Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet -ÇOHU! u themelua në shtator të vitit 2005 me misionin për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë si sistem i vlerave politike, shoqërore dhe institucionale në Kosovë, si dhe për të ushtruar një funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm në sektorin civil, atë të luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, patronazhit politik, paralelisht me nxitjen e angazhimit të qytetarisë aktive për llogaridhënie, transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Në fillimet e veta, ÇOHU! ka zhvilluar dhe udhëhequr debatet kryesore shoqërore dhe aktivitete që synonin të nxirrnin në pah sfidat dhe abuzimet që kanë karakterizuar periudhën para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përfshirë procesin e privatizimit, standardet e dyfishta të drejtësisë së zbatuar nga UNMIK-u dhe institucionet vendore, si dhe zhvillimin e metodave të reja të angazhimit civil në vend.

gazeta--
Shiko gazetën

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe themelimit të institucioneve kushtetuese, ÇOHU! është fokusuar në fuqizimin e sektorit të drejtësisë përmes analizave, politikave publike, avokimit për legjislacion më të mirë dhe monitorimit konsistent të sundimit të ligjit. dokumentuar se si kontrolli i plotë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me përgjegjësitë publike, duke depozituar edhe kallëzime penale dhe duke monitoruar nga afër rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë në sistemin gjyqësor. 
 
Krahas angazhimit konsistent në çështje tematike si financat e partive politike, deklarimin e pasurisë dhe konflitit të interesit të zyrtarëve publikë, konfiskimit të pasurisë së paligjshme, nepotizimit, patronazhit, korrupsionit në shëndetësi, arsim dhe institucione publike dhe me qëllim të realizimit të hulumtimeve gazetareske, në vitin 2010, ÇOHU! themeloi krahun e saj medial investigativ-Gazetën Preportr. Pra, ÇOHU! u fokusua me një qasje shumëdimesnionale përmes raporteve, analizave, aktiviteteve dhe gazetari hulumtuese, duke i kombinuar këto mënyra të punës për të arritur rezultate konkrete në hulumtim dhe avokim.

Preportr përmes hulumtimeve të ndryshme ka zbuluar disa nga skandalet më të mëdha të pasluftës në Kosovë. Përveç publikimeve të shumta hulumtuese, Preportr ka kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e gazetarisë hulumtuese në vend përmes organizimit, për 12 vite radhazi, të Shkollës për Gazetari Hulumtuese, ku janë trajnuar mbi 300 gazetarë dhe aktivistë të shoqërivës civile. Puna e Preportr është shpërblyer me çmimet kryesore për gazetari hulumtuese nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Bashkimi Evropian për Gazetari Hulumtuese.

ÇOHU! ka një strukturë të përbërë prej katër sektorësh, përkatësisht shtyllës së drejtësisë dhe antikorrupsionit, gazetarisë hulumtuese, qeverisjes së mirë dhe bazës së të dhënave të hapura (Open Data), të cilat janë zhvilluar me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë përgjatë viteve. ÇOHU! është pjesë e Rrjetit më të madh Ndërkombëtar për Gazetari Investigative mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit në Evropën Juglindore (SELDI) si dhe është në proces të ndërkombëtarizimit të mëtejmë në forume ndërkombëtare të shoqërisë civile dhe angazhimit civil.  

Aktualisht, ÇOHU! është duke u fokusuar në trajtimin e temave me rëndësi për qytetarët, përfshirë ekspozimin e aferave korruptive në sektorë primar dhe sekondar, të drejtat e njeriut, mjedisin si dhe në zhvillimin analitik mbi politikat publike dhe legjislacionin në Republikën e Kosovës.

Këtë vit, ÇOHU! shënon 20 vjetorin e themelimit. Gjatë dy dekadave të punës së pandërprerë, ÇOHU! ka dëshmuar se lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, integritet dhe bashkëpunim të gjerë shoqëror. Me një traditë të konsoliduar në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe gazetarisë hulumtuese, organizata mbetet e përkushtuar që edhe në vazhdimësi të jetë një zë i fuqishëm i qytetarëve për demokraci, drejtësi dhe dinjitet.  

Disa nga prioritetet e organizatës Çohu! ndër vite

Organizata Çohu!, në vazhdimësi ndër vite ka realizuar raporte dhe aktivitete kundër korrupsionit, duke ekspozuar korrupsionin si dhe keqpërdorimet tjera, duke hapur tema të ndryshme dhe duke avokuar për ndërhyrje institucionale, edhe pse vullneti dhe bashkëpunimi institucional nuk ka qenë i duhuri. 

