Programet
Qeverisja e Mirë / Hulumtime

Deklarimi i Pasurisë: Kontrolli dhe Vërtetësia e të Dhënave

Organizata ÇOHU!, ka prezantuar analizën mbi deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik ku me theks të veçantë adresohen aspektet e kontrollit dhe vërtetësisë së të dhënave, e titulluar: "Kriza e Depërtimit"

Organizata ÇOHU!, ka prezantuar analizën mbi deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik ku me theks të veçantë adresohen aspektet e kontrollit dhe vërtetësisë së të dhënave, e titulluar: "Kriza e Depërtimit". Analiza përbën një dokument integral të politikave shtetërore në fushën kundër korrupsionit, konkretisht nxjerr në pah mungesën e mekanizmit të mirëfilltë të kontrollit të pasurive dhe sigurimit të të dhënave të plota e të sakta si dhe renditë pengesat në këtë drejtim. Pjesë përbërëse e analizës janë edhe rekomandimet adresimi i të cilave do ta përmirësonte shumë sistemin e deklarimit dhe kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë publik. 

Analiza tregon se përkundër progresit të pjesshëm në aspektin e masave ndëshkuese përkitazi me deklarimin e rrejshëm dhe refuzimin e deklarimit të pasurisë, zyrtarët publik vazhdojnë ta shkelin ligjin në fuqi. Në këtë kontekst, analiza ka identifikuar problemet thelbësore në legjislacion si dhe ka adresuar sfidat e sistemit në tërësi gjatë zbatimit praktik.

Deklarimi i pasurisë konsiderohet si një ndër aspektet bazë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit politik. Marrë për bazë  të metat e shumta në aspektin legjislativ, dhe kapacitetet e mangëta mandatore dhe profesionale të Agjencisë Kundër Korrupsion, deklarimi i pasurisë në Kosovë nuk ka ofruar bazë as për parandalim, por as për luftim të korrupsionit politik. 

Përgjithësisht analiza konkludon se regjistrat e pasurive të cilat publikohen në faqen elektronike të AKK-së, nuk ofrojnë të dhëna të sakta dhe si të tilla jo domosdoshmërisht paraqesin bazë të mirëfilltë për verifikim dhe kontroll të pasurive të zyrtarëve të lartë publik. Të metat e adresuara në analizë tregojnë për një sistem shumë të dobët të kontrollit dhe verifikimit të pasurive të deklaruara. 

Në kuadër të analizës janë adresuar këto të meta: 

1) Saktësia e të dhënave (pasurisë), a) Mos qasja në banka dhe institucione financiare, b) Mungesa e standardeve për konstatim të vlerës së deklaruar, c) Mungesa e standardizimit të përmbajtjes së emërtimeve dhe nocioneve, d) Mos harmonizimi i regjistrave të pasurisë në aspektin material dhe teknik.  

2) Mungesa e kontrollit të origjinës;

3) Pamundësia e verifikimit të pasurisë jashtë vendit; 

4) Mos analizimi aritmetik i i relacionit në mes të të hyrave të zyrtarit dhe pasurive të tij; 

5) (Mos)Funksionimi i Pikave të Kontaktit apo mos informimi i mirëfilltë. 

Të gjeturat e detajuara të analizës janë si vijojnë:   

Të gjeturat nga hulumtimi empirik i Çohu!-të:

  • Nga numri prej 199 zyrtarëve që kanë qenë subjekt i hulumtimit nga ana e Çohu!-t, në 8 raste ka mospërputhje të deklarimit të pronave dhe pasurisë së patundshme krahasuar në regjistrin e pasurisë së AKK-së, me të dhënat e siguruara nga zyrat kadastrale nëpër komuna;
  • Në 3 raste është vërejtur mosdeklarimi nga ana e zyrtarëve të lartë publik, të pronësisë që ata kanë mbi biznese të caktuara, që paraqet shkelje të drejtpërdrejtë sipas nenit 437 të Kodit Penal;
  • Në 4 raste është gjetur mosdeklarimi i bizneseve në periudhën e paraparë më ligj (31 Mars), ku pavarësisht arsyetimeve të bëra nga zyrtarët përkatës për mungesën e aktivitetit të këtyre bizneseve apo mos-menaxhimin e tyre nga ana e zyrtarëve, ligji në mënyrë specifike obligon deklarimin e tyre përderisa të njëjtat figurojnë të regjistruara në emër të zyrtarëve të lartë publik në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë - ARBK;
  • Në 4 raste është vërejtur shpërputhje e formës së deklarimit të pasurisë, ku zyrtarët kanë deklaruar të hyra nga bizneset por nuk i kanë paraqitur ato si biznese në pronësi të tyre, apo si posedues të aksioneve apo të ndonjë forme tjetër të lidhjes me to;

