Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtues (Preportr), dhe Organizata ÇOHU! konstaton se Komuna e Prishtinës, në reagimin e saj publik kundër hulumtimit të prezantuar, këtë të martë, po tenton edhe një herë të mashtrojë opinionin publik duke shpërfillur gjetjet e hulumtimit.
Fillimisht, reagimi i Komunës së Prishtinës, kualifikon krejt gjetjet si të “shikuara me syzet politike të kësaj Qendre dhe financuesve të saj”, por nuk përmend asnjë rast konkret. Kjo formë e reagimit është tipike sikurse reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas publikimit të hulumtimit “100 milionë”, ku faktohej se mbi 100 milionë euro kishin shkuar në llogari të financuesve të PDK-së.
Preportr, përsërit se ka shikuar mbi 280 tenderë të Komunës së Prishtinës, me vlerë të madhe dhe të mesme, që nga fundi i vitit 2007 deri në fundin e vitit 2012, vlera e të cilëve është afro 100 milionë euro, dhe të cilat u janë ndarë afro 270 kompanive.
Nga ky hulumtim, Preportr, nxjerr se nga afro 35 % e tenderëve të hulumtuar Komuna e Prishtinës, apo rreth 36 milionë euro, i ka ndarë për kompani që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të, ose ka vazhduar për t’u dhënë tenderë kompanive për të cilat u nisën hetime për korrupsion në këtë komunë.
Këtu bëjnë pjesë kryesisht tenderët që iu dhanë biznesmenit Ragip Mustafa, kompanive të familjes Zymberi kryesisht ato me kompaninë“All Zone” dhe kompanitë e tjera të ndërlidhura me mashtrimin e Komunës kur iu shit kamioni i zjarrfikësve për afro 30 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut, tenderët e kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni e kompanisë “ABC’ nga Podujeva.
“Hulumtimi i kësaj Qendre nuk nxjerr në pah asnjë shkelje ligjore...”, konstatohet në reagimin e Komunës së Prishtinës. Preportr, përsëritë se ka gjetur që Ragip Mustafa, me dy kompani (”Beni Dona Plast” “Olti Trasing”) ka marrë tenderë dhe hise në tenderë, si pjesë e konzorciumeve, shuma që kapin vlerën prej 3.4 milionë eurove. Kompania “Beni Dona Plast”, sipas gjetjeve të Auditorit (ZAP), ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës, por megjithatë del që ajo është favorizuar duke iu vazhduar kontrata kundërligjshëm.
Preportr, poashtu gjeti se “All Zone”, pronë e Bekim, Valon, Besnik Zymberit nga Komuna e Prishtinës, që nga viti 2009 e deri në vitin 2012, ka marrë tenderë si e vetme si dhe duke qenë pjesë e konzorciumeve, vlera që kapin shifrën mbi 11.7 milionë euro, anipse “All Zone” në vitin 2009 i shiti Komunës së Prishtinës një kamion për zjarrfikës për “27 herë më shtrenjtë sesa ishte deklaruar në Doganat e Kosovës”, bazuar në të dhënat e ZAP-it, duke mashtruar kështu këtë institucion.
Për më tepër, Preportr ka gjetur se edhe kompania“ABC” nga Podujeva, pronë e Arben Jetullahut, ka marrë tenderë dhe hise nga disa të tjerë, duke hyrë në konzorciume, vlera e të cilëve mbërrin mbi 6.2 milionë euro në vitet 2011-2012. Kjo kompani ka vazhduar të shpërblehet me tenderë edhe pse në vitin 2009, nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, ishte futur në listën e kompanive që patën shkelur kontratat publike.
