Demonstrata e organizuar me 28 nëntor nga Lëvizja Vetëvendosje duhet të shërbejë si paralajmërim i fundit për Grupin Negociator të Kosovës, institucionet qeverisëse, partitë politike kosovare si dhe faktorin vendimarrës ndërkombëtar, se pakënaqësia e qytetarëve të këtij vendi ka arritur majat.

Kjo pakënaqësi shumë leht mund të shpërthejë në revolta të gjithmbarshme duke çuar kështu në një anarki institucionale dhe shoqërore. Organizata “ÇOHU” i mban përgjegjës pikë së pari Grupin Negociator të Kosovës, institucionet qeverisëse si dhe katër partitë politike kosovare të përfshira në negociata për këtë pakënaqësi qytetare të shprehur edhe në demonstratën e 28 nëntorit. Grupi Negociator prej fillimit të procesit të negociatave për status ka qenë skajshmërisht jotransparent dhe s’ka dhënë asnjë fije llogari qoftë para qytetarëve qoftë para institucioneve të tij, si psh para Parlamentit të Kosovës.

Kjo ka shkaktuar një konfuzion dhe një dozë nervozizmi të lartë tek qytetarët sepse është negociuar për të ardhmen e tyre ndërkohë që ata s’kanë qenë fare të informuar se çfarë po negociohet. Grupi Negociator asnjëherë s’ka marrur mundin që t’ua shpjegojë qytetarëve procesin e decentralizimit, se çfarë fiton dhe çfarë humb Kosova prej këtij procesi. Gjysëm-draftet dhe spekulimet që janë paraqitur në media vetëm kanë sa kanë shkaktuar një huti edhe më të madhe përballë një mostransparence të skajshme. 

Ankthi dhe nervozizmi i qytetarëve kosovarë për të ardhmen e tyre është në rritje. Pakënaqësia dhe frustrimi është në rritje për shkak të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së perspektivës që ka ardhur si pasojë e mungesës së politikave dhe strategjive zhvillimore të institucioneve qeverisëse dhe partive politike.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kthyer në platformë udhëheqëse për këto institucione dhe parti politike, gjë që ka bërë që një pakicë të pasurohen dhe të kenë shtëpi ekstra-luksoze në lagjet e pasura të kryeqytetit, ndërsa që gjysma e popullsisë jetojë në varfëri. Të gjithë këta faktorë kontribuojnë që revoltat e ardhshme të jenë gjithnjë e më masive dhe që turmat që iu bashkëngjiten të jenë gjithnjë e më nervoze. Qytetarët e Kosovës kanë ardhur në pikën ku pothuajse nuk kanë çfarë të humbin më. E kur njeriu nuk ka çfarë të humbë ai nuk brengoset edhe fort për pasojat e veprimeve të tij. 

Për tërë këtë situatë dhe pasojat që mund të vijnë fajtor janë institucionet qeverisëse të Kosovës dhe partitë politike. Vetëm ato mund të shmangin një rrebelim të ardhshëm, plotësisht legjitim, të qytetarëve. Grupi Negociator e ka rastin e fundit që të tregohet transparent dhe i hapur para qytetarëve, jo duke përshkruar rrjedhën e negociatave dhe qëndrimin e tyre por duke spjeguar sesi pritet të duket pakoja e Ahtisarit.

Grupi Negociator duhet të bëhet transparent duke spjeguar se çfarë nënkuptohet me “pavarësi të kufizuar”, “pavarësi me sovranitet të kufizuar” apo me “një lloj pavarësie”. Parlamenti i Kosovës duhet ta ftojë Grupin Negociator në një seancë maratonike ku do të elaborohej në tërësi çështja e statusit të Kosovës. Nëse liderët institucional dhe partiak të përfaqësuar në Grupin Negociator ndjejnë një fije përgjegjësi për vendin e tyre, atëherë ata duhet të kenë guximin që të ballafaqohen me popullin e tyre dhe ta ballafaqojnë popullin me të vërtetën. Vetëm duke qenë të hapur, transparent dhe duke dhënë llogari para qytetarëve, cilado qoftë e vërteta, liderët kosovarë mund të fitojnë besimin e popullit. Heshtja, mistifikimi i procesit si dhe injorimi i frustrimit popullor do të sjellin një anarki shoqërore të paparë deri me sot në Kosovë. Ju, Grupi Negociator i Kosovës, mbani përgjegjësi të drejtpërdrejt morale dhe historike!