Drejtësia dhe sundimi i ligjit ka qenë ndër fushat ku Çohu! është angazhuar për këto dy dekada me raporte dhe aktivitete të shumta, duke publikuar keqpërdorime dhe mangësi të shumta. Parashkrimi i lëndëve si dukuri u hulumtua detajisht dhe u ekspozua para disa viteve për herë të parë nga Çohu! Hulumtimet e Çohu! treguan se mbi 25 mijë lëndë penale ishin parashkruar nga viti 2000 deri në vitin 2019. Më shqetësues ishte fakti që parashkruheshin lëndët e korrupsionit. Pra, të korruptuarit po ia hidhnin paq, derisa lëndët e tyre me ose pa qëllim qëndronin në fundin e sirtarëve të gjykatave të Kosovës. Raportuam edhe se si nuk kishte masa ta duhura ndaj gjykatësve që po u parashkruheshin lëndët. 

Monitorimi i gjykatave lidhur me lëndët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar ka qenë ndër aktivitetet tjera që Çohu! ka realizuar ndër vite, duke përgatitur raporte dhe duke theksuar mangësi të shumta, por edhe sfida të ndryshme. Gjithmonë duke dhënë rekomandime konkrete dhe duke theksuar praktika të vendeve tjera për çështjet përkatëse. 

Prokurimi publik ka qenë ndër fokuset tjera të organizatës Çohu! Kjo për faktin se aty gjendet baza e gjenerimit të korrupsionit, të manipulimeve dhe të keqpërdorimeve të ndryshme me paranë publike. Në këtë kuadër Çohu! ka realizuar disa raporte, analiza dhe ka monitoruar gjykatat për veprat e keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik. 
Gjetjet e raporteve mbi keqpërdorimet dhe manipulimet e shumta në procedurat e prokurimit publik e kanë bërë të domosdoshme që Çohu! ta ngrisë këtë çështje si debat publik si dhe të avokojë fuqishëm dhe suksesshëm duke i përfshirë këto vepra në Kodin Penal të Kosovës, në një nen të veçantë.

Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë ka qenë një tjetër fushë me të cilën Çohu! është marrë në vazhdimësi. Lidhur me këtë temë janë realizuar hulumtime, analiza e raporte që kanë nxjerrë në pah mangësi të shumta rreth deklarimit të pasurisë, vërtetësisë së deklarimit të pasurisë si dhe mangësive të shumta në procesin e verifikimit të pasurisë. Vazhdimisht janë dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës. Në këtë aspekt, janë realizuar edhe hulumtime që kanë dokumentuar se si kontrolli i plotë i Agjencisë Kundër Korrupsionit, kishte dështuar ta bëjë verifikimin e plotë. Derisa për agjencinë, zyrtarët publikë që u kishte rënë shorti për verifikim të plotë të pasurisë ishin në rregull, Çohu! përmes një verifikimi përmes kadastrave komunale kishte gjetur shumë prona të zyrtarëve të njëjtë që nuk i kishin deklaruar. 

Hulumtime të tjera në këtë drejtim kanë gjetur se si deputetët dhe zyrtarët publikë nuk i deklaronin të gjitha asetet e tyre. Duke i pasur parasysh këto mangësi dhe deklarimin e rrejshëm që po bëhej nga zyrtarët publikë, Çohu! e ka pasur prioritet dhe ka avokuar me sukses që deklarimi i rrejshëm të futet si vepër penale në Kodin Penal të Kosovës. 
Në anën tjetër Çohu! për këtë çështje, por edhe për çështje dhe gjetje tjera ka bërë edhe kallëzime penale në prokurori. 

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, por edhe menaxhimi i tyre në përgjithësi kanë qenë në vazhdimësi pjesë e hulumtimeve dhe analizave të organizatës Çohu! Përveç raporteve mbi dyshimet e keqpërdorimeve përmes privatizimit, një fokus i veçantë i është dedikuar Post-Telekomit të Kosovës. Hulumtimet për këtë ndërmarrje kanë treguar se si është kapur, keqmenaxhuar dhe është zhvleftësuar Post-Telekomi i Kosovës.

