhe në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Duke marrë parasysh situatën aktuale, dhe duke parë mungesën e një mekanizmi që u mundëson punëtorëve të flasin dhe të raportojnë shkeljet e të drejtave të tyre, është krijuar IdeoNgritja - një platformë ku punëtorët mund të raportojnë shkeljet e të drejtave të punës, të marrin këshilla dhe të ndajnë përvojat e tyre në mënyrë anonime. Përmes platformës, ata mund të raportojnë problemet me të cilat përballen në vendin e punës, të kërkojnë orientim për hapat që mund të ndërmarrin dhe të informohen për të drejtat e tyre, pa qenë të detyruar të bëjnë publike identitetin e tyre.
Raportimet e pranuara adresohen edhe te Inspektorati i Punës, ndërsa nga këto raportime dhe realizohen artikuj që synojnë t’i bëjnë të dukshme shkeljet dhe dukuritë e ndryshme që prekin punëtorët./IdeoNgritja/
IdeoNgritja mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të iniciativës Digital Democracy Initiative (DDI), e cila mbulon vendet e Jugut Global.