Është mbajtur Shkolla për Gazetari Hulumtuese e organizuar nga organizata ÇOHU!, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Gazetarë nga media të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia kanë ndjekur ligjëratat dhe prezantimet e hulumtuesve të rrjetit KRIK. Gjatë këtyre sesioneve, pjesëmarrësit kanë mësuar se si funksionojnë kompanitë offshore dhe si mund të hulumtohen kompanitë në mbarë botën, si të gjurmohet pasuria e politikanëve si dhe si të qaset në dokumente publike.
Në kuadër të trajnimit, pjesëmarrësit janë njoftuar edhe me legjislacionin në Kosovë që sanksionon krimet ndaj mjedisit, institucionet dhe mekanizmat që janë përgjegjës për hetimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, si dhe pasojat juridike për bizneset që ndiqen penalisht për këto vepra.
Gjithashtu është ligjëruar për mënyrat se si duhet t’u qasen gazetarët temave të mjedisit, si të identifikohen burimet e informacionit dhe si të trajtohen sinjalizuesit. Pjesëmarrësit janë informuar në detaje, përmes shembujve ilustrues, edhe për rëndësinë e zbatimit të Kodit të Mediave të Shkruara gjatë raportimit, si dhe për procedurat e ankesave në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe trajtimin e tyre. Sesioni është udhëhequr nga Visar Prebeza nga KALLXO.com dhe Imer Mushkolaj nga KMShK.
Gjatë këtij trajnimi ka ligjëruar edhe Besnik Boletini nga organizata ÇOHU!, i cili para pjesëmarrësve ka shpjeguar hulumtimet që ka realizuar organizata në fushën e mjedisit, si dhe metodologjinë e përdorur për secilin hulumtim. Ai gjithashtu ka treguar se si mund t’u qasen gazetarët hulumtimeve online dhe si të përdorin të dhënat publike që gjenden në internet.
Përgjithësisht, gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit janë trajnuar se si të përdorin metoda të ndryshme hulumtuese për realizimin e hulumtimeve mbi fushën e mjedisit. Ky është viti i dymbëdhjëtë me radhë që ÇOHU organizon Shkollën për Gazetarinë̈ Hulumtuese për gazetarë dhe hulumtues të OJQ-ve.