Çohu Open Data është ndër platformat më të pasura dhe më kreative që ka krijuar Çohu!, ndër vite. Duke marrë parasysh kompleksitetin e disa hulumtimeve dhe me qëllim të thjeshtëzimit të tyre, por edhe të rritjes së transparencës, është krijuar kjo platformë dinamike. 

Në këtë platformë aktualisht janë të vendosura shatë databaza online: 
1.    Rrjetëzimi i lidhjeve të biznesit me politikën;
2.    Pasqyrat financiare të subjekteve politike (2009-2016);
3.    Patronazhi politik;
4.    Deklarimi i pasurisë;
5.    Degradimi i mjedisit;
6.    Open Justice;
7.    Masat disiplinore në sistemin e drejtësisë.

Të gjitha këto databaza online ofrojnë të dhëna të qarta, dhe të shpjegueshme në mënyrë të thjeshtë duke përfshirë vizualizimin, por edhe mundësinë e filtrimeve të të dhënave të ndryshme. 

Raportimi etik dhe edukimi mediatik viteve të fundit kanë qenë poashtu prioritet i organizatës Çohu! Janë realizuar disa hulumtime mbi sfidat e raportimit etik. Ndërkaq për katër vite Çohu! ka monitoruar dhjetëra media online në gjuhën shqipe dhe serbe për të parë respektimin e Kodit të Etikës nga ato media. Qindra ankesa janë dërguar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovë, e shumë prej tyre janë miratuar. Pas dërgimit të ankesave të para, është vërejtur një raportim më i kujdesshëm etik e profesional nga mediat e monitoruara. 
Gjithashtu, Çohu! ka mbajtur trajnime në 15 shkolla të mesme të Kosovës me mbi 400 nxënës, lidhur me dezinformatat dhe lajmet e rreme, grupet e targetuara të këtyre lajmeve dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit.

Hulumtimet kryesore të Preportr ndër vite:

Përveç aspektit të raporteve, rekomandimeve dhe aktiviteteve, Çohu!, përmes krahut të saj investigativ ka realizuar hulumtime gazetareske të detajuara. Është bërë një kombinim i punës dhe aktiviteteve. Preportr ka realizuar hulumtime dhe Çohu!, ka avokuar, por edhe anasjelltas shumë hulumtime gazetareske janë gjeneruar nga raportet e Çohu!

Financimi i partive politike dhe klientelizmi 

Organizata Çohu/Preportr, është marrë në mënyrë të vazhdueshme me çështjen e financimit të partive politike, duke e trajtuar atë si nyjën më të rëndësishme ku politika lidhet me biznesin dhe korrupsionin. Që në fillim, Çohu/Preportr e ka parë financimin si një mekanizëm përmes të cilit krijohen raporte të ndërsjella midis partive politike dhe kompanive private, ku kontributet për fushata shpërblehen me tenderë publikë.
Lidhur me këtë çështje ka pasur diskutime dhe debate publike, por kanë munguar të dhënat konkrete, se kush sa donacione dha, për cilën parti dhe sa tenderë në institucione shtetërore mori.
Hulumtimi i parë i vitit 2012 që është bërë mbi financimin e partive politike është titulluar, “100 milionë”. Përmes këtij hulumtimi është gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore që si biznese dhe persona fizikë financuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), që në atë kohë ishte në pushtet në dy fushata elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publikë. Çohu!, kishte realizuar edhe një aksion simbolik afër selisë së PDK-së, duke shpalosur fakte mbi klientelizmin. Për gjetjet e këtij hulumtimi ishte diskutuar edhe në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. 

Një nga hulumtimet pasuese më të njohura në këtë fushë realizuar nga Çohu/Preportr është “Politika e parasë”, ku u dokumentua se gjatë viteve 2007–2014 financuesit e partive kishin përfituar mbi 220 milionë euro nga kontratat publike. Në këtë dhe në raportet e tjera, Çohu! ka evidentuar mungesën e transparencës në raportimin financiar të partive, kontrollin sipërfaqësor të auditimeve, konfliktin e interesit dhe sanksionet e buta që nuk e parandalojnë fenomenin. Për më shumë se një dekadë, organizata Çohu! ka argumentuar dhe faktuar se financimi i partive është burimi kryesor i kapjes së shtetit, duke e mbajtur këtë temë të hapur përmes publikimeve, databazave dhe hulumtimeve konkrete që janë përdorur edhe nga media të tjera si dhe organizata të shoqërisë civile. 

