I nderuari kryeparlamentar, zoti Kolë Berisha
I nderuari kryeministër, zoti Agim Çeku
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion, dhe Dinjitet “Çohu” kërkon nga ekzekutivi dhe legjislativi kosovar që të ndërmarrin masa për funksionalizimin sa më të shpejtë të Agjensionit Anti-korrupsion me qëllim të fillimit të një lufte serioze kundër korrupsionit, një problem që ka rënduar shumë shoqërinë kosovare sidomos gjatë udhëheqjes nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes. Organizata ‘Freedom House’, nga më prestigjiozet në botë për vlerësimin e konsolidimit të demokracisë në një vend ka vlerësuar se korrupsioni në Kosovë është nga më të lartët në Evropë, barabartë me vendet jo-demokratike autoritare si Bellorusia.
Strategjia anti-korrupsion është aprovuar nga Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2004, ndërsa ligji anti-korrupsion është promulguar në Kuvend në maj të vitit 2005. Në të dy këto akte është paraparë krijimi i Agjensionit Anti-korrupsion. Megjithatë, Agjensioni Anti-korrupsion praktikisht ka ngelur jofunksional, e që do të duhej të ishte si shtyllë kryesore në ekzekutiv për luftimin e korrupsionit. Në fund të fundit kështu është paraparë edhe në strategjinë e aprovuar nga vetë Qeveria dhe në ligjin e promulguar nga Kuvendi.
Duke e marrë parasyshë përceptimin për një nivel të lartë të korrupsionit në qeverinë paraprake, dhe duke pasur parasysh që kjo qeveri ka trashëguar të gjithë ministrat kontravers, si dhe duke u bazuar në premtimin e kryeministrit dhe kryeparlamentarit për ndryshime në qeverisje, ne kërkojmë që çështja e korrupsionit të bëhet prioritet i kësaj qeverie. Kai Eide në raportin e tij të fundit për Kosovën thekson se përveç marrëdhënieve ndëretnike, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kërcënimi më i madh për një të ardhme të qëndrueshme të Kosovës. Prandaj, konsiderojmë se funksionalizimi i Agjensionit Anti-korrupsion, i cili do t’i jepte një rol meritor shoqërisë civile në punën e tij, do të ishte një hap i mirë i parë për ta ndërruar imazhin e Kosovës dhe për ta filluar për së mbari qeverisjen dhe luftën anti-korrupsion.
Ne kërkojmë nga ekzekutivi dhe legjislativi, si institucione themelore të demokracisë për një qeverisje të mirë që të jenë të sinqertë në premtimin e dhënë para qytetarëve për një qeverisje transparente, efiçente, demokratike dhe moderne dhe le t’a demonstrojnë këtë në praktikë duke krijuar kështu një bazë për konsolidimin e demokracisë dhe përgatitjen e Kosovës për t’iu bashkuar Evropës.
Me nderime: Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”