-
AktiviteteCall for Proposals for the SELDI Small Grants Programme
-
20 Qershor '24
-
Autor: ÇOHU
-
-
HulumtimePandemi në Gjyqësi
-
20 Nëntor '20
-
Autor: Rina Koliqi dhe Genc Nimoni
-
-
HulumtimeKeqpërdorimi në prokurim publik
-
23 Prill '20
-
Autor: Rina Koliqi
-
Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), megjithëse me ligj obligohet që t’i publikojë regjistrat e pasurisë sё zyrtarëve tё lartë publik ditën e parë tё punës tё muajit qershor, ka vendosur qё mos t’i bёjë publike kёto regjistra gjatë procesit zgjedhor pёr zgjedhjet nacionale tё vitit 2014. Me kёtë veprim, Agjencia ka bёrё shkelje flagrante tё Ligjit pёr deklarim tё pasurisë, duke qenё se ligji specifikon shumë qartë afatet e publikimit tё regjistrave tё pasurisë. Po ashtu, ky veprim i Agjencisё, cenon rëndë integritetin e institucionit dhe e vendos vendim-marrjen e tij brenda diktatit tё politikës ditore.
Në bazë të nenit 13 pika 1, të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë, regjistrat e deklarimit të pasurisë duhet të publikohen në faqen e internetit të Agjencisë, brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e kalimit të afatit për deklarim të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik. Në bazë të nenit 8 të këtij ligji, afati i rregullt ligjor për deklarim të pasurisë është nga data 1 deri 31 mars të çdo viti kalendarik. Kjo nënkupton se regjistrat e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik duhet të publikohen 60 ditë pas datës 31 mars, që i bie dita e parë e qershorit që është ditë pune. Praktikat e deri tanishme kanë treguar se gjithmonë pasuria e zyrtarëve është bërë publike në ditën e parë tё punës të muajit qershor.
Mirëpo këtë vit, AKK-ja ka vendosur qё mos t’i publikoj regjistrat e pasurisë sё zyrtarëve tё lartë publik dhe me këtë veprim, ka bërë shkelje ligjore (shkeljet të nenit 13 të ligjit për deklarim). Kjo është një shkelje e rëndë ligjore e AKK-sё, për arsye se ligji nuk lejon hapësirë për interpretim sa i përket afatit për publikim të regjistrave tё pasurisë. Ligji parasheh afat konciz prej 60 ditësh pas mbylljes së afatit të rregullt për deklarim, për publikim tё regjistrave tё pasurisë tё zyrtareve tё lartë publik, e që i bie dita e parë e punës, data 2 qershor, pra dita e djeshme.
Mospublikimi i pasurisë së zyrtarëve nga ana e AKK-së, nuk ka se si tё mos lidhet pikërisht me fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. Nё kёtё kuadër, ky vendim i Agjencisё e fundos pavarësinë nё vendim-marrje, tё cilёn e ka tё garantuar me ligj, dhe e vendos kёtё institucion nёn diktatin e politikës. Kompetencat dhe puna e AKK-së, por edhe e institucioneve gjyqësore dhe e institucioneve të tjera tё pavarura, nuk duhet të lidhet me politikën dhe me proceset tjera tё politikës ditore.
Organizata Çohu!, mendon se pikërisht publikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë do ta ndihmonte procesin zgjedhor, sepse do t’iu jepte qytetarëve një pasqyrë të pasurisë së zyrtarëve të deritashëm, dhe një mundësi që mos të votohen zyrtarët që supozohen që janë pasuruar kundërligjshëm nga funksionet publike. Për këtë qëllim edhe është vendosur me ligj publikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë, në mënyrë që qytetarët tё kenë njohuri se kush udhëheq me taksat e tyre dhe me pasuritë publike të vendit, duke u ofruar atyre edhe tё drejtën e ndëshkimit elektoral!
Përfundimisht, vendimi pёr mospublikim tё pasurisë nga ana e AKK-së, është një amnisti ndaj politikanëve që mund të jenë pasuruar nëpërmjet funksioneve publike, dhe e cenon rëndë integritetin dhe pavarësinë e kёtij institucioni.
Një shkelje tjetër ligjore e drejtorit të AKK-së ka qenë edhe në vitin 2011, kur mandati i drejtorit aktual kishte përfunduar dhe një drejtor i ri nuk ishte zgjedhur dhe kjo situatë e detyroi Komisionin Parlamentar për Legjislacion që të emërojë drejtorin e administratës së Agjencisë si ushtrues detyre deri në zgjedhjen e drejtorit të ri. Në praktikë, ky vendim gjeneroi një kundërthënie në mes drejtorit të Agjencisë dhe Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ku i pari nuk e pranonte vendimin e Komisionit për emërimin e drejtorit të administratës së Agjencinë si ushtrues detyre duke u thirrur në thyerjen e ligjeve në fuqi.