Të premtën, në orën 11:00, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës do të mbahet një ceremoni e shkurtër e shpalljes së Qeverisë kampion në korrupsion. Kupën që do ta dorëzojë Organizata ÇOHU pritet ta marrë kryeministri Agim Çeku ose ndonjë bashkëpunëtor i ngushtë i tij.
Ky çmim i ndahet qeverisë së Kosovës pasi që ajo ka arritur të shënojë majat e zhvillimit të korrupsionit dhe të zierjes me krimin e organizuar si dhe ka arritur që me sukses ta pengojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si rezultat i një pune te palodhshme të Qeverisë në këtë drejtim, është arritur një degradim i qëndrueshëm i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një gjendje të tillë e ka njohur edhe Komisioni Evropian duke konkluduar në raportin e tij për vitin 2006 të datës 8 dhjetor se “krimi i organizuar është shtrirë në grupe të ndryshme socio-ekonomike dhe në politikë”.
Në të vërtet duket se si meritë e një përzierje të tillë të krimit të organizuar me politikën është arritur një gjendje ideale e legalizimit të korrupsionit dhe kjo është parë sidomos në raportet e shumta hulumtuese të shtypit kosovar dhe të Auditorit të pavarur. Secili nga dhjetëra auditime që i janë bërë organizatave buxhetore dhe vetë Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës ka konstatuar shkelje dhe keqpërdorime në rreth 80% të rasteve të kontrolluara.
Për më shumë, sot tenderët më të rëndësishëm të investimeve kapitale publike u jepen fantom-firmave që për pronarë kanë familjarët e ministrave, apo grupeve që janë të lidhura direkt me ministra ose zyrtarë të lartë qeveritarë e partiakë. Në kohën kur gjysma e kosovarëve jeton në varfëri, Buxheti i Konsoliduar i Kosovës shpenzon miliona në glorifikimin e liderëve partiak ndërkohë që për zhvillim të bujqësisë ndan shuma qesharake prej 300 mijë eurosh. Shtëpitë milionëshe janë ngritur dhe po ngriten në të dy brigjet e qytetit të Prishtinës, ndërsa Qeveria vazhdon të qëndrojë servile ndaj figurave të forta politike.
Në anën tjetër Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj vazhdojnë të luajnë rolin e plakës që krihet në shtëpinë nën zjarrë duke përdorur retorikën se nuk mund të gjinden fakte për korrupsion prandaj nuk mund të ndërmerren masa. Përveç kësaj, një balancim i përkryer është arritur edhe me pushtetet tjera, gjyqësorin dhe ligj-bërësin. Sot ligj-bërësi i Kosovës debaton mbi çështje të ndryshme, por jo mbi faktin që shteti po kontrollohet nga struktura të krimit të organizuar. Gjyqësori deri sot ka ndërmarrë hapa të kufizuar kundër korrupsionit dhe fatkeqësisht një analizim i thjesht tregon se masat nuk janë ndërmarrë kundër dy kategorive të njerëzve: atyre që janë në pushtet me koalicionin aktual, ose atyre që në një mënyrë ose në një tjetër janë të lidhur me UNMIK-un.
Të gjitha këto dhe fakte të shumta që kërkojnë qindra faqe për t’i numëruar bëjnë që Qeveria e Kosovës të meritojë çmimin “Kampion i korrupsionit”.