Kemi gjetur edhe se “Eskavatori”, pronë e Isa, Bajram, Ibush e Haziz Ryshajt nga Ferizaj, nga viti 2009-2012 ka marrë tenderë në vlerë prej 3.2 milionë eurosh, nga Komuna e Prishtinës. “Eskavatori”, nga Drejtorati i Infrastrukturës Lokale, ishte futur në mesin e 9 kompanive që i kishin shkelur kontratat me komunën në vitin 2009, por ka vazhduar të shpërblehet nga Komuna e Prishtinës.
Preportr, ka gjetur edhe se në vitin 2010, Komuna e Prishtinës, dha leje pune për radio-taxin “City Taxi”, pronarë të së cilës ishin Burim Hasani e Gëzim Idrizi. I pari është nga familja Fona, dhe nip i Hazbi Hasanit, i cili ishte ortak me djalin e madh të Mustafës, Arbenin në kompaninë, “Intereuropa Kosova L.L.C.”, përderisa i dyti, vozitës i tashëm i kryetarit Mustafa.
Preportr, në hulumtimin , të cilin Komuna e Prishtinës e klasifikon si hulumtim që “nuk nxjerr në pah asnjë shkelje ligjore”, ka gjetur se ndërtimi i objekteve të banimit kolektiv është biznesi legal më fitimprurës i pasluftës në Kosovë ku u derdhën miliona euro e u mbuluan qindra hektarë tokë me ndërtime, ky biznes ka shkaktuar kaos urbanistik në kryeqytet, i cili edhe më tutje vështirë po kontrollohet. Këtë publikisht e pranojnë edhe ish-zyrëtarë të kësaj komune.
Preportr, ka identifikuar me emër, mbiemër dhe me numër të saktë ndërtimet ilegale të familjes Novosella, dhe prej njërës nga kompanitë e kësaj familje, ka blerë banesë edhe djali i Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa.
Në reagimin e Komunës së Prishtinës thuhet se: “Komuna do të kërkoj sqarime nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe nga financuesit e saj që të sqarojnë bazueshmërinë ligjore të veprimeve të tyre për klasifikimin politik të bizneseve dhe për sulmet ndaj figurës së Kryetarit të Komunës dhe familjes së tij.”
Më lartë janë paraqitur vetëm disa nga shkeljet që janë publikuar, dhe më gjerësisht mund të lexohen në web-faqen e Preportr (www.preportr.com).
Tendenca e Komunës së Prishtinës, për përfshirjen e donatorëve në këtë mes, ngjall habi sidomos kur Preportr qartë e ka shkruar në këtë hulumtim që qëndrimet e paraqitura në këtë dokument nuk pasqyrojnë qëndrimin e donatorëve.
Preportr, shpreh habi edhe me reagimin e zëdhënësit të këtij institucioni, Asdren Osaj, të martën në lajmet e KTV-së, i cili tenton që të hedhë pluhur mbi mbylljen e Komunës së Prishtinës në raport me Preportr, duke mashtruar se kinse ata kanë dhënë përgjigje.
Këtë lojë ka tentuar ta bëjë edhe sot, ku pas publikimit të hulumtimit ky institucion ka kthyer një sërë përgjigjesh të dërguara si kërkesa shumë muaj më parë. Në mesin e atyre përgjigjeve ka edhe të natyrës se kur kërkohet lista e përfituesve të banesave të ndërtuara me paranë publike, Komuna e Prishtinës, dërgon rregulloren mbi të cilën janë ndarë ato banesa, por në asnjë rast vetë listën e kërkuar.
Nga të gjitha hulumtimet e derisotshme të Preportr, ky për Komunën e Prishtinës, ka marrë më së shumti kohë dhe ka qenë më i vështiri. Komuna e Prishtinës është e mbyllur, gati-gati e kthyer në një aset personal të atyre që janë në krye të saj. Përpos që nuk është lejuar qasje në asnjë dokument të kërkuar, as kryetari Isa Mustafa nuk ka pranuar që të intervistohet. Kjo mbyllje, sido që të jetë, nuk ka arritur të fsheh keqpërdorimet në administratën e kryeqytetit.