Krijimi i Qeverisë Thaçi, gjegjësisht koalicionit PDK-LDK, erdhi në një situatë kur raportimet për korrupsion dhe krim të roganizuar kishin arritur kulmin. Aq i lodhur ishte opinioni kosovar nga raportet për shkelje, korrupsion, dështime të qeverisë, keqpërdorim të pushtetit dhe injorim të problemeve të qytetarëve saqë zgjedhjet u bënë pothuajse sa për ta konfirmuar futjen si kryeministër të dikujt që akoma s’e kishte kompromituar pushteti dhe deri diku nga partitë e mëdha i tillë kishte ngelur Hashim Thaçi.
Kështu u krijuan pritjet se qeveria që do ta udhëheqë zoti Thaçi do të shënojë një kthesë drejt një qeverisje më të mirë meqë ishte shumë e vështirë të besohej se mund të bëhet një qeveri aq e keqe sikur ajo paraprijëse e Qeverisë Thaçi.
Ajo që pasoi shumë shpejt pas krijimit të kësaj qeverie në vetvete përmbante një fat dhe shpërblim për zotin Thaçi duke qenë se shpallja dhe njohja e pavarësisë krijoi rrethana tepër të vështira për të vlerësuar e matur vërtet qeverisjen që solli kabineti i tij.
Sido që të jetë në fund të këtyre 100 ditëve të qeverisjes mund të thuhet se ka pasur përpjekje dhe veprime drejt një qeverisjeje më të mirë, por, siç do të shihet nga ky raport, vendimet dhe veprimet e qeverisë aktuale shpesh kanë favorizuar shkeljet dhe korrupsionin, luftimi i të cilave dukuri ishte boshti i premtimeve të PDK-së dhe tepër pak kanë përmbushur premtimet.