Të gjeturat nga aspekti i procesit të deklarimit të pasurisë:

  • Procesi i Deklarimit të Pasurisë, parë nga aspekti strukturor realizohet brenda kushteve të parapara me ligj, edhe pse në disa raste me të meta të theksuara. Mirëpo, ka shumë të meta për nga aspekti përmbajtjesor siç është problemi me vlefshmërinë/saktësinë e të dhënave të deklaruara, si pasojë e mungesës së instrumenteve dhe kompetencave verifikuese nga ana e AKK-së;
  • Mungesa e qasjes në banka dhe institucione financiare e minon punën e AKK-së pasi që kjo e fundit nuk e ka në dispozicion një nga instrumentet më të rëndësishme të verifikimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarëve të lartë publik;
  • Një nga aspektet problematike është edhe pamundësia e AKK-së për të pasur çfarëdo qasje në pasuritë që zyrtarët e lartë publik mund të kenë jashtë vendit;
  • Po ashtu një aspekt problematik është edhe pamundësia e AKK-së për të vërtetuar origjinën e pasurisë;
  • Mungesa e standardeve për konstatim të vlerës së deklaruar paraqet po ashtu një problem pasi që AKK-ja nuk ka në dispozicion asnjë mekanizëm për të vlerësuar përmbajtjen apo vlerën reale të pasurisë së deklaruar nga ana e zyrtarëve të lartë publik;
  • Mungesa e standardizimit të përmbajtjes së emërtimeve dhe nocioneve të pasurisë paraqet po ashtu një problem në procesin e deklarimit të pasurisë dhe veçanërisht në përcaktimin e vlerës së pasurisë; 
  • Ka një mungesë të theksuar të harmonizimit të regjistrave të pasurisë në aspektin material dhe teknik, gjë që paraqet pengesë serioze për monitorim të pasurive të deklaruara si nga AKK-ja, por edhe nga palët e treta;
  • Me gjithë progresin legjislativ në aspektin e masave shtrënguese dhe dënuese rreth deklarimit të rrejshëm dhe refuzimit të deklarimit të pasurisë, të dhënat tregojnë se këto masa nuk janë duke prodhuar rezultate domethënëse;
  • Trendi i mosdeklarimit të pasurisë ka shënuar rritje nga viti 2007 deri në vitin 2012, krahas rritjes së numrit të zyrtarëve të obliguar ta deklarojnë pasurinë. Në këto vite, mos deklarimi i pasurisë ka rezultuar me shkelje administrative (2007-2010), dhe me kundervajtje (2010-2012).  
  • Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Kodi Penal i Republikës së Kosovës, i cili në nenin 437 ka paraparë si vepër penale edhe mosdeklarimin apo deklarimin e rrejshëm të pasurisë, i cili ndryshim ka ndikuar pjesërisht në reduktimin e numrit të zyrtarëve që nuk e deklarojnë pasurinë në afatin e rregullt vjetor. Në kategorinë e deklarimit vjetor, numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë ka shënuar ulje drastike në vitin 2013 dhe në vitin 2014, krahasur me vitet paraprake (2007-2012), përderisa në vitin 2015, numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë ka shënuar rritje domethënëse krahasuar me dy vitet paraprake (2013/14);
  • Një numër i konsiderueshëm i mosdeklaruesve të pasurisë në vitin 2015, kanë rastisur të marrin detyrën para afatit të rregullt të deklarimit të pasurisë dhe si të tillë deklarojnë pasurinë për herë të parë. Kjo lë të kuptohet se të njëjtit nuk kanë njohuritë e duhura për procesin e deklarimit, njëherit kjo mund të ndodhë edhe si pasojë e (mos)funksionimit të mirëfilltë të pikave të kontaktit apo mosinformimit adekuat të këtyre mosdeklaruesve rreth obligimeve dhe pasojave ligjore në këtë drejtim;
  • Në numrin e lartë të mosdeklaruesve, por veçanërisht të atyre që nuk e deklarojnë saktë pasurinë ndër vite mund të kenë ndikuar edhe pamundësia e AKK-së për të verifikuar saktësinë e të dhënave dhe  për të siguruar kontrollin e origjinës së tyre;

Të gjeturat në kontekstin e rasteve kundër nenit 437 (mos deklarim dhe deklarim i rrejshëm i pasurisë) dhe natyrës së dënimeve:

  • Për vitet 2007-2010, legjislacioni në fuqi nuk ka paraparë shkallë të dënimeve penale pasi që Kodi Penal, nuk e parashihte mosdeklarimin apo deklarimin e rrejshëm si vepër penale;
  • Ligji i vitit 2010, dhe më pas ligji aktual kanë prezantuar dënimet me gjobë vlera e të cilave është rritur dy herë, por këto masa nuk kanë dhënë asnjë rezultat pasi që zakonisht në shkallën e dytë të shqyrtimit gjyqësor, përkatësisht në  Gjykatën për Kundërvajtje, si dhe shkallën e parë  dhe të  dytë  të  apelit, këto dënime janë reduktuar dhe janë bërë pothuajse të papërfillshme. Si të tilla, këto dënime nuk janë konsideruar si pengesa serioze për të mosdeklaruar pasurinë nga ana e zyrtarëve të lartë publik;
  • Pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal të Kosovës, përkitazi me nenin 437 që parasheh veprën penale për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë, për vitet 2013-2014, AKK-ja ka iniciuar gjithsej 163 raste, ndërsa prokuroritë kanë ngritur 95 aktakuza. Në mesin e këtyre aktakuzave ka edhe të tilla që parashohin dhënien e urdhrit ndëshkimor, që paraqet një shkelje pasi që neni 437 i Kodit Penal, nuk parasheh dënime të tjera alternative përveç se “me gjobë dhe me burgim”;
  • Gjatë viteve 2013-2014, përkitazi me shkeljen e nenit 437 për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë, Gjykatat kanë pasur gjithsej 193 lëndë në punë, prej të cilave kanë shqyrtuar vetëm 30 apo 15% të tyre, që flet për një trend tejet të ultë të shqyrtimit të lëndëve kundër korrupsionit dhe që mund të përbëjë një stimulim për kryesit e veprës penale të mosdeklarimit apo deklarimit të rrejshëm të pasurisë;
  • Nga gjithsej 30 vendimet e marra nga Gjykatat, është shqiptuar vetëm një dënim me burg, ndërsa 10 vendime janë dhënë me aktgjykim lirues, refuzues apo janë zgjedhur në mënyrë tjetër. Përderisa, 7 raste janë parashkruar në afat absolut, si dhe 12 vendime të gjykatave kanë karakter alternativ të dënimit gjë që potencialisht bien ndesh me Kodin Penal, përkatësisht nenin 437 i cili parasheh vetëm dënime me gjobë dhe me burgim, duke përjashtuar format tjera alternative të dënimit;
  • Një aspekt problematik dhe që ka ndikuar në shkallën e ulët të dënimeve (dënimet alternative) është edhe mospërpunimi i duhur i lëndëve nga ana e AKK-së, konkretisht në atë se çka ky mekanizëm ka konsideruar si deklarim i rrejshëm i pasurisë.

Të gjeturat nga aspekti ligjor:

 

  • Legjislacioni aktual ka dështuar që të ofrojë një strukturë ligjore të përshtatshme që adreson nevojat e realitetit socio-kulturor dhe socio-politik në luftën kundër korrupsionit, veçmas korrupsionit politik;
  • Ka mospërputhje të disa aspekteve themelore në mes të ligjeve bazë kundër korrupsionit dhe ligjeve tjera relevante siç ka edhe konflikt në disa aspekte me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës;
  • Rishqyrtimi i ligjeve bazike kundër korrupsionit dhe veçanërisht Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Ligji për Deklarim të Pasurisë, është e një nevoje urgjente. Po ashtu, një harmonizim i ligjeve kundër korrupsionit në mes vete si dhe harmonizimi i tyre me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës është i domosdoshëm;

 

Të gjeturat në raport me mandatin e AKK-së:

  • AKK-ja nuk ka mandat të mirëfilltë dhe të fuqishëm për hetimin e plotë të pasurisë që zyrtarët e lartë publik e deklarojnë, pasi që nuk mund të përdorë një  nga instrumentet themelore për verifikim, qasjen në llogaritë bankare;
  • AKK-ja nuk ka bërë asnjëherë ndonjë analizë që ka për bazë llogaritjen aritmetike në mes të hyrave dhe pasurive të deklaruara, mbi bazën e së cilave do të mund të konstatonte përputhshmërinë në mes të standardit të jetës së zyrtarëve të caktuar duke i krahasuar me të hyrat vjetore; 
  • AKK-ja nuk ka qasje për të verifikuar dhe kontrolluar pasurinë jashtë vendit të zyrtarëve të lartë publik;
  • AKK-ja nuk ka në dispozicion asnjë mekanizëm për verifikimin e origjinës së pasurisë së zyrtarëve të lartë publik;
  • Tendenca e AKK-së për t’u profilizuar përherë e më shumë me kompetenca ekzekutive sipas qasjes së deritanishme nuk përcillet me një vizion real për mandatin e saj. Qasja përmes së cilës kërkohet të aludohet në kompetenca të përfituara përmes nënshkrimit të "Memorandumeve të Mirëkuptimit", të cilat bazohen në vullnetin ndër-institucional është e pamjaftueshme për një mandat të mirëfilltë dhe kuptimplotë;
  • Është e një nevoje urgjente që të rishikohet ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit, krahas ligjeve tjera bazike kundër korrupsionit në mënyrë që të sqarohet, plotësohet dhe forcohet në përpikëri mandati i saj si dhe të sqarohet në përpikëri metodologjia e punës dhe instrumentet që AKK-ja ka në dispozicion për të kryer hetime administrative dhe hetime përmbajtjesore rreth deklarimit të pasurisë.