Me qëllim që të dhënat të jenë sa më të thjeshta, të kuptueshme dhe të komunikueshme për audiencën e gjerë, Çohu/Preport ka krijuar edhe një databazë online me të gjitha detajet ku i ka vendosur të gjitha të dhënat e financuesve të partive politike. Databaza ofron një rrjetëzim vizual mbi klientelizmin, por mundëson edhe filtrimin e të dhënave sipas disa kategorive, si përmes emrit të donatorit/biznesit, partisë politike dhe institucionit që e ka dhënë tenderin. Kjo platformë është e hapur dhe është në shërbim të gazetarëve, të shoqërisë civile dhe të palëve tjera të interesuara.

Patronazhi politik

Klientelizmi dhe patronazhi politik janë dy shtyllat, mbi të cilat partitë politike në Kosovë e kanë ndërtuar dhe shtrirë ndikimin e tyre në institucionet shtetërore.
Secila parti politike që merrte pushtetin, e shfrytëzonte rastin për të punësuar anëtarët e saj në pozita të larta udhëheqëse. Një tendencë e tillë ka filluar nga partitë dikur të mëdha PDK dhe LDK dhe ka vazhduar pastaj nga të gjitha partitë tjera, kur e kanë marrë pushtetin AAK, NISMA dhe së fundi LVV.
Kjo temë diskutohej në vazhdimësi, me të dhëna sporadike, por mungonin të dhënat konkrete dhe gjithëpërfshirëse, se kush ishin personat që kishin marrë ato pozita dhe çfarë lidhje kishin me partitë politike.

Prandaj, Çohu/Preportr i ka bërë tri hulumtime të detajuara që përfshijnë periudhën 2010-2021. Nga të dhënat për të tri hulumtimet faktohet që ndikimi i partive politike që kanë qenë në pushtet në punësimin e anëtarëve të tyre në pozita vendimmarrëse përmes konkurseve në institucionet publike ka qenë shumë i madh. Duke përfshirë të tri hulumtimet dhe duke përdorur metodologjinë e njëjtë, rezulton se në periudhën 2010-2021, gjithsej 628 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse kanë lidhje zyrtare me partitë politike.
Të gjitha lidhjet e personave të punësuar që kanë lidhje me partitë politike janë paraqitur në databazën online – Open Data Çohu. Databaza është krijuar për të ofruar një pasqyrë të qartë të shtrirjes së patronazhit politik në Kosovë dhe për të treguar se si partitë politike e kanë përdorur pushtetin për të vendosur njerëzit e tyre në poste kyçe. 
Databaza ofron mundësi të shumta për filtrimin e të dhënave dhe përfshin: Listën e emrave të zyrtarëve të lartë publikë, institucionin ku punojnë, pozitat që ata mbajnë, partinë politike me të cilën lidhen dhe përshkrimin e lidhjes (PDK, LDK, AAK, VV etj.), shpesh të dokumentuar përmes angazhimeve të tyre të mëparshme si kandidatë në zgjedhje nacionale dhe lokale, deputetë apo funksionarë partiakë, kohën e emërimit, institucionet ku janë zgjedhur etj. Këto të dhëna janë përdorur në vazhdimësi nga gazetarë dhe hulumtues, por edhe janë elaboruar nga stafi i Çohu-t në media të ndryshme. 

Mjedisi

Mjedisi ka qenë dhe mbetët ndër prioritetet e organizatës Çohu!, veçanërisht në 15 vitet e fundit. Një ndër qëllimet e fokusit në këtë fushë ka qenë edhe aplikimi i gazetarisë hulumtuese në temat e mjedisit. Deri më tani janë realizuar dhjetëra hulumtime mbi mjedisin. 
Ato faktojnë degradimin e madh të natyrës në Kosovë, duke filluar nga industria nxjerrëse, dëmtimin e pyjeve, degradimin e lumenjve nga operuesit ilegalë dhe nga ndotja, keqmenaxhimin institucional etj. Të dhënat e grumbulluara ndër vite për dëmtimin e mjedisit janë pasqyruar në databazën online të Çohu! Ato të dhëna përmbajnë vendndodhjen e nxjerrjes së rërës, zhavorrit dhe gurit, operatorët që fituan licencat dhe lidhjet e tyre politike dhe sipërfaqet e degraduara të lumenjve që arrijnë mbi 1,100 hektarë dëmtim, si dhe dhjetëra lokacione të paligjshme të nxjerrjes. Databaza është pasuruar edhe me punën e terrenit, ku përveç përshkrimit për vendet ku është operuar ilegalisht, janë vendosur edhe fotografi për ta pasqyruar sa më shumë situatën. 

