Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu” përkrah dënimin e gjyqtarit Gani Kelmendi dhe bashkëpunëtorëve të tij për korrupsion. Organizata “Çohu” e sheh luftimin e korrupsionit si një çelës për fillimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne presim që luftimi i korrupsionit të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të bëhet prioritet si për qeverinë e Kosovës poashtu edhe për UNMIK-un.
“Çohu” mirëpret arrestimin e Kelmendit dhe bashkëpunëtorëve të tij, megjithatë, ne konsiderojmë se ky është një rast minor që zhvendos vëmendjen e opinionit nga rastet e mëdha. Arrestimi për mito prej 1,000 eurosh ndërsa në Kosovë korrupsioni ka arritur majat e institucioneve kosovare na bën të dyshojmë se Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut dhe prokurorët kosovarë mirren vetëm me “peshqit e vegjël”.
Luftimi i korrupsionit në gjykata është shumë i nevojshëm, por ai duhet të përcillet paralelisht edhe me luftimin e korrupsionit në Qeveri dhe Legjislativ.
Poashtu Organizata “Çohu” e sheh si nismë të mirë edhe pse të vonuar krijimin e Zyrës Speciale me 10 prokurorë vendas dhe 10 të huaj për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo zyrë duhet të afirmohet sa më shumë në mënyrë që të gjithë ata që kanë fakte për denoncimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ta dijnë këtë adresë.
Ne përsërisim kërkesën për funksionalizimin e Agjensionit Antikorrupsion me në krye persona me të kaluar të pastër si hap i parë në fillimin e luftës antikorrupsion.
UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës duhet të tregojnë sinqeritet më të madh në luftimin e korrupsionit meqë në 7 vitet e bashkëqeverisjes në Kosovë korupsioni ka përfshier nivelet më të larta qeverisëse.