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU!
Rruga: 2 Korriku; Nr.4; Hy.4 Prishtinë, Kosovë
Tel / +381 (0)38 248 506
www.cohu.org 

  • Antikorrupsion

  • Hulumtime

    20 Nëntor '20

    Pandemi në Gjyqësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën shtator 2019 – gusht 2020

  • Hulumtime

    23 Prill '20

    Keqpërdorimi në prokurim publik

    Meqenëse prokurimi publik vazhdon të mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme në proceset publike të shpenzimit të parasë publike, Organizata Çohu! gjatë periudhës njëvjeçare të...

  • Hulumtime

    18 Nëntor '19

    Qasja në drejtësi

    Raport i monitorimit në gjykatat themelore në Republikën e Kosovës për periudhën tetor 2018 – shtator 2019

  • Aktivitete

    18 Korrik '18

    Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë dhe Agjencia Kundër Korrupsion

    Në fokus të diskutimit ka qenë nisma ligjore për rishikimin e bazës ligjore e cila ka të bëjë me deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publikë,...

  • Qeverisja e Mirë

  • Aktivitete

    7 Nëntor '22

    Pyetësor: Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë

    Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, janë duke realizuar një hulumtim lidhur me procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë...

  • Hulumtime

    13 Qershor '22

    Përgjegjësia Disiplinore e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

    Organet kompetente të vendit kanë ndërmarrë një sërë hapash për reformimin e drejtësisë, me qëllim të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, si dhe të...

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Ajri i ndotur, degradimi i hapësirave të gjelbra, dëmtimi i shtretërve të lumenjve si dhe gjendja e deponive të mbeturinave janë disa probleme të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë të dukshme në...

  • Hulumtime

    25 Janar '22

    Online Media Monitor

    Raporti i monitorimit të mediave online janar 2020 - dhjetor 2021

  • Privatizimi

  • Reagime

    23 Dhjetor '16

    Reagim: Degradimi dhe shkatërrimi i PTK-së nga politika

    Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë më të cilin Post-Telekomi i Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për...

  • Hulumtime

    22 Qershor '15

    PTK: Nga agimi deri në muzg

    Raport hulumtues: Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës: Ky raport hulumtues ofron një ekzaminim të detajuar mbi zhvillimet dhe shkaqet kryesore që çuan në rënie të vazhdueshme dhe siç duket të...

  • Hulumtime

    19 Prill '13

    ACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real!

    Shitja e 75% të aksioneve të PTK-së, ka nxjerr lakuriq tendencën e Qeverisë që telekomin kosovarë t’ia jap kompanive ndaj të cilave kishte kusure të pashlyera. Qeveria me...

  • Hulumtime

    29 Tetor '12

    2017: Viti i Kolapsit Energjetik

    Bazuar në parametrat e tanishëm, Kosova do të ballafaqohet me një kolaps energjetik në vitin 2017. Vendi, tani për tani, nuk ka plan alternativ për furnizim me energji në rast se ndërtimi i...

  • Peportr

  • Hulumtime

    1 Prill '22

    Degradimi i vazhdueshëm mjedisor

    Në këtë video pasqyrohen dëmet mjedisore që janë shkaktuar ndër vite në Kosovë. Fokusi i kësaj përmbledhje është gjendja aktuale në deponitë...

  • Hulumtime

    4 Nëntor '21

    Pasojat e hidrocentraleve

    Ndërtimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë ka shkaktuar pasoja të shumta buzë lumit, në rrjedhën e lumit qasjen në lumë....

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Fati i zi i Drinit të Bardhë

    Për vite me radhë, kompani të shumta kanë nxjerrë rërë dhe zhavorr nga Drini i Bardhë. Eksploatimet e tyre ilegale jo vetëm që shkatërruan hektarë...

  • Hulumtime

    4 Tetor '21

    Degradimi i Drinit të Bardhë

    Mbi një mijë hektarë të Drinit të Bardhë u dëmtuan nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, për vite me radhë. Dënimet e vogla,...