BOX-33---30vjet_ALB03-8

Këto hulumtime janë pasuar edhe me analiza ligjore, e veçanërisht elaborim i pandëshkueshmërisë ndaj atyre që degraduan mjedisin dhe paraqitjen faktike të rasteve nga terreni. Përveç hulumtimeve gazetareske, janë realizuar edhe disa raporte analitike me rekomandime konkrete. Gjetjet kanë treguar se si lëndët e mjedisit janë më të parashkruarat nga gjykatat. Çohu!, ndër vite ka aplikuar hulumtim dhe avokim për tema të ndryshme mbi mjedisin.
Hulumtimet e Preportr të realizuara ndër vite, poashtu tregojnë se mbi 16,000 hektarë pyje janë prerë në mënyrë të paligjshme në dy dekada.  
Fokusi tjetër i raportimeve ka qenë fusha e energjisë, korrupsioni në KEK si dhe temat e tranzicionit energjetik. Raportet pasqyrojnë dilemat e projekteve të mëdha si rivitalizimi i termocentralit “Kosova A”, ndikimet e hidrocentraleve te lumenjtë dhe shkatërrimin e ekosistemeve ujore, përdorimin e gazit si tranzicion energjetik me pasiguri të mëdha si dhe problemet urbane ku hapësirat e gjelbra dhe trashëgimia kulturore shpesh lihen pas dore.

Hulumtimet u fokusuan edhe te menaxhimi i dobët i mbeturinave në deponitë e mbeturinave, mungesa e riciklimit, djegia e mbeturinave dhe derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara në lumenj, të cilat shoqërohen me pasoja serioze për shëndetin e banorëve përreth. Hulumtimet dokumentojnë ndotjen e ajrit me përqendrime të grimcave të imëta shumë mbi normat e OBSH-së. Disa hulumtime janë realizuar edhe për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës nga kompania Ferronikeli. Shumë nga këto hulumtime u shoqëruan edhe me dokumentarë.

Arsimi 

Korrupsioni dhe keqmenaxhimi në arsimin e lartë në Kosovë, mungesa e literaturës, e cilësisë dhe politizimi kanë qenë ndër vite tema për të cilat janë realizuar hulumtime të shumta që Preportr ka realizuar në këto dy dekada. 
Hulumtimet dokumentuan me raste konkrete dhe simulime se si bliheshin temat e diplomës, si po kopjonin në vazhdimësi studentët, mungesën e vlerësimit gradual dhe dukuri tjera.
Një problem tjetër i theksuar e që ishte në fokus të hulumtimeve të organizatës Çohu! ka të bëjë me politizimin e thellë të universiteteve publike dhe pasojat që po shkaktonte kjo dukuri. Një numër i madh i dekanëve, prodekanëve dhe profesorëve kanë pasur apo kanë funksione të larta politike, gjë që ndikon në proceset zgjedhore, emërimet dhe cilësinë akademike. 
Arsimi_33---30vjet_ALB03-9-1
Hulumtimet tregojnë për një varësi të madhe nga bashkëpunëtorët e jashtëm, si të fakulteteve të UP-së, universiteteve të tjera publike si dhe kolegjeve private. Një tjetër dukuri e theksuar ishte pagesa shtesë për angazhime që konsiderohen detyrë bazë e profesorëve, si mbajtja e provimeve dhe mentorimi i temave, gjë që çonte në fitime të mëdha shtesë dhe shpesh në mbingarkesë me studentë. 

Ndër prioritetet tona ka qenë rritja e transparencës në UP. Çohu! ngriti tema si mungesa e CV-ve të stafit akademik si një element thelbësor i transparencës, për të ditur se kush po u ligjëron studentëve. Pas debateve publike lidhur me këtë çështje, pati lëvizje pozitive. 

Pashmangshëm, kolegjet private ishin fokus i hulumtimeve ndër vite. Hulumtimet e realizuara treguan për korrupsion, favorizime e keqpërdorime të ndryshme. Mijëra studentëve që kishin diplomuar ndër vite në këto kolegje, nuk u njihej diploma nga MAShT,  zyrtarisht rezultuan të padiplomuar. 
Hulumtimet treguan se si studentët u regjistruan në programe të paakredituara, ose përtej kuotave të përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit, si zhdukeshin librat amëz në MAShT dhe për dyshime tjera të ngjashme. 
Mosmonitorimi i kolegjeve nga Agjencia e Akreditimit ka qenë ndër temat tjera që është ndjekur me interes përmes hulumtimeve.

Të drejtat e punëtorëve 

Të drejtat e punëtorëve kanë qenë ndër temat që Çohu/Preportr u ka kushtuar rëndësi ndër vite. Përmes dhjetëra hulumtimeve, rrëfimeve dhe anketimeve është dëshmuar se si po shkelen të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. 
Hulumtimet tregojnë se një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat punojnë pa kontrata pune, me orare të gjata e shpesh pa pagesë shtesë, pa pushime të rregullta vjetore apo javore dhe në kushte të pasigurta që shpesh rrezikojnë jetën e tyre. Punëtorët shpesh hezitojnë të denoncojnë punëdhënësit, nga frika se mund të humbin vendin e punës ose të përballen me pasoja. Temat e sigurisë në vendin e punës kanë qenë po ashtu prioritet i punës tonë.
Në këtë aspekt janë realizuar hulumtime edhe duke i lidhur me mosefikasitetin e Inspektoratit të Punës, si dhe për rolin e zbehtë të sindikatave për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Te-drejtat_33---30vjet_ALB03-10
 

Tjera 

Organizata Çohu! për këto 20 vite ka realizuar me dhjetëra hulumtime të tjera që përfshijnë fusha me interes të gjerë publik siç janë shëndetësia, trashëgimia kulturore, privatizimi i ndërmarrjeve publike, drejtësia, të drejtat e njeriut me fokus pensionistët, gazetarët, gratë, fëmijët, riatdhësimin, deklarimin e pasurisë, korrupsionin në nivel lokal, e shumë hulumtime tjera. Në këto hulumtime është vënë në pah mosfunksionimi i institucioneve karshi problemeve që i kanë përcjellë këto fusha, moszbatimi i ligjeve dhe mosndërhyrja adekuate e organeve të drejtësisë. 

Çmimet 

Gazetarët hulumtues të Çohu/Preportr deri më tani kanë fituar rreth 30 çmime për hulumtimet e tyre, duke përfshirë edhe tri çmime të Bashkimin Evropian për Gazetari Hulumtuese. Hulumtimet që janë shpërblyer janë të fushave të ndryshme si ato lidhur me korrupsionin, të drejtat e njeriut, krimet mjedisore, arsimin, shëndetësinë etj.
Gazetarët e tanë kanë përfituar edhe bursa të ndryshme vendore dhe rajonale, duke realizuar hulumtime cilësore dhe të rëndësishme në fusha të ndryshme.

Shkolla e Gazetarisë Hulumtuese

Shkolla e gazetarisë hulumtuese e organizuar nga Çohu!, ka sjellë një qasje të re trajnuese mbi përdorimin e metodave të gazetarisë hulumtuese. Deri më tani janë certifikuar 12 gjenerata, përkatësisht mbi 300 pjesëmarrës, kryesisht gazetarë, studentë të gazetarisë dhe aktivistë të shoqërisë civile. 
Fillimisht, përveç gazetarëve të Çohu!, të cilët shpjegonin në mënyrë praktike se si realizuan hulumtimet më të rëndësishme dhe komplekse, trajnimet u zhvilluan edhe nga gazetarë të dëshmuar të Qendrës Rumune për Gazetari Hulumtuese. Më vonë, ato vazhduan me trajnerë nga KRIK-u.

Shkolla_33---30vjet_ALB03-11

Fokusi i trajnimit ka të bëjë me demonstrimin praktik të përdorimit të metodave të hulumtimit online, si të hulumtohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, si të hulumtohet përmes Google dhe rrjeteve sociale -niveli më i avancuar, si funksionojnë kompanitë offshore dhe si të hulumtohen kompanitë në të gjithë botën, si të gjurmohen pasuritë e politikanëve dhe të krijohet një databazë publike në internet, si të komunikohet në mënyrë të sigurt etj. 
Trajnimi fokusohet edhe mbi raportimin etik dhe profesional, ku përfaqësues nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës e kanë mbuluar këtë sesion. 
Në vitet e fundit për pjesëmarrësit janë ndarë nga dy bursa për dy ekipe, të cilat janë udhëhequr nga dy mentorë nga Çohu!, në mënyrë që të realizohen hulumtime duke i zbatuar në praktikë teknikat e mësuara gjatë